Friday, March 6, 2026
Google search engine
BallinaPolitikeUdhëheqësi artistik i Shqipërisë, Edi Rama mahnit galerinë me vizatimet e tij

Udhëheqësi artistik i Shqipërisë, Edi Rama mahnit galerinë me vizatimet e tij


“The Times” i kushton artikull kryeministrit shqiptar: Udhëheqësi artistik i Shqipërisë, Edi Rama mahnit galerinë me vizatimet e tij

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, po tërheq vëmendje ndërkombëtare jo vetëm si lider politik, por edhe si artist. “The Times” i ka kushtuar një artikull të zgjeruar kreut të qeverisë shqiptare, duke theksuar se puna e tij artistike është tashmë pjesë e galerisë prestigjioze Société në Berlin, e cila ka nënshkruar kontratë me të për përfaqësim në disa prej ngjarjeve më të mëdha të artit bashkëkohor në botë.

Rama, i cili është kryeministri më jetëgjatë në historinë e Shqipërisë, ka ndërtuar ndër vite një profil të veçantë përtej politikës i njohur për gjatësinë e tij, stilin ekstravagant dhe të kaluarën si basketbollist e artist.

Vepra të tij, përfshirë akuarele shumëngjyrëshe dhe skulptura qeramike me detaje bronzi, do të ekspozohen këtë vjeshtë në panairet Frieze London dhe Art Basel Paris, ndërsa një ekspozitë personale pritet të hapet në prill të vitit 2026 në Berlin.

Sipas galeristes Julia Ballantyne-Way, Rama është një “artist unik” dhe përfaqëson një ndërthurje të rrallë të politikës me artin. Ajo vlerësoi stilin e tij të lirshëm dhe intuitiv, duke shtuar se “ai e përdor artin si një mjet të të menduarit dhe të dëgjimit”, shpesh duke skicuar gjatë mbledhjeve apo takimeve politike.

Përkrahësit e Ramës e konsiderojnë përfshirjen e tij në galerinë gjermane si një njohje ndërkombëtare për ndikimin e tij në ringjalljen e artit pas realizmit socialist në Shqipëri. Ndërkohë, kritikët e shohin këtë si një strategji për të zhvendosur vëmendjen nga skandalet e korrupsionit që kanë ndjekur qeverisjen e tij mbi 12-vjeçare.

Artisti dhe kritiku Oltsen Gripshi, autor i një libri mbi artin e Ramës, e përshkruan stilin e tij si neo-ekspresionist, me ndikime nga Kandinski. “Nuk mund ta ngatërrosh me askënd tjetër do ta njihje veprën e tij nga një distancë e madhe”, tha ai për The Times.

Rama, i diplomuar në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë, ka ekspozuar më parë në Bienalen e Venecias dhe Qendrën Pompidou në Paris. Ai nuk e ka ndalur kurrë krijimtarinë, edhe gjatë viteve në pushtet, duke punuar shpesh në studio ose gjatë takimeve zyrtare.

Në Berlin, publiku do të ketë mundësi të shohë edhe skulpturën e tij të parë në ambient të hapur, përkrah veprave të reja prej bronzi dhe qeramike.

Galeria gjermane

 Galeria prestigjioze “Societe” në Berlin ka njoftuar se tashmë përfaqëson Ramën si artist, duke i hapur atij rrugën drejt ekspozitave ndërkombëtare.

ART News raporton se kjo kontratë shënon një hap të rëndësishëm drejt një rikthimi më të plotë të Ramës në botën e artit. Në fokus të bashkëpunimit me galerinë janë veprat e tij në qeramikë dhe punimet abstrakte mbi letra, shpesh të realizuara mbi dokumente të ricikluara zyrtare.

Artikulli i plotë:

Galeria Société në Berlin Tashmë Përfaqëson Edi Ramën, Kryeministrin e Shqipërisë. Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë prej më shumë se një dekade, nuk është aspak i panjohur për botën e artit. Ai ka studiuar në Akademinë e Arteve në Tiranën e tij të lindjes, ku ka qenë edhe pedagog. Në vitet ’90, ka punuar si artist në Paris, përpara se të rikthehej në Shqipëri në vitin 1998 për të shërbyer si ministër i Kulturës. Në vitin 2000 u zgjodh kryetar bashkie i Tiranës, ndërsa në vitin 2013 u bë kryeministër i vendit.

Megjithatë, njoftimi se galeria e njohur e artit bashkëkohor “Société” do të përfaqësojë Ramën si artist, ishte një surprizë për shumëkënd, madje edhe për vetë njohësit e artit tek “ARTnews”! Rama i bashkohet një grupi ndërkombëtar artistësh në përfaqësimin e “Société”, mes të cilëve Trisha Baga, Lu Yang dhe Petra Cortright.

Vitin e kaluar, galeria Marian Goodman ekspozoi punët e tij në hapësirën e saj në Paris: skulptura qeramike me ngjyra të forta që ngjasojnë me forma të nxjerra nga një shkëmb koralesh, si dhe vepra abstrakte në letër, shumë prej tyre të realizuara mbi faqe kalendarësh dhe letër-muri artistike.

Një profil i Ramës i publikuar në “Financial Times” në vitin 2016 përmendte se, gjatë një vizite të Angela Merkel-it, atëherë kancelare e Gjermanisë, gjesti i parë i Ramës ishte ta prezantonte me një grup artistësh bashkëkohorë europianë, të cilët ndodheshin në Tiranë për hapjen e Qendrës për Hapje dhe Dialog. Artikulli i “FT” është i mbushur me anekdota të këndshme që lidhen me artin: zyra e Ramës është plot me kuti lapsash me ngjyra; letër-muri shumëngjyrëshe e mbuluar me vizatimet e tij të përditshme; dhe ai e mësoi “fuqinë magjike të artit” që në fëmijëri, përmes një rotacioni të shpeshtë të pikturave në kuzhinën e gjyshes së tij.

Në galerinë “Société”, Rama do të prezantojë më shumë nga punët e tij në qeramikë dhe në letër, shpesh të realizuara gjatë takimeve apo telefonatave, mbi dokumente zyrtare të ricikluara, të cilat ai i ka krijuar përgjatë dekadës së fundit. Galeria ende nuk ka njoftuar një datë për ekspozitën e parë të Ramës.



Burimi Shekulli.com.al

Artikuj te ngjashem
- Advertisment -
Google search engine

Me Te Klikuarat