Saturday, March 7, 2026
Google search engine
BallinaPolitikeSi i njoha Ramiz Alinë, Fatos Nanon dhe Sali Berishën

Si i njoha Ramiz Alinë, Fatos Nanon dhe Sali Berishën


Ish-ambasadori i parë i SHBA në Tiranë, Christopher Hill: Si i njoha Ramiz Alinë, Fatos Nanon dhe Sali Berishën

Me një karrierë të gjatë diplomatike në rajonin e Ballkanit, Christopher Hill, ambasadori i parë i SHBA-ve, më 1991, kur u rihap selia deiplomatike në Shqipëri, është një dëshmitar i drejtpërdrejtë i rrugëtimit të Shqipërisë, nisur nga pika zero e demokracisë deri te realiteti i sotëm 35 vite më vonë, ende me të njëjtat thirrje të Shqipërisë për në Europë.

Christopher Hill, ambasadori i parë i SHBA, më 1991

Në një rrëfim për “Exclusive” në Top Channel, Kristi Gongo, Hill shprehet se SHBA-ja nuk kishte asnjë lidhje me arrestimin e Fatos Nanos një vit pas zgjedhjeve të vitit ’92.

-Pas fitores së PD ne zgjedhjet e ’92, një vit me vonë, lideri i opozitës, Fatos Nano u burgos dhe ekziston një narrativë që kjo u bë me lejen e SHBA-së?

Hill: Jo, aspak. Mund të them me siguri sepse isha këtu deri në verën e vitit 1993, dhe ju tregoj personalisht se kjo është 100% gënjeshtër. E kam fjalën, unë isha këtu. Dhe kurrë nuk kam dëgjuar për një rast në Europë, sigurisht jo, por askund, që ambasadori amerikan të thotë: ‘oh, vendoseni në burg.’ Nuk kam dëgjuar kurrë diçka të tillë. Dhe e di që është njëfarë legjende këtu, por thjesht nuk e pranoj që ka ndodhur ndonjëherë.

-Pra ju nuk autorizuat arrestimin e Nanos?

Hill: Jo, jo, nuk ka asgjë të bëjë me ne. Sigurisht që jo. Edhe pse pas largimit tim nga Shqipëria nuk mund të them nëse dikush ishte i përfshirë, por dyshoj. Me të vërtetë dyshoj. Mendoj se ishte e përshtatshme për disa njerëz të thonin: ‘oh, ai është në burg për shkak të amerikanëve,’ por kjo është më shumë një deklaratë anti-amerikane sesa diçka tjetër.

-Ju e keni njohur Berishën nga afër që në ’91, si ju duket fakti që ai është në krye të PD dhe faktor në politikën shqiptare edhe pas 35 vitesh?

Hill: Eh, e jashtëzakonshme, por unë qëndroj larg politikës suaj të brendshme. Ishte krejt një botë ndryshe 35 vjet më parë. Por unë nuk jam dikush që mendon se duhet të jem aktiv duke u thënë njerëzve kë të vazhdojnë të mbështesin dhe kë të mos mbështesin. Nuk është puna ime. Është puna e tyre.”

-A ishte shpallja e tij non-grata një lobim i Soros apo besoni që ka pasur arsye të qenësishme për këtë vendim të administratës Biden?

Hill: Unë punoja në Universitetin e Denverit në atë kohë. Jo, isha në Columbia në fakt. Shiko, kam mendime personale për këtë se a janë këto lloj sanksionesh të dobishme apo jo. Si rregull i përgjithshëm, për mua, unë jam një person që nuk zgjedh sanksionet si mjetin e parë. Zgjedh dialogun, që do të thotë të përpiqesh të zgjidhësh gjërat, por nuk jam në pozicion të komentoj ndonjë deklaratë për sanksione. Mendoj se do të ishte një gabim për një ish-diplomat amerikan të vinte e të bënte shumë komente për këtë. Nuk mendoj se ndihmon askënd.

Kush ishin kontaktet tuaja të para në Shqipëri?

