Saturday, March 7, 2026
Google search engine
BallinaPolitikeThellohet përplasja në selinë blu, Berisha shton sulmet ndaj grupit armiqësor, i...

Thellohet përplasja në selinë blu, Berisha shton sulmet ndaj grupit armiqësor, i përgjigjen ashpër Salianji dhe… – Sot News


Lëvizja e Salianjit duket se ka trazuar ujërat brenda Partisë Demokratike dhe e ka çuar përplasjen në një tjetër nivel. Këtë mes jave Ervin Salianji dhe Ilir Alimehmeti, zhvilluan një me strukturat dhe anëtarët e PD në Durrës. Por kjo lëvizje duket se nuk i ka pëlqyer kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha, i cili e akuzoi Salianjin për një “axhendë personale dhe private”, ndërsa hodhi akuza dhe për pjesëmarrësit e tjerë në takimin e Durrësit. “Aty ishin një grup të pakënaqurish. Kishte të tjerë që punuan për PS dhe kanë frikë se do t’u dalë,” tha Berisha për gazetarët. Ai paralajmëroi se do të kishte “llogaridhënie” para strukturave për ata që sipas tij nuk kanë punuar për fushatën e PD-së.

“Agjenda private, disa prej tyre që njoha sepse pashë individë që ia kanë mbathur në fushatë për turizëm…”, shtoi më tej ai. Po ashtu, Sali Berisha nga Mirditë ku nisi turin e foltoreve, nuk kurseu sulmet ndaj ish-deputetit. Pa përmendur emrin drejtpërdrejt, Berisha ka kritikuar qartë çdo përpjekje për të vendosur rrugë alternative jashtë strukturave të partisë, duke e cilësuar të papranueshme anashkalimin e forumeve të zgjedhura. Sipas tij, PD është në prag të një procesi të plotë zgjedhor që do të përfshijë të gjitha nivelet e organizimit, nga kryetari i partisë deri te strukturat në bazë. Vendimet dhe drejtimi i partisë, sipas Berishës, i takojnë anëtarësisë përmes votës së lirë dhe jo grupeve të vogla që veprojnë jashtë sistemit statutor. Ai e ka konsideruar si sjellje të papërgjegjshme daljen nga forumet e partisë në një moment kur kjo ndodhet në një betejë kritike me qeverinë.

Berisha ka shprehur pakënaqësi për përpjekjet për të tërhequr vëmendjen publike me deklarata të bujshme në media, duke lënë pas dore debatin dhe përgjegjësinë në organet vendimmarrëse. Sipas tij, nismat personale të shfaqura në kohë krizash të forta politike nuk ndihmojnë, por vetëm dëmtojnë besimin dhe kohezionin e brendshëm. “Po pse del anash ti? Ja ku janë, ja ku je. Është anëtar kryesie. Ka, çdo mbledhje ka patur të drejtë dhe do ketë të drejtë të thotë ç’të dojë. Po ti kur s’flet në Kryesi, s’flet atje ku është i ngarkuar dhe shkon dhe merr njerëz të pakënaqur. Shoh njërin aty, më çon mesazh një demokrat. Doktor thotë, a e pe Shuaipin aty? Shuaipin thotë, e ka çuar me detyrim Fred Xhaferi. Po ku është Fred Xhaferi sot? Fred Xhaferi është këshilltar i Bajramit. Po. Tani, me këto do merremi, s’merremi me këto ne. Ne merremi, çfarë ke zotëri?

Je anëtar i partisë, je i lirë, ke të drejtë të shprehësh çdo mendim. Ama, në kulmin e, në kulmin e krizës së dyshes Rama-Balluku, të mbushësh studiot me këtë lajm, u ke borxh demokratëve pastaj. Ke borxh. Ne flasim, ne jemi parti e hapur, s’pengojmë njeri me fol. Çfarë të dojë, të thojë, të bëjë, të votojnë, të veprojë. A, pastaj me takime private nuk zgjidhen këto. Jo. Ne jemi parti e forumeve. Jemi parti, nuk jemi lëvizje, nuk jemi aktivistë. Jemi një parti politike”, nënvizoi Berisha.

Reagon Salianji

Por i menjëhershëm ishte reagimi i Ervin Salianjit, i cili i është përgjigjur kryedemokratit SaliBerisha në lidhje me komentet e bëra për takimet e tij me demokratët. Teksa Berisha i cilëson takimet e Salianjit si jashtë strukturës së PD, ish-deputeti theksoi se takimi në Durrës ishte me strukturat degës së PD në Durrës dhe kontribuues ndër vite për selinë blu. “Takimi në Durrës ka qenë me strukturat e PD. Kryetarët e fundit të zgjedhur me votë.  Ishin strukturat e degës dhe 80% e anëtarëve të grupseksioneve. Në kemi problem me fituesit, këta që fitojnë i shmangim, Ata kanë sakrifikuar duke mos marrë asgjë nga PD.

