Saturday, March 7, 2026
Google search engine
BallinaEkonomiSubvencioni 10% për fermerët, i mirëpritur në parim, por me defekte që...

Subvencioni 10% për fermerët, i mirëpritur në parim, por me defekte që krijojnë pabarazi


Nga Eduart Sharka*, Kontabël i Miratuar

Si mbështetës i vazhdueshëm i politikave të subvencionimit të drejtpërdrejtë për fermerët, e konsideroj një lajm të mirë edhe pse shumë të vonuar vendimin e qeverisë për të kompensuar fermerët me 10% të vlerës së produkteve të shitura. Ky është një ndryshim i rëndësishëm në qasjen e deritanishme të politikave bujqësore dhe, në parim, një masë e mirëpritur për fermerët.

Por, megjithëse përmbajtja sociale e kësaj mase është pozitive, forma ligjore e zgjedhur është e gabuar. Kompensimi 10% duhet të ishte shpallur si subvencion direkt, i lidhur me faturat tatimore të shitjes, pikërisht siç e kemi kërkuar prej vitesh. Një masë e tillë duhet miratuar me vendim qeverie, jo duke e vendosur brenda ligjit të TVSH-së, i cili është një ligj teknik që funksionon vetëm nëse ruan neutralitetin dhe proporcionalitetin.

Futja e subvencionit në ligjin e TVSH-së krijon konfuzion, deformime dhe trajtime të pabarabarta.

Problemi thelbësor: qeveria ndërhyn te TVSH-ja në vendin e gabuar

Ligji i TVSH-së nuk duhet të trajtojë asnjë instrument social. Ai duhet të rregullojë vetëm mekanizmin e vjeljes së tatimit mbi vlerën e shtuar. Përdoret për politika sociale vetëm duke ulur shkallën e TVSH-së në shitje për produktet bujqesose nga 20% ne 6-12%,  nivel ku vërtiten vëndet e BE.

Ndërhyrja e vetme që duhej bërë në këtë ligj, në nenet që normojnë transaksionet e produkteve bujqësore është projektligji i dorëzuar nga Sindikata e Fermerëve të Bashkuar, i cili korrigjon një padrejtësi fiskale të thellë: mosnjohjen e TVSH-së së zbritshme për grumbulluesit, të cilët sot paguajnë TVSH jo mbi vlerën e tyre të shtuar, por mbi gjithë çmimin final edhe mbi vlerën e shtuar të fermerit.Fermrët kërkojnë që blerësit formalë të njohin si TVSH të zbritshme atë TVSH që do duhej të paguante fermeri, por që nuk e paguan për arsye sociale (diskriminim pozitiv). Kjo është praktikë normale europiane dhe teknikisht e paanshme. Vetëm kjo ndërhyrje vendos sistemin e TVSH-së në binarët e duhur.

Çfarë ndodh me projektligjin e qeverisë?

Projektligji aktual i qeverisë:

  • nuk trajton defektin real të sistemit të TVSH-së,
  • fut një subvencion brenda një ligji teknik,
  • krijon shtrembërimin ku TVSH që i falet fermerit i merret grumbulluesit,
  • dëmton konkurrencën,
  • rrit çmimin për konsumatorin final,
  • dhe penalizon blerësit formalë që duam t’i mbajmë në sistem, jo t’i shtyjmë drejt informalitetit.

TVSH e fshehur në bujqësi: Miopia fiskale që po shtrembëron tregun

Zyrtarë të Ministrisë së Financave deklarojnë shpesh se “fermerët që nuk janë subjekte të TVSH-së nuk ngarkojnë TVSH në çmimin e shitjes, prandaj grumbulluesi nuk ka çfarë të kreditojë”. Në dukje, kjo tingëllon logjike. Por në praktikë, është një miopi fiskale dhe një keqkuptim bazik i funksionimit të TVSH-së.

Ky lloj arsyetimi mund të ishte i vërtetë vetëm nëse fermeri do të shiste gjithmonë nën kosto,. Por realiteti ekonomik nuk funksionon kështu. Në çdo treg normal, përfshirë tregun bujqësor, fermeri krijon vlerë të shtuar, dhe kjo vlerë e shtuar shitet tek grumbulluesi.

TVSH e fshehur nuk zhduket vetëm sepse fermeri nuk lëshon faturë të TVSH-së

Edhe nëse fermeri nuk është subjekt i TVSH-së, ai ka në çmimin e tij:

  • TVSH të paguar për imputet (plehra, fara, karburant, shërbime),
  • vlerën e shtuar nga puna, toka dhe kapitali,
  • dhe fitimin që është pjesë e çmimit të tregut.

Kjo do të thotë se grumbulluesi blen një produkt që përmban vlerë të shtuar, edhe nëse shteti zgjedh të mos e tatojë atë vlerë të shtuar në nivel ferme, për arsye sociale.

Kjo nuk e zhduk TVSH-në e fshehur. Vetëm e zhvendos, e kaskadon.

Kush e paguan atë?
Hallka tjetër e zinxhirit.

Dhe këtu qëndron padrejtësia fiskale:
Shteti i fal TVSH-në fermerit, por ia merr grumbulluesit dhe fabrikës — duke e shndërruar favorin për fermerin në diskriminim fiskal ndaj hallkave pasuese.

Nuk ka neutralitet të TVSH-së kur taksa paguhet mbi një çmim që përfshin TVSH të mëparshme

Argumenti se “grumbulluesi nuk ka çfarë të kreditojë, sepse fermeri nuk ka llogaritur TVSH” është teknikisht i gabuar.

Shembulli ilustrues: Si prishet zinxhiri i TVSH-së me autofaturë nga fermeri (kaskadimi i TVSH-së)

1️ Fermeri (jo subjekt i TVSH-së)

  • Kosto e imputeve: 25 lekë
  • TVSH në këto impute: 5 lekë (paguar nga fermeri → shkon te shteti)
  • Vlera e shtuar nga punë, toka dhe kapitali: 10 lekë
  • Çmimi i shitjes: 40 lekë

Fermeri nuk llogarit TVSH, por ka paguar 5 lekë TVSH të fshehur në kosto, që tashmë i ka marrë shteti.

2️ Grumbulluesi blen me autofaturë (blerje e përjashtuar)

  • Paguan 40 lekë
  • Nuk kreditohet asnjë TVSH, edhe pse në çmim ka TVSH të paguar nga fermeri

3️ Grumbulluesi shet me TVSH

  • Shet me 50 lekë
  • TVSH 20% = 10 lekë → shkon te shteti

 Sa TVSH merr realisht shteti nga ky 1 kg domate?

  • TVSH nga fermeri (impute): 5 lekë
  • TVSH nga grumbulluesi: 10 lekë
    TOTAL: 15 lekë, pra një normë efektive 30%, jo 20%.

Efekti në konkurrencë dhe çmimin final:

  • Për të siguruar fitimin e vet prej 10 lekësh, grumbulluesi është i detyruar të rrisë çmimin final nga 50 lekë → 60 lekë.
  • Kjo vendos grumbulluesin në pozicion jo të drejtë konkurrues: ata që blejnë nga importi ose tregtarët jo-subjekte TVSH mund të ofrojnë çmime më të ulëta.
  • Rezultati: deformim i tregut lokal, humbje e konkurrencës për prodhuesit dhe grumbulluesit shqiptarë, dhe çmim më i lartë për konsumatorin.

Si përfundim:

  • TVSH paguhet dy herë për të njëjtën vlerë → shkel neutralitetin dhe proporcionalitetin
  • Grumbulluesi paguan TVSH edhe për vlerën e shtuar të fermerit, jo vetëm për të vetën
  • Konsumatori paguan më shumë
  • Shteti “fal” TVSH-në te fermeri në letër, por e merr dyfish te hallkat pasuese

Krahasimi me BE dhe pse modeli nuk mund të kopjohet verbërisht

  1. Skema e BE-së
  • Inputet bujqësore kanë TVSH të lartë (19–24%), produktet bujqësore shiten me TVSH të ulët (4–10%)
  • Fermeri europian pothuajse gjithmonë del kreditor i TVSH-së, shteti rimburson vazhdimisht
  • Skema flat-rate (4–6%) është një mjet thjeshtimi, jo politikë kompensimi sociale
  • Skema zbatohet për një grup shumë të vogël fermerësh (xhiro 5–15 mijë euro), që përbëjnë një pjesë të papërfillshme të prodhimit total.
  1. Në Shqipëri
  • Fermerët në skemë kanë xhiro deri në 100 mijë euro dhe japin gati 90% të prodhimit bujqësor kombëtar
  • Shesin pothuajse të gjithë prodhimin në rrjetin tregtar
  • Kjo bën që kompensimi të dëmtojë hallkën e dytë, të rrisë kostot, të shtrembërojë çmimet dhe të ulë konkurrueshmërinë e eksportit
  1. Dallimi i negociimit të çmimeve
  • BE: çmimet llogariten ex VAT, TVSH jashtë çmimit të negociuar
  • Shqipëri: çdo çmim produkti përfshin TVSH të fshehur nga inputet → blerësi formal nuk mund të shmangë TVSH mbi vlerën e shtuar të fermerit
  1. Kaskadimi i TVSH-së
  • BE nuk penalizon hallkën tjetër të zinxhirit kur favorizon fermerin
  • Shqipëri: fermeri merr 10% subvencion, por grumbulluesi nuk njeh asnjë TVSH të zbritshme
  • Rezultati: neutraliteti prishet, kostoja transferohet te konsumatori, favorizohen importet dhe informaliteti
  1. Parimi i shenjtë i TVSH-së
  • TVSH duhet të bjerë vetëm mbi vlerën e shtuar
  • Në Shqipëri, blerësi formal paguan mbi vlerën e shtuar të tij, të fermerit dhe të inputeve me TVSH të fshehur → një tatim mbi qarkullimin, jo mbi vlerë të shtuar

Përfundim: Subvencioni është i drejtë, forma është gabim

  • Subvencioni 10% është i mirëpritur dhe i kërkuar
  • Refuzojmë vendosjen e tij në ligjin e TVSH-së sepse:
    • subvencionet janë instrument politik-social
    • TVSH është instrument teknik-fiskal
    • përzierja e tyre krijon deformime në zinxhirin ekonomik

Forma e drejtë: subvencion 10% me vendim qeverie mbi bazën e faturës së shitjes nga fermeri
Forma e gabuar: ta maskosh si TVSH dhe ta ngarkosh zinxhirin formal me kosto të padrejta

Difekte të tjera të projektligjit

  • Fond i pamjaftueshëm: vetëm 15 milion euro në buxhet, ndërkohë që vetëm produktet për eksport lënë mbi 150 milion euro. Shumica e prodhuesve që shesin për tregun e brendshëm nuk përfitojnë.
  • Pabarazi midis fermerëve:
    1. Përjashton ata që shesin tek blerës jo-subjekte TVSH
    2. Fermerët me të njëjtën kosto marrin kompensime të ndryshme sipas çmimit te shitjes që është shumë fluid dhe ndryshon nga java në javë.
    3. Fermerët që hyjnë në TVSH nuk përfitojnë kompensim dhe paguajnë 20% TVSH
  • Kur çmimi është nën koston e produktit: kompensimi 10% mund të jetë më i ulët se TVSH e paguar në blerjen e inputeve. Për shembull, fermeri pagoi 5 lekë/kg për inpute, kompensohet vetëm 4 lekë/kg.

*Drejtues i Sektorit të Politikave Agrare në Departamentin e Bujqësisë pranë PD
(Mbrojtës i konsoliduar i subvencioneve direkte për fermerët)

The post Subvencioni 10% për fermerët, i mirëpritur në parim, por me defekte që krijojnë pabarazi appeared first on Revista Monitor.



Source link

Artikuj te ngjashem
- Advertisment -
Google search engine

Me Te Klikuarat