Karrigia futuriste Aiora, e zhvilluar nga shkencëtarë të Universitetit të Essex-it në bashkëpunim me kompaninë britanike të mobilieve DavidHugh LTD, premton një përvojë të pazakontë: futjen në një “gjendje të alteruar të mendjes” brenda pak minutash. Falë një parimi të ri të quajtur “pure planar motion mechanics”, kjo karrige krijon ndjesinë e qëndrimit në një hapësirë pa gravitet.

Që prej vitit 2018, psikologët kanë studiuar ndikimin e karriges Aiora në aktivitetin e trurit. Sipas Dr. Nick Cooper nga Qendra për Shkencën e Trurit, studimet kanë treguar modele të aktivitetit cerebral të ngjashme me ato të medituesve budistë, dhe kjo edhe tek persona pa asnjë përvojë paraprake meditimi. Këto ndryshime përfshijnë rritjen e valëve të ngadalta të trurit, veçanërisht në zonat frontale të djathta dhe korteksin frontal, që lidhen me përqendrimin dhe kontrollin njohës.

Karrigia funksionon duke minimizuar ndjesinë e gravitetit dhe fërkimit. Çdo pjesë e saj, mbështetësja e kokës, krahët, shpina dhe sedilja, lëvizin në mënyrë të pavarur në drejtime horizontale, ndërsa kushinetat shumë të buta lejojnë që edhe frymëmarrja të ndikojë në lëvizjen e trupit. Si rezultat, nuk ka presion në një pikë të vetme dhe personi ndjen sikur po “pluskon” në hapësirë.
Përdoruesit shpesh raportojnë ndjesi të hapësirës pa kufij, iluzione lëvizjeje dhe mungesë mendimesh, veçanërisht me sytë mbyllur. Studiuesit besojnë se kjo ndodh për shkak të reduktimit drastik të stimujve ndijorë, duke i lejuar trurit të fokusohet më shumë nga brenda.

Megjithatë, kjo përvojë ka një çmim të lartë: karrigia Aiora kushton nga £5,700 deri në £9,950, duke e bërë atë një luks të vërtetë teknologjik.



