Friday, March 6, 2026
Google search engine
BallinaPolitikeZgjedhjet lokale në Maqedoninë e Veriut, VMRO-DPMNE në pushtet shpall fitoren. Një...

Zgjedhjet lokale në Maqedoninë e Veriut, VMRO-DPMNE në pushtet shpall fitoren. Një shqiptar për herë të parë në krye të Çashkës, një nga komunat me territorin më të madh në vend


Zgjedhjet lokale në Maqedoninë e Veriut, VMRO-DPMNE në pushtet shpall fitoren. Një shqiptar për herë të parë në krye të Çashkës, një nga komunat me territorin më të madh në vend

Partia në pushtet, VMRO-DPMNE, shpalli fitore bindëse pas rundit të parë të zgjedhjeve lokale në Maqedoninë e Veriut, më 19 tetor.

Partia do të ketë kryetarë komunash në 30 nga gjithsej 80 komuna, dhe pret që në rundin e dytë të fitojë edhe në rreth 20 të tjera, përfshirë edhe qytetin e Shkupit, ku kandidati i saj, Orce Gjorgjievski, është në epërsi të madhe.

“Premtuam fitore, kemi fitore”, deklaroi kryeministri dhe lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski.

Ai tha se është i kënaqur, pasi numri i përgjithshëm i votave të fituara është më i madh se në zgjedhjet parlamentare dhe ato lokale të mëparshme.

Mickoski gjithashtu konfirmoi se nuk ka ndërmend të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare, pavarësisht insistimit të opozitës nga BDI, dhe theksoi se “politikat e etnocentrizmit janë mposhtur.”

Opozitarja LSDM pësoi edhe një humbje pas zgjedhjeve të vitit të kaluar – atyre parlamentare dhe presidenciale.

Megjithatë, partia vlerësoi se rezultati nuk është i keq, pasi këtë herë ka fituar më shumë vota në disa komuna dhe theksoi se ka pasur “shkelje të shumta” gjatë procesit të votimit.

LSDM do të ketë kryetarë komunash në Kriva Pallankë, Bogdanc dhe Krivogashtan, ndërsa pret të kalojë në rundin e dytë në rreth njëzet komuna të tjera.

“Kjo është dëshmi për konsolidimin brenda partisë që ka filluar dhe do ta vazhdojmë,” deklaroi lideri i LSDM-së, Venko Filipçe, i cili tha se nuk ka ndërmend të japë dorëheqje pas këtyre rezultateve zgjedhore.
VLEN fitoi në Çair dhe Tetovë, ndërsa BDI në Gostivar
Në bllokun politik shqiptar, kandidati i VLEN, Izet Mexhiti, fitoi bindshëm në komunën kyç – Çair, ndërsa Bilal Kasami në Tetovë. Në rundin e parë, koalicioni fitoi edhe në katër komuna të tjera.

Për Mexhitin, ky do të jetë mandati i tij i katërt si kryetar komune, dhe ai do të duhet të lërë postin aktual të ministrit pasi mundi ish-ministrin e BDI-së, Bujar Osmanin, i cili ia uroi fitoren.

Anëtarë dhe simpatizantë të VLEN-it e festuan, siç thanë ata, “fitoren bindëse në Çair dhe Tetovë” pranë monumentit të Skënderbeut në Çarshinë e Vjetër.

Koalicioni Aleanca Kombëtare për Integrim (AKI), e udhëhequr nga BDI, fitoi zgjedhjet për kryetarë komunash në Gostivar, Likovë, Çashkë dhe Plasnicë që në rundin e parë – njoftoi nënkryetari i BDI-së, Arbër Ademi.

Ai tha se, në nivel kombëtar, “AKI është fituese absolute me mbi 20.000 vota epërsi, dhe me votat që ende po përpunohen, kjo diferencë mund të jetë edhe më e madhe.”

Dita e zgjedhjeve kaloi e qetë dhe pa shkelje të mëdha. Pritshmëritë e qytetarëve janë të ngjashme – një jetë më e mirë në komuna më funksionale.

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve njoftoi se deri në orën 18:30 pjesëmarrja e votuesve ishte 46,48 për qind, çka është afër nivelit të rundit të parë të zgjedhjeve të mëparshme, kur kishte arritur 51,44 për qind.

Sipas listës zgjedhore, të drejtë vote kishin 1.832.415 qytetarë.

Për 81 poste të kryetarëve të komunave garuan 309 kandidatë, ndërsa për vendet në këshillat komunalë konkurruan mbi 10.490 kandidatë nga gjithsej 576 lista.

Një veçori e këtyre zgjedhjeve është se meshkujt dominojnë në garën për kryetar komune – 277 kandidatë ose 89,64%, ndërsa gratë janë vetëm 32, që përfaqëson 10,36% të numrit të përgjithshëm.

Buxheti i përgjithshëm që shteti ndau për organizimin e këtyre zgjedhjeve lokale është 9 milionë e 760 mijë euro, nga të cilat dy të tretat janë mjete të destinuara për mediat dhe reklamat politike të paguara.

Rundi i dytë i zgjedhjeve është caktuar për 2 nëntor.Suat Shaqiri nga Aleanca Kombëtare për Integrim (AKI) ka fituar garën për kryetar të Komunës së Çashkës në raundin e parë të zgjedhjeve lokale, sipas rezultateve përfundimtare të publikuara nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve.

Suat-Shaqiri

Shaqiri ka siguruar 50.75% të votave, përkatësisht 2,322 vota, duke fituar shumicën absolute dhe duke shmangur nevojën për raund të dytë.

Pas tij është renditur kandidati i LSDM-së, Goran Stojanovski, me 24.26% të votave, ndërsa Dejan Andonovski i VMRO-DPMNE-së ka marrë 23.29%.

Fitorja e Shaqirit në këtë komunë përbën një nga rezultatet më domethënëse, pasi që shqiptarët për herë të parë fitojnë këtë komunë në pjesën qendrore të Maqedonisë së Veriut.

Ministri i Punëve të Brendshme i Maqedonisë së Veriut, Pançe Toshkovski deklaroi se zgjedhjet kanë kaluar kryesisht në një atmosferë të drejtë dhe demokratike.

Zgjedhje_2025_7-780x470

Ai informoi se janë arrestuar 11 persona, ndërsa janë verifikuar edhe 19 publikime në rrjetet sociale dhe internet në lidhje me zgjedhjet.

“Janë privuar nga liria 11 persona për shkak të ryshfetit, fotografimit apo shkatërrimit të fletëvotimit. Janë liruar katër persona, ndërsa shtatë janë ndaluar për procedurë të mëtejshme. Janë raportuar shtatë raste me përfshirje të dyshuar të zyrtarëve policorë, nga të cilat në gjashtë nuk janë konstatuar parregullsi.

Janë regjistruar 19 publikime në rrjetet sociale dhe internet që janë objekt i verifikimeve të mëtejshme. Të gjitha këto të dhëna dëshmojnë se procesi zgjedhor kaