Deputeti republikan, Fatmir Mediu, tha sot në Kuvend se dhjetë vite më parë u synua drejtësi e pavarur dhe reformim i saj, por aktualisht kemi një republikë dhe korporatë prokurorësh dhe gjyqësor që merr vendime politike.
Teksa iu referua raporteve ndërkombëtare si OSBE/ODIHR dhe DASH, ligjvënësi opozitar vuri n dukje se jo vetëm zgjedhjet ishin farsë, por edhe krimi i organizuar bashkëpunon me pushtetin.
“Raporti i ODIHR konkludoi se kemi parti shtet. Zgjedhjet u manipuluan dhe ishte farsë. Raporti i DASH thotë se Shqipëria ka krim të organizuar dhe korrupsion që bashkëpunon me pushtetin. Mbrojtjen time kam zgjedhur ta bëj në gjykatë”, tha Mediu.
Deputeti nënvizoi se tani pas reformës në drejtësi nuk kemi më drejtësi të pavarur, por të kontrolluar, pasi ata vetë i lanë dorë të lirë magjistratëve dhe pa kontroll.
“Me reformën në drejtësi kërkuam drejtësi të pavarur, por në fakt kemi një korporatë gjyqtarësh dhe prokurorësh. I lamë dorë të lirë të bënte çfarë të donte pushtetin. Kemi 150 mijë dosje stok. 10 vjet pas reformës në drejtësisë, kemi një produkt, sistemi i drejtësisë është jashtë kontrollit dhe llogaridhënies kushtetuese. Tani është e provuar se prokuroria thotë 2+2 bëjnë 5 dhe Gjykata vendos në favor të prokurorisë, njerëzit janë kthyer në numra dhe gjithçka është statistikë në drejtësi. Kemi sistem gjyqësor të përdorur politikisht, kemi republikë të prokurorëve. Tani ka mbetur që t’i japim Prokurorisë edhe detyrën e gjyqtarit”, u shpreh Mediu.
Madje ai shtoi se tani edhe Prokuroria e Përgjithshme është pa kompetenca dhe është kthyer thjesht një institucion që administron, teksa ka precedentë të rëndë në drejtësi, si rasti i arrestimit të avokatit në Elbasan.
“Më vjen keq që Prokuroria e Përgjithshme është kthyer në institucion vetëm si administratore, pa kompetencë. Avokati edhe arrestohet kur kundërshton prokurorin dhe kërkon zbatimin e ligjit. Republika Kushtetuese dhe Republika e Prokurorëve nuk mund të bashkëjetojnë me njëra-tjetrën”, tha ai.
Gjithashtu prezumimi i pafajësisë ishte një problematikë që ligjvënësi trajtoi në fjalën e tij, ku gjyqi bëhet në media dhe rrjete sociale dhe magjistratët abuzojnë me pavarësinë e drejtësisë.
“Prezumimi i pafajësisë është zëvendësuar me gjyqe publike në rrjete sociale e media. Çdo ditë opinioni ushqehet me faktin se kush hyn e doli nga SPAK dhe kaq mjafton të caktohet se kush është fajtori. Gjendet armiku i radhës, gjykohet, akuzohet, procedohet, vetëm me një kusht të vetëm, që sundimtari të mos preket, mos hetohet e mos gjykohet”, u shpreh ai mes të tjerash në fjalën e tij.



