SpaceX, kompania hapësinore e Elon Musk, ka aplikuar pranë Komisionit Federal të Komunikimeve në SHBA (FCC) për të lëshuar deri në një milion satelitë në orbitën e Tokës, me qëllim furnizimin e fuqisë kompjuterike të nevojshme për inteligjencën artificiale. Sipas aplikimit, këta satelitë do të shërbenin si “qendra të dhënash orbitale”, të cilat SpaceX i konsideron si mënyrën më kosto-efikase dhe më të qëndrueshme energjetikisht për të përballuar kërkesën gjithnjë në rritje për përpunim AI.
Tradicionalisht, qendrat e të dhënave janë magazina gjigante të mbushura me serverë të fuqishëm, që kërkojnë sasi enorme energjie dhe ujë për ftohje. SpaceX argumenton se përhapja e shpejtë e AI-së po e tejkalon tashmë kapacitetin tokësor ekzistues. Rrjeti i ri orbital, sipas kompanisë, do të ishte në gjendje të ofronte kapacitet kompjuterik për “miliarda përdorues në mbarë botën”.
Plani do të rriste ndjeshëm numrin e satelitëve të SpaceX në orbitë. Aktualisht, rrjeti Starlink përfshin afro 10 mijë satelitë dhe ka qenë subjekt kritikash për mbingarkesë të hapësirës, akuza që Musk i ka mohuar vazhdimisht. Satelitët e rinj do të furnizohen me energji diellore dhe do të operojnë në orbitë të ulët, në lartësi nga 500 deri në 2,000 kilometra, ngjashëm me Starlink.
SpaceX e paraqet projektin edhe si një hap drejt një vizioni më ambicioz: shndërrimin e njerëzimit në një “qytetërim të nivelit Kardashev II”, i aftë të shfrytëzojë plotësisht energjinë e Diellit. Musk ka deklaruar se satelitët do të jenë aq të shpërndarë, sa do të jetë e vështirë të shihen nga njëri-tjetri, duke theksuar pafundësinë e hapësirës.
Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se dërgimi i pajisjeve në orbitë mbetet shumë i kushtueshëm dhe teknikisht kompleks. Rritja e mbeturinave hapësinore dhe rreziku i përplasjeve mes objekteve orbitale mund të dëmtojnë infrastrukturën ose të shkaktojnë pasoja për Tokën. Astronomët gjithashtu kanë shprehur shqetësime se sinjalet e satelitëve Starlink po pengojnë vëzhgimet shkencore, kritika që Musk i ka hedhur poshtë.