PD duhet ë riformatohet duke vlerësuar ata që kanë kontribut”, tha Salianji në një studio televizive. Nga ana tjetër, Salianji e ka bërë të qartë pakënaqësitë e tij ndaj kryedemokratit Sali Berisha dhe mënyrës se si funksionon partia. Salianjitheksoi se qëllimi i tij është të mundë qeverinë e Edi Ramës dhe të ndihmojë PD-në të rifitojë lidhjen me bazën e saj. Sipas tij problemi kryesor lidhet me vendimmarrjen dhe mungesën e përfshirjes së anëtarësisë. Ish-deputeti kritikoi mënyrën se si PD po i trajton fitoret e zgjedhjeve dhe përbërjen e listave të kandidatëve. Ai tha se pavarësisht humbjes së thellë, PD ka fituar disa bashki pas shumë vitesh dhe ka arritur të promovojë kandidatë të rinj e me vlera, por nuk po analizon këto suksese në mënyrë të drejtë, duke mos nxjerrë mësime për zgjedhjet e ardhshme.

Reagimi i Alimehmetit

Ndërkohë anëtari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Ilir Alimehmeti teksa foli mbi lëvizjen e re politike që po ndërmarrin disa figura të PD-së, e cila nga disa brenda selisë blu është interpretuar si “foltorja paralele”, thumboi Berishën. Z. Alimehmeti sqaroi se iniciativa nuk është tentativë për fraksion apo lëvizje kundër kryetarit të PD-së, por një përpjekje për të energjizuar një pjesë të demokratëve që, sipas tij, nuk ndihen të përfaqësuar. “Absolutisht nuk mbështes përçarjen. E di shumë mirë se ku ka shkuar PD-ja. Në prill të vitit 2022 kam qenë pjesë e Rithemelimit të drejtuar nga z. Berisha, që atëherë prodhoi frymë të re, hapje dhe meritokraci, gjë që çoi te protesta e 7 korrikut. Por rrugës pati situata kur ato premtime nuk u realizuan mjaftueshëm”, u shpreh ai në një intervistë për mediat.

Alimehmeti theksoi se mungesa e meritokracisë ka krijuar ftohje te demokratët dhe se është e domosdoshme “ringjallja” e strukturave. Ai shtoi se momenti aktual lidhet me përfundimin e proceseve zgjedhore dhe publikimin e raportit të OSBE/ODIHR, i cili, sipas tij, foli qartë për garë të pabarabartë dhe fenomenin e asaj që ai e cilësoi si “parti-shtet”. “Pse në këtë moment? Sepse pas 11 majit, ne u morëm gjithë kohës me pjesën e garës elektorale deri sa doli raporti i OSBE/ODIHR. Që foli shumë qartë për garë të pabarabartë dhe partinë shtet që ne kishim përballë. Më pas kishim dhe një fushatë të vogël të pjesshme, Tirana nuk u bë dot, por ishin 5 bashki të tjera fushatë deri në nëntor. Prisnim protesta të fuqishme për situatën Balluku.

Nga ky aspekt priteshin reagime më të forta”, tha ai. Duke folur për qëndrimin e tij brenda PD-së, ai nënvizoi se nuk kanë marrë autorizim zyrtar nga Këshilli Kombëtar, por ndihen të detyruar të reagojnë. “Nuk kemi marrë autorizim zyrtar nga Këshilli Kombëtar i PD. Ne shohim problematikën dhe s’mund të rrimë pa bërë gjë. Jam brenda PD dhe punoj për PD në mënyrën si unë e mendoj më të qartë. Unë shoh që linja zyrtare nuk funksionon”, shtoi ai. Alimehmeti konfirmoi se është në komunikim të vazhdueshëm me kryedemokratin Sali Berisha dhe kujtoi se e ka votuar atë dy herë për lidershipin e PD-së. Sipas tij, ndërhyrja është e domosdoshme për shkak të sfidave të thella që ka sjellë opozitarizmi i gjatë. “T’i themi disa të vërtetë. Ne jemi në vitin e 13-të të opozitës. Demokratët që vazhdojnë qëndrojnë në struktura janë për tu ngritur në monument. Nuk janë strukturat aq të detajuara në çdo nivel sa mendohet nga jashtë. 13 vite opozita nuk janë pak, krijohen vështirësi, vakume, kalon dhe mosha.

Ne e dimë dhe emigrimin masiv sa ka ndikuar”, theksoi Alimehmeti. Ai theksoi se PD duhet të dalë te njerëzit dhe të kërkojë anëtarë të rinj, duke mos u mjaftuar vetëm me strukturat aktuale, të cilat janë dobësuar edhe nga emigracioni masiv.Pyetur nëse e konsideron veten pjesë të bërthamës së PD-së, Alimehmeti u shpreh: “Jam në periferi. Jam anëtar i Këshillit Kombëtar, i cili nuk është mbledhur prej nëntë muajsh. Nuk jam i angazhuar në këtë drejtim, prandaj kërkojmë të zbatohet kriteri i meritokracisë siç ishte premtuar.”, tha Alimehmeti.



Burimi sot.com.al

Artikuj te ngjashem
- Advertisment -
Google search engine

Me Te Klikuarat