Saturday, March 7, 2026
Google search engine
BallinaEkonomi“Vjeshta po korrigjon zbehjen e verës, në 2026-n presim të njëjtën ecuri...

“Vjeshta po korrigjon zbehjen e verës, në 2026-n presim të njëjtën ecuri si ky vit”


Flet Rrahman Kasa, Kryetar i Unionit Turistik Shqiptar

 

Ashtu siç pritej, pranvera dhe vjeshta e këtij viti me turet kulturore kanë ndikuar ndjeshëm në përmirësimin e zbehjes që pati sezoni veror.

Shqipëria po kthehet në një destinacion gjithëvjetor të turizmit pavarësisht problemeve të saj por që të garantohet qëndrueshmëri në afatmesëm dhe afatgjatë ka nevojë për masa të shpejta dhe konkrete.

Rrahman Kasa, Kryetar i Unionit Turistik Shqiptar, shprehet se interesi për Shqipërinë si destinacion mbetet i lartë por vlerësimet dhe zhgënjimet e vizitorëve, që nuk gjejnë atë që u reklamohet në rrjete sociale, mund të kenë pasoja negative.

 

Tashmë që jemi thuajse në fund të vitit 2025, a mund të bëjmë një bilanc paraprak të ecurisë së turizmit duke mos e lënë këtë vetëm te sezoni veror?

Si numër vizitorësh jemi te pritshmëritë që kishim, pra që ky vit do të ishte njësoj si viti 2024. Ndoshta mund të cilësohet pak më i zbehtë sezoni veror.

Ajo që duhet të bëjmë realisht është të shohim cilat janë kategoritë me më shumë rritje dhe mendoj se turet kulturore të përqendruara në pranverë dhe në vjeshtë kanë bërë një lloj diference.

Madje edhe në verë, rritja nuk ka qenë nga turistët e plazhit.

Kanë qenë turistë me kosto të ulët që kanë zgjedhur Tiranën, vendet rurale, agroturizmet. Karakteristikë e këtij sezoni veror ishte rënia e turistëve cilësorë, pra atyre që paguajnë më shumë dhe kërkojnë më shumë shërbime. Kishte rënie të këtij grupi në raport me vitin 2024.

 

Cilat kanë qenë problemet kryesore që ka shfaqur sektori tani që situata është pak më e qetë dhe mund të shihet më qartë? 

Problem kryesor ka qenë mungesa e shërbimit. Turistët kanë pasur rezerva për këtë dhe nuk kanë nguruar ta shprehin si ankesë, qoftë tek agjencitë e tyre, qoftë në biseda.

Kur ti paguan një dhomë me çmimin 300-400 euro është e pakonceptueshme që të të duhet të presësh 20 minuta për një kafe që është gjëja më e thjeshtë. Problemeve të tjera ne u kemi dhënë zë vazhdimisht.

Kryesisht, ankesat janë për kantieret e ndërtimit që mbeten hapur gjatë sezonit.

Pra subjektet ndërtojnë fare pranë strukturave akomoduese dhe kjo e kthen pushimin në një stres për turistët.

Zhurmat që shkakton ndërtimi orar pa orar, inertet por edhe pamja që kanë objektet e papërfunduara nuk është aspak mikpritëse për syrin e një turisti dhe nuk të jep përshtypjen që je në një zonë turistike.

Këtë vit, problemet u bënë edhe më të thella me mungesën e ujit në zonën e Durrësit, me ndotjen e mjedisit dhe dritat në zonën e Vlorës. Të gjitha këto kanë rolin e tyre në imazhin e përgjithshëm turistik të Shqipërisë dhe kjo nuk na ndihmon aspak.

Ne rrethohemi nga një konkurrencë e fortë në turizëm dhe të bërit të hapave pas apo përkeqësimi i imazhit do ndikojë në zgjedhjen që bëjnë turistët që mund të zgjedhin Greqinë në vend të Shqipërisë.

 

A është reflektuar pakënaqësia e turistëve në anketat që zhvillojnë agjencitë e huaja që i sjellin si të organizuar në Shqipëri? 

Po janë reflektuar të gjitha sepse turistët e huaj e kanë pjesë të tyre vlerësimin dhe transparencën mbi atë që shohin dhe përvojën që kalojnë. Për shembull janë përmendur mungesat e rehabilitimit apo kurimit të zonave turistike.

Në vlerësimet e tyre kanë thënë që na është dukur vetja si në një kantier ndërtimi dhe jo me pushime. Imazhi i përgjithshëm për turizmin është përkeqësuar dhe s’ka të bëjë vetëm me ndërtimin dhe kantieret aktive, por edhe me ujin.

