Friday, March 6, 2026
Google search engine
BallinaEkonomiTenderi 2.3 mln euro për kanalizimet tek Transballkanikja, KPP kërkon modifikim të...

Tenderi 2.3 mln euro për kanalizimet tek Transballkanikja, KPP kërkon modifikim të dokumenteve


Komisioni i Prokurimit Publik kërkoi modifikim të dokumenteve të tenderit për një procedurë me vlerë 2.3 milionë euro që ka si objekt kontrate “KUB Vlorë (Kanalizimet e Ujërave të Bardha) Rindërtimi, ridimensionimi dhe rehabilitimi i kolektorëve kryesorë përgjatë rrugës Transballkanike, sipas loteve: nga rruga e Skelës deri te rruga Hasan Kushta (Albano dhe Romina), rruga Odise Grillo”.

Referuar vendimit të KPP, kjo kërkesë vjen pas një ankese të bërë nga një operator.

Ky i fundit kishte kërkuar një seri ndryshimesh te dokumentet e procedurës, të lidhura me aspekte si aftësitë teknike dhe profesionale. Në një listë të gjatë me pika të pretenduara për ndryshim, duket se edhe vetë Komisioni ka gjykuar për një sërë prej tyre se ka vend për rishikim. Të tilla janë argumentimi i klasifikimit të kategorisë së licencave apo klasifikimi i kategorive të punimeve.

Projekti i ndërhyrjes

Bashkia Vlorë, që është edhe ajo që planifikon ndërhyrjen në këtë rast, nënvizon se përmes kontratës në fjalë synon të shmangë përmbytjet që po bëhen gjithmonë e më të zakonshme në këtë zonë.

“Bazuar në investigimet në terren, matjet dhe studimin topografik, si dhe gjendjet e përmbytjeve që po bëhen të zakonshme në zonën objekt i këtij projekti, arritëm në konkluzionin që gjendja aktuale fizike e sistemit të KUB është plotësisht e amortizuar, me bllokime të pjesshme dhe të plota nga mbushjet me aluvione dhe mbeturina të qytetit. Kapacitetet transportuese të prurjeve janë të reduktuara për shkak të bllokimit të seksioneve. Ujërat nëntokësore, niveli i të cilave në Vlorë është i lartë, depërton lehtë në linjat e KUB duke i kthyer ato në tubacione drenazhimi, më tepër sesa në funksionin e tyre të projektimit”, thuhet në raportin teknik.

Sipas dokumenteve, projektimi i sistemit të KUB duhet të bëhet për të gjithë basenet ujëmbledhëse të zonës së qytetit të Vlorës dhe më pas të përcaktohen prioritetet e zbatimit, duke filluar nga pjesa fundore e tij.

“Nga gjithë sistemi i KUB të Vlorës, për pjesën qendrore të qytetit që shkarkon në kanalin e fushës që të çon në Hidrovor, ajo që nuk ndryshon dhe duhet respektuar është kuota e fundit të kanalit të fushës. Pra, i gjithë sistemi i ri i KUB për zonën qendrore të Vlorës duhet të shkarkojë në një pikë dhe në një kuotë fikse absolute, që është -2.93 m (kuota e fundit të kanalit të fushës). Për të zvogëluar lartësinë e seksioneve transportuese të linjave, për dimensione më të mëdha se 1.5 m do të përdoren seksione drejtkëndëshe. Përdorimi i tubacioneve me seksion rrethor do të kërkonte një lartësi më të madhe për të njëjtën aftësi përcjellëse të linjave. Në projektin e ri do të përdoren kushte dhe standarde të kohës, përfshirë ato ndërkombëtare”, thuhet në raport.

The post Tenderi 2.3 mln euro për kanalizimet tek Transballkanikja, KPP kërkon modifikim të dokumenteve appeared first on Revista Monitor.



Source link

Artikuj te ngjashem
- Advertisment -
Google search engine

Me Te Klikuarat