Hill: Epo, natyrisht, ne po merreshim me qeverinë dhe formuesit e qeverisë, ndaj një nga të parët ishte një zotëri që ka vdekur shumë vite më parë, Gramoz Pashko. Ai më ftoi në shtëpinë e tij, e pëlqente muzikën rock perëndimore, mbaj mend që më pyeti: ‘A të pëlqejnë Dire Straits?’ Dhe unë i thashë, ‘Të preferuarit e mi,’ kështu që fillova ta njoh, dhe u prezantova më tej edhe me personalitete të tjerë që po ndihmonin në drejtimin e qeverisë. Genc Ruli ishte një prej tyre si ministër i Financave. Pastaj, për shkak të pritjes së mrekullueshme që Sekretari i Shtetit, James Baker, mori në Sheshin Skënderbej, që ishte një ditë e jashtëzakonshme, mendoj se amerikanët u përfshinë plotësisht në detyrën e ndërtimit të marrëdhënies.

Çfarë përshtypje krijuat për Ramiz Alinë, Sali Berishën dhe Fatos Nanon?

Hill: Të gjithë ishin aty dhe ishin njerëz me të cilët unë kisha të bëja. Sigurisht, njerëzit të gjithë ishin të mirë me mua, përfshirë Ramiz Alinë. Ai ishte shumë i mirë. Zoti Bufi, i cili ishte përgjegjës për këtë qeveri tranzitore. Berisha ishte shumë pozitiv ndaj amerikanëve. Qartësisht, ai do të luante një rol të madh; nuk kisha asnjë ide se cili do të ishte pozicioni i tij, por do të ishte një faktor kryesor. Dhe Fatos Nano ishte interesant sepse vinte nga sistemi i vjetër, nga Partia e Punës, por pastaj po përpiqej të ishte edhe në sistemin e ri, kështu që kishte një këmbë në të dy sistemet. Mbaj mend që kishte pak skepticizëm për këtë, por duhet t’ju them, kur je një diplomat amerikan, thjesht përpiqesh të bësh gjërat të ndodhin dhe nuk je gati të thuash, ai është i mirë, ai është i keq. Thjesht përpiqesh të njohësh njerëzit.

A kishit ju një preferencë mes liderëve të PD-së të asaj kohe, Berishës, Pashkos apo Selamit?

Hill: Për mua me rëndësi të them se është shumë e vështirë të zgjedhësh qeverinë tënde. Është e pamundur të zgjedhësh qeverinë e dikujt tjetër. Dhe kam qëndruar larg këtij procesi gjatë gjithë karrierës sime. Dëshironim të qëndronim larg preferencave sepse ishte një fazë që e dinim se po vinte shumë shpejt, që kishte shumë kritika brenda vendit, dhe përpiqeshim të qëndronim larg asaj. Do të thoja, si koncept i përgjithshëm, ne mbështesnim që PD-ja të fitonte zgjedhjet në ’92. Socialistët ende nuk kishin pasur divorcin e tyre real nga Partia e Punës. Struktura ishte ende e mbivendosur. Njerëzit në Partinë Socialiste zakonisht kishin qenë pjesë e Partisë së Punës. Pra, do të thoja se shumica e përpjekjeve tona ishin përqendruar te partitë e reja, përfshirë Partinë Demokratike. Por sa i përket mënyrës se si vepronin, përpiqesha të shmangja të dukesha në një tubim publik sepse mendova se kjo ishte njëfarë ndërhyrjeje në punët e brendshme, dhe kjo ishte diçka që socialistët na akuzonin vazhdimisht. Por përpiqeshim të ishim të kujdesshëm që të mos projektonim këtë imazh. Dëshironim të shihnim Shqipërinë të bashkohej me vendet demokratike, të shihnim demokracinë të mbizotëronte. Natyrisht, kjo ishte shumë e rëndësishme për ne. Por sa i përket përfshirjes në përzgjedhje duke thënë, ai është më i mirë se ai tjetri, le ta bëjmë atë… Kjo nuk ishte puna ime. Dhe kur më pyesnin për këtë, nuk kisha problem të jepja opinionin tim, por nuk do të thoja, zgjidhni këtë dhe mos zgjidhni atë. Kjo është shumë e rrezikshme, sepse, e dini, gjithmonë gabon kur bën gjëra të tilla.