Këtu i referohem zonës së Golemit, ku turistët kanë parë botet me ujë dhe i kanë nxjerrë ato në rrjetet sociale, pasi për ata është e pakonceptueshme që kjo të ndodhë në një vend turistik.

Fillimi i sezonit veror nuk ishte aspak i mirë dhe ka lënë gjurmën e tij tek i gjithë sezoni veror pavarësisht rikuperimit që mund të jetë bërë në imazh dhe shërbim.

 

Ndryshe nga vitet e tjera, në marrëveshjet tuaja me agjencitë e huaja ishte lënë një klauzolë që ata mund të reduktonin vendet pa penalitet në varësi të rezervimeve. A vazhdon të qëndrojë kjo? 

Po klauzola që kemi lënë mbetet në fuqi, por ne shpresojmë që të mos përdoret.

 

Si është ecuria e turizmit në vjeshtë, flasim këtu për numrin e vizitorëve?

Vjeshta është shumë mirë. Ka një rritje të qëndrueshme dhe grupe të shumta që vijnë me ture kulturore në formë të organizuar. Po kështu ka edhe shumë turistë individualë që shpenzojnë pak dhe zgjedhin të qëndrojnë nëpër AirBNB.

Turet kulturore kanë qenë më të qëndrueshëm. Janë turistë që edhe shpenzojnë pak më shumë dhe qëndrojnë zakonisht deri në shtatë net duke lëvizur dhe duke eksploruar vende të ndryshme.

Vizitojnë Veriun pra Valbonën dhe Thethin, vizitojnë vendet historike siç është Berati dhe Gjirokastra dhe ndalen edhe në Sarandë.

Deri më tani mund të themi që numrat janë të kënaqshëm, por siç e përmenda edhe më parë, duhet parë me kujdes sesa para vijnë nga turistët sepse në numra mund të jemi mirë, por në të ardhura si sektor mund të kemi rënie.

Këto do të shihen vetëm në fund të vitit, pasi të jenë parë plotësisht bilancet.

 

Ju si Union Turistik keni bërë një listë me kërkesa për institucionet në lidhje me masat që duhet të merren për sezonin turistik të ardhshëm, por edhe mënyrën sesi mund të menaxhohet ndarja e bregdetit dhe çadrave. A keni një përgjigje prej tyre?

Ne kemi lënë një takim dhe besoj që edhe aty do të shprehim kërkesat tona. Ministri ka qenë i vëmendshëm në lidhje me sektorin dhe shpresojmë që në fund të gjejmë zgjidhje që u shërben të gjithëve pozitivisht.

 

Sipas jush, cilat janë disa nga masat më të rëndësishme për t’u ndërmarrë përpara sezonit?

Të zgjidhen ngërçet që ekzistojnë me infrastrukturën dhe me ato pikat që ne i kemi deklaruar herë pas here, të mos lejohen punime në kantiere në zonat turistike gjatë sezonit.

Ndërtesat e papërfunduara të vishen me printime njësoj siç veprohet kudo. Të tentohet që këto zona të kurohen nga ana e imazhit që të përcjellin anën turistike.

 

Çfarë mase mendoni se duhet të merret që është emergjente në lidhje me sektorin?

Shërbimi duhet të përmirësohet dhe të shihet me prioritet. Duhet të përpiqemi të plotësojmë sektorin me staf dhe këtu flas për atë profesional të lartë sepse stafin mbështetës po e marrim të huaj.

Ndaj ne kemi kërkuar që të ngrihet një Akademi e posaçme për këtë, dhe për këtë kemi marrë një lloj dakordësie paraprake, pra qasja është pozitive.

Kjo akademi do të na ndihmojë që në një periudhë afatmesme të kemi një staf të kualifikuar të lartë që është i qëndrueshëm. Është pozitive që në sektor, drejtuesit e niveleve të larta dhe të mesme të jenë shqiptarë.

Po kështu, duhet të ketë një qasje të re për universitetet që kanë degë që lidhen me Turizmin, ku duhet të tentohet që kurrikulat t’i përshtaten aktualitetit.

 

Një nga nismat e qeverisë vitin e shkuar ishte vendosja e referencave lidhur me zënien e dhomave të hoteleve. Si ka ndikuar kjo te sektori dhe a përputhen kufijtë që u vendosën me gjendjen reale?

Nuk mendoj se ka ndonjë ndikim shumë pozitiv për sektorin sepse ende ne nuk kemi arritur të kemi turizëm gjithëvjetor në të gjithë territorin. Kur flasim për zonat bregdetare duhet të kemi parasysh që askush nuk arrin të plotësojë referencat e vendosura nga qeveria gjatë dimrit.

Hotelet punojnë kryesisht me fundjava, madje edhe këto kur koha është e mirë, pra jo gjithmonë.

