Rigels Seliman
Zërave që i kërkojnë Partisë Demokratike të mos i shmanget betejave, por të vihet në ballë të saj, i bashkohen edhe drejtuesit lokalë të PD, më të cilët kryedemokrati zhvilloi dje nje mbledhje në selinë blu. Kryetari demokrat i Bashkisë së Kavajës, Fisnik Qosja i kërkon kupolës blu të frymëzojë protesta të qëndrueshme. “Jam për protestë të qëndrueshme, protestë serioze. Jo me bo xhiro me ik”, deklaroi Qosja. Po ashtu mësohet se në mbledhje është propozuar grevë urie jo vetëm nga deputetët por edhe familjarët e tyre. “Doktor, besimi ndaj politikës në përgjithësi është përtokë, por në veçanti ndaj PD. Çfarë duhet bërë që qytetarët të kenë besim tek PD? Janë provuar protestat por kanë rezultuar vetëm peligrinazh.
Shumë demokratë kanë ikur drejt mazhorancës dhe nuk mund t’u vësh faj në këtë situatë. Mendoj se zgjidhje e mundshme për të rikthyer besimin tek PD është sakrifica jo vetëm e deputetëve, por edhe familjarëve të tyre. Të hyjnë në grevë te Kuvendi bashkë me familjet e tyre. Ndryshe si mund të rikthehet besimi kur të gjitha format janë provuar”, ka deklaruar një prej kryetarëve të degëve. Sakaq, Berisha nuk i ka hedhur poshtë këto propozime, por është shprehur në favor të një proteste një herë në javë para Kuvendit. “Keni të drejtë si në parashtrim, ashtu edhe në propozime, nuk i hedh poshtë asnjë nga këto, por jemi në një narko regjim. Duhet protestë në formatin e asaj para bashkisë, 1 herë në javë para Kuvendit. D.m.th në çdo seancë të ketë protestë para Kuvendit”, ka deklaruar Berisha.
Berisha kërkon fuqizimin e bazës së PD
Por para protestave kombëtare Sali Berisha ka plane të tjera. Ai është i vetëdijshëm që në gjendjen që PD është sot, gjasat që të frymëzojë protestat, janë të pakta. Ndonëse vetë, i është shmangur përgjegjësisë, partisë në bazë, i kërkon të fuqizohet. “Përveç protestës, kryengritjes paqësore, asnjë mjet tjetër nuk do mund të shpëtojë Shqipërinë nga ky pushtim i egër i brendshëm. kjo nuk mund të na pengojë ne të rishqyrtojmë dhe nuk do na pengojë, të gjithë veprimtarinë, të gjithë problematikat që kemi dhe në mënyrë të veçantë, hapja dhe afrimi sa më shumë i vlerave të kësaj partie”, tha Berisha. Këtë detyrë ia ngarkon pikërisht drejtuesve të strukturave lokale, duke i hequr deputetëve nga supet barrën e betejës përtej parlamentit.
“Do ta bëni ju me kryesinë, me grup seksionet, me seksionet. Do të dilni me propozimet, sugjerimet, atë çka mendoni, por treguesi më cilësor i suksesit të saj është, sa do jemi ne të aftë të afrojmë vlera të reja”, vijon Berisha. Ish-kryeministri fajësoji Edi Ramën për izolimin e tij dhe prangosjen e Ilir Metës në prag të zgjedhjeve vendore të 11 majit me qëllim për të arritur fitoren. “Ne vijmë në këtë takim pasi ju, anëtarë, por dhe mbështetësit e simpatizantët tanë, derdhët lumenj djerse, me ndershmëri e sakrifica, për një proces zgjedhor që vendi duhej të kishte.
Me çfarë u përballën ata dhe ju? Ata u përballën, së pari, me një politikë terrori ndaj opozitës. Edi Rama, në traditën e babait të tij xhelat, në një vit elektoral, arrestoi si persona nën hetim, pa asnjë fakt penal, liderët e dy partive opozitare dhe vuri në ndjekje penale të tretin. Akt të tillë e ka bërë identik Saied–i Tunizisë, i cili në vit elektoral arrestoi tre liderët e partive kryesore opozitare për të fituar në zgjedhje për aq sa deshi”, nënvizoi dje Berisha. I ashpër me PD dy ditë më parë ishte edhe deputeti Ervin Salianji. Ai kritikon se PD ka zgjedhur rehatinë në vend të përballjes duke humbur pasionin dhe zemrën për të luftuar dhe për të bërë betejë, ndaj i kërkon të ndryshojë.