-Në dijeninë tuaj, çfarë roli kishte Amerika në rrëzimin e regjimit komunist në Shqipëri?

Hill: Epo, mendoj se populli shqiptar luajti rolin në rënien e komunistëve, por është shumë më e lehtë kur je në tranzicion të dish ku po shkon. Dhe mendoj se të kesh një ambasadë amerikane që po hapej, të shohësh flamurin amerikan lart, të shohësh diplomatët amerikanë aktivë… njerëzit kuptuan më mirë se po shkëputeshin nga një sistem për të hyrë në një tjetër. Pra, mendoj se ishte një proces i suksesshëm. Nëse do të shihnin vetëm fundin e një sistemi dhe nuk do të dinin se cili do të ishte sistemi i ri, do të kishte qenë një proces shumë më i vështirë. Pra, mendoj se kishte vlerë ku u kuptua që jo vetëm populli shqiptar i donte amerikanët, por për më tepër, ajo që amerikanët panë nga populli shqiptar, ne i duam ata gjithashtu.

-Pra ju nuk besoni se lëvizja studentore e Dhjetorit ’90 ishte e nxitur nga Perëndimi?

Hill: Jo, mendoj se ishte autentike. Mendoj se u nxit kryesisht nga studentët që donin të kishin një jetë më të mirë. E dini, llojet e tilla të revolucionit, nëse përpiqesh t’i nxitësh nga jashtë, nuk funksionojnë. Por nëse lindin vetë, dhe kjo padyshim është e vërteta, për Azem Hajdarin dhe gjithë ata njerëz në lëvizjen studentore, ishte diçka që shqiptarët e bënë vetë. Dhe, e dini, duhet të jeni të kujdesshëm me idenë se Ambasada Amerikane mund të vijë dhe pastaj të destabilizojë situatën. Thjesht nuk funksionon kështu. Nuk funksionon kështu.

-Sa ndikuan amerikanët në fitoren e Partisë Demokratike në zgjedhjet e marsit 1992?

Hill: E dini, kishte dy procese zgjedhore. Një ishte në mars ’91 dhe pastaj një tjetër në ’92, mars ’92, dhe kjo ishte vendimtare. Dhe sa rol luajti Ambasada Amerikane në këtë? Nuk mendoj se luajtëm shumë rol. Kishte disa OJQ amerikane, përfshirë Institutin Kombëtar Demokratik dhe Institutin Republikan, dhe ato po jepnin ndihmë. Instituti Ndërkombëtar Republikan po siguronte disa automjete për partitë politike, dhe këto automjete duket se shkuan kryesisht te Partia Demokratike, jo te Partia Socialiste. Dhe kështu, ndoshta ishte e dobishme të kishin disa automjete, në mënyrë që politikanë si Eduard Selami, i cili ishte shumë aktiv në atë kohë, një mik i mirë atëherë, mendoj se ishte Selami që sugjeroi që të bëhej kjo pritje e madhe për sekretarin Baker në Sheshin Skënderbej. Pra, bëmë gjëra së bashku, por e dini, kjo ishte krejt për popullin shqiptar. Po përpiqeshim të siguronim shqiptarët se ne do të jemi këtu për qëndrueshmëri, jo vetëm për të ngritur një ambasadë të përkohshme. Filluam të ofronim ndihmë për njerëzit që, për shembull, ishin përjashtuar nga shtëpitë e tyre nga sistemi komunist, dhe ndihmuam me arsim dhe trajnim. Dhamë asistencë përmes Agjencisë sonë për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), dhe gjithashtu, mendoj se shumë e rëndësishme, kishim një lloj kontakti me qeverinë. Mbaj mend që flisja me Ylli Bufin dhe i shpjegoja atij se si një amerikan në Shqipëri, gjëja më me vlerë që mund të bëja për të, ishte t’i shpjegoja se si njerëzit në Uashington po i shohin gjërat, çfarë ishte e rëndësishme për ta dhe çfarë jo, gjëra të tilla. Mendoj se i dhamë disa këshilla të mira njerëzve. Më pëlqen të mendoj që po e bëmë.



Burimi Shekulli.com.al

Artikuj te ngjashem
- Advertisment -
Google search engine

Me Te Klikuarat