 

Cilat ishin grupet kryesore dhe tendencat që u vunë re gjatë verës që lamë pas dhe cilat janë pritshmëritë për në vazhdim?

Ajo që u pa qartë ishte që Kosova nuk ishte shumë e pranishme. E para kanë probleme me çmimin dhe e dyta duan rezervime sot për nesër dhe në pikun e sezonit është pak e vështirë të akomodosh një fluks rezervimesh në moment të fundit. Shumica e strukturave bllokojnë kapacitetet me marrëveshjet me garanci ose allotment dhe nuk mund të dalin prej tyre.

Gjithsesi Kosova ishte e pranishme në Velipojë, Shëngjin, dhe pjesërisht në Durrës.

Edhe italianët ishin më dobët sepse parapëlqejnë të njëjtën qasje pra rezervime të momentit të fundit dhe janë shumë të ndjeshëm nga çmimi.

Duhet të shohim me kujdes këto tendenca sepse shqiptarët e Kosovës dhe italianët janë dy grupet më të mëdha të turizmit të paorganizuar, kurse polakët më të mëdhenjtë në atë të organizuar dhe gjasat janë që kështu të mbetet tendenca edhe vitin tjetër.

Franca, nga ana tjetër, edhe pse me tendencë në rritje, ka numër të vogël.

Francezët janë të interesuar kryesisht për ture kulturore dhe operojnë me block seat (rezervojnë brenda linjave ajrore një numër të caktuar vendesh).

Izraeli është një tjetër treg që ka pasur rritje.

Janë të paktën 100 mijë turistë që kanë ardhur nga ky vend nga prilli e deri në tetor. Linja ajrore që operonte direkt po mendonte që ta hiqte këtë rrugë në vjeshtë, por interesi ka bërë që ajo të mbetet e hapur deri vonë.

Ideja është që për Shqipërinë vijon të ketë interes, por ne duhet të reflektojmë dhe të bëjmë korrigjimet tona, për të mos humbur terren.

Gjasat janë që viti 2026 të jetë i njëjtë si 2025-a.

 

 

Kërkesat e Unionit Turistik Shqiptar

– Implementimi në akt ligjor të sigurimeve jashtë sezonit: (parashikuar në Strategji)

– U propozua ngritja e linjave të posaçme të transportit publik me destinacionet turistike bregdetare dhe sitet kryesore turistike.

– U propozua ngritja e një Akademie Turizmi për të bërë të mundur sigurimin e kapaciteteve profesionale në mënyrë që të kemi një turizëm cilësor dhe me standarde.

– U kërkua rritja e pjesëmarrjes në panairet ndërkombëtare nga MT, por edhe aktiviteteve të tjera promovuese rajonale.

– U diskutua për mundësitë e plotësimit të nevojës së rreth 30 mijë vendeve të reja pune që ka sektori, kryesisht në hotelieri, F&B, plazhe, transport turistik, etj., të cilat do të sigurohen nga tregjet ndërkombëtare dhe kërkuam nga Drejtoria e Emigracionit thjeshtimin e procedurave për pajisjen me leje qëndrimi të punonjësve të huaj.

– U ra dakord që pas rrëzimit të padisë së bërë më parë në Gjykatën e Apelit për instalimin e detyruar të impianteve të ujërave të zeza nga biznesi, çështja të ankimohet më tej në Gjykatën e Lartë.

Në mbledhjen e strukturave drejtuese u diskutua në lidhje me draft-projektet që ka propozuar nga MTKS, siç janë:

Projekti për ndarje lineare: Çdo 1000 metër vijë bregdetare ⇒ 300 m parcela publike;

Si dhe Raportin e ndarjes së çadrave: nga 1 dhomë: 2 çadra ⇒ 1 dhomë: 1 çadër (Propozojmë që të bëhet 1:1.5) dhe kundërshtojmë projektin që 50% e haëpsirës të jetë publik brenda hapësirës së menaxhuar

Kërkesa e Institucioneve që lejet për bare në plazh të jepen vetëm të përkohshme njëvjeçare dhe strukturat të çmontohen çdo vit për ne është e papranueshme, pasi kjo rrit shpenzimet e biznesit çdo vit dhe nuk ka ndonjë ndikim negativ në vijën bregdetare

– U diskutua me kompaninë që menaxhon biletat online “My Ticket” për sitet turistike në lidhje me shqetësimin e operatorëve turistikë për ndërprerjen e shërbimit për shkak të përfundimit të tenderimit pa mbaruar sezoni dhe do të kërkojmë zgjidhjen e problemit te MTKS.

 

 

 

 

Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.



Source link

Artikuj te ngjashem
- Advertisment -
Google search engine

Me Te Klikuarat