Në një postim në rrjetin social Facebook, Deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, u shpreh se Shqipëria po përmbytet nga krimi ndërsa Ministria e Brendshme është e zënë me propagandë.
Balliu ngriti alarmin për përkeqësimin e gjendjes në vend, duke akuzuar Ministrinë e Brendshme dhe Policinë e Shtetit se janë kthyer nga garantë të rendit publik në bashkëpunëtorë të krimit. Ai vuri në dukje shqetësimin për praninë e lartë të qytetarëve të armatosur që qarkullojnë të lirë pa kontroll, duke e cilësuar këtë situatë të papranueshme për një vend anëtar të NATO-s.
Sipas tij, ky është edhe shkaku pse Ministria e Brendshme shmang me ngulm raportimin para Komisionit të Sigurisë, duke refuzuar të japë llogari për situatën alarmante në terren.
Postimi:
Ndërkohë që krimi po shkatërron Shqipërinë, Ministria e Brendshme merret me propagandë. Si pasojë, siguria në vend ka rënë ndjeshëm.
Prej kohësh, Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit janë kthyer nga garantë të rendit në bashkëpunëtorë të krimit.
Si është e mundur që në një shtet anëtar të NATO-s, kaq shumë qytetarë të armatosur qarkullojnë të lirë, pa asnjë kontroll nga institucionet e rendit?
Këto janë pikërisht arsyet pse Ministria e Brendshme i shmanget me ngulm thirrjes së Komisionit të Punëve të Brendshme dhe të Mbrojtjes, për të dhënë llogari mbi situatën alarmante të sigurisë publike në vend.



