Pas lajmit të publikuar nga Syri.net për përgjimet e dosjes Balluku, ku inxhinieri grek komunikon me vartësin e ministres dhe e ve në dijeni për cilësinë e punimeve në tunelin e Llogarasë, ka reaguar ish-deputeti i Partisë së Lirisë, Pretrit Vasili.
Në një postim në Facebook, Petrit Vasili paralajmëron për pasojat e hapjes së tunelit të pambaruar të Llogarasë nga Rama në korrik 2024. Sipas Vasilit, ky projekt nuk ishte vetëm i papërfunduar, por edhe i pasigurt për qytetarët që e përdorin, – thotë Vasili.
Postimi i plotë:
Në korrik 2024, Rama inauguroi dhe hapi për lëvizjen e makinave dhe qytetarëve tunelin e pambaruar të Llogarasë.
Por kush garantoi për sigurinë e tunelit?
Komunikimet mes supervizorit grek Kirkinezis dhe drejtorit të ARRSH, Berberi, janë tronditëse. Ja çfarë shkruan Kirkinezis:
“Evis… kontraktori duhet të kuptojë se projekti nuk është thjesht një ‘vrimë’, por një tunel i cili duhet të ndërtohet sipas specifikimeve dhe praktikave ndërkombëtare, duke respektuar ABSOLUTISHT çështjet e SIGURISË…”
Në nëntor 2022, kur inxhinieri grek raportonte shkelje alarmante të sigurisë, konstatohej se kontraktori po hidhte “beton pa çelik, jo të përforcuar”.
“Propozimi i ri i kontraktorit ka të bëjë vetëm me kushtet normale të funksionimit, pa asnjë dispozitë për rastet e zjarrit. Nëse ndodh një incident i tillë, sigurisht që do të ketë viktima”, shkruante më tej supervizori grek.
Në dritën e këtyre fakteve shokuese, një gjë është e qartë: që në momentin e hapjes, në korrik 2024, tuneli ishte totalisht i pasigurt në çdo aspekt — që nga siguria e jetës, ventilimi, cilësia e ndërtimit, mbrojtja ndaj zjarrit etj.
Pra, jeta e qytetarëve u vunë në rrezik të madh vetëm për hir të propagandës së Ramës dhe në funksion të aferës shumë milionëshe që përfaqëson tuneli i Llogarasë.
Kjo ngjarje përbën një krim të vërtetë ndaj jetës së qytetarëve, që është vënë në rrezik me ndërgjegje të plotë nga Rama dhe qeveria.



