Flet Arben Çipa, administrator, “Sipa Tours”
Shërbimi duket se mbetet ende “Thembra e Akilit” e sektorit të turizmit. Mungesa e stafit të kualifikuar në kushtet kur interesi turistik dhe promovimi kanë qenë të larta për Shqipërinë e kanë vënë sektorin nën presion sidomos gjatë pikut.
Arben Çipa, administrator i “Sipa Tours”, shprehet se shërbimi mbetet ende elementar dhe se ka nevojë që vitin tjetër të reflektojmë pozitivisht mbi përmirësimin e tij.
Nga ana tjetër, ai shprehet se në shifra, Shqipëria po vazhdon të tërheqë më shumë turistë por tipologjia e tyre është ajo e të rinjve me sjellje kursimtare në çdo vend të botës.
Si ka qenë periudha e post-pikut të sezonit veror për turizmin në përgjithësi dhe për zonat bregdetare në veçanti, nëse flasim këtu për Sarandën e Ksamilin?
Fundi i shtatorit i ngjan atij avionit që ulet në pistë dhe ecën drejt, pra ka një lloj qëndrueshmërie në numrin e vizitorëve, por pa ndonjë luhatje apo rritje surprizë.
Është vënë re një miks i turistit të pavarur pra që vjen individualisht dhe operatorëve turistikë që sjellin në mënyrë të organizuar vizitorë për ture kulturore.
Këta të fundit kanë pasur ritëm të kënaqshëm dhe ende edhe sot që jemi në nëntor, shifrat e tureve kulturore mbeten në nivele të mira.
Vera u shfaq disi e zbehtë në turizmin e rërës dhe detit. A arriti shtatori të bënte kompensimin që pritej?
Shtatori ishte gjithçka që prisnim. Kompensoi boshllëqet e theksuara që më së shumti u vunë re në maj dhe qershor.
Pse kjo verë ishte më e dobët krahasuar me një vit më parë në këndvështrimin tuaj?
Nuk është se nuk patëm turistë këtë verë. Ndoshta patëm njësoj ose më shumë por ajo që bëri diferencën është tipologjia e turistit. Kjo është një tipologji e re ku mbizotërojnë kryesisht moshat e reja që zgjedhin të shpenzojnë pak dhe të krijojnë eksperienca.
Kërkojnë alternativat më të lira. Kjo moshë kështu sillet kudo, jo vetëm në Shqipëri.
A është kjo tipologji turisti që po vjen te ne produkt i mënyrës sesi jemi marketuar dhe sesi jemi ekspozuar në rrjetet sociale?
Padyshim që kjo është ajo që po tërheq këtë turist drejt vendit tonë. Të rinjtë u referohen rrjeteve sociale dhe “viraliteti” i Shqipërisë për disa aspekte të saj si peizazhet natyrore apo çmimet e lira e kanë joshur këtë turist të vendosë të vijë të shohë.
Popullariteti i Shqipërisë online tërhoqi vetvetiu këtë grup dhe nuk është se ne targetuam një kategori specifike vetë, ishin algoritmet që sollën këto grupe.
Një nga problemet e shfaqura çdo sezon është një tendencë e rritjes së çmimeve në disa rajone, që duket se ndikon më pas edhe te perceptimi që krijohet te turistët duke ndikuar zgjedhjet e tyre. A ishte ky një problem këtë vit?
Çështja e çmimeve është diçka që ekziston prej vitesh. Nuk është se u korrigjua ky ngërç edhe këtë vit, por nuk do të thosha se ishte problemi ynë kryesor.
Ishte një prej tyre, por jo më i rëndësishmi.
Ai që unë shoh si problem madhor dhe që duhet të ketë reflektim real është shërbimi që mbetet elementar dhe ka vend për përmirësim të konsiderueshëm.
Qeveria deklaroi se vitin e ardhshëm, menaxhimi i plazheve do të jetë krejt ndryshe nga ai që ka qenë vitet e fundit. A mendoni se një kontroll më i lartë i bashkive dhe një hapësirë më e madhe publike do të ndikojë pozitivisht?
Për dy zona, qeveria ka deklaruar se do të ndryshojë menaxhimi ku bëjnë pjesë Dhërmiu dhe Ksamili.
Për këtë të fundit kjo është ideja apo eksperimenti i fundit që zbatohet. Nuk mendoj se kjo do të jetë një zgjidhje e qëndrueshme.
Zgjidhja e duhur do të ishte zgjerimi i bregut me plazhe të reja, pra të shtohet aksesi në gjire të reja gjatë vijës bregdetare.
Kjo do të lejonte që të gjendej ajo balanca e nevojshme, që edhe biznesi të ketë hapësirën që i duhet, flasim këtu për strukturat akomoduese, por edhe qytetarët të kenë hapësirën e nevojshme publike.
Cila është forma më e mirë që këto dy modele, pra ato të privatit dhe publikut të funksionojnë së bashku?
E para për plazhet e pashkelura, ku duhet të krijohet një lloj aksesi, në mënyrë që të përfitohet më shumë vijë bregdetare e shfrytëzueshme, kurse plazhet ekzistuese të lihen te subjektet që kanë investuar prej vitesh në mirëmbajtje dhe infrastrukturë.
Sigurisht, duhet të ketë një përcaktim të qartë të përqindjes së pjesës publike në një parcelë. Zgjidhje do të ishte edhe vendosja e një çmimi tavan për shezlonet.
Janë disa investime që po bëhen në infrastrukturën e qytetit por edhe përreth në Sarandë siç është Bypassi. A mendoni se kjo e zgjidh problemin e përvitshëm me trafikun?
Këto investime mendoj se do t’i japin oksigjen qytetit dhe vetëm kështu do të shpëtojë nga trafiku, pasi jep një alternativë të dytë dhe do të ketë ritëm në lëvizje.
Si e prisni të jetë viti i ardhshëm për sektorin duke qenë se jemi thuajse në fund të 2025-s dhe pak a shumë është krijuar një ide mbi vijueshmërinë?
Mendoj që viti 2026 do të jetë njësoj si viti aktual si në tipologji turistësh, edhe në të ardhura.
Ndoshta mund të evoluojmë pak në shërbim, pasi pjesën më të madhe të stafit po e marrim nga jashtë dhe kjo do të na bëjë të mundur që të përmirësohemi disi, por duhet të vendoset theks te profesionistët e sektorit që janë pika kyçe.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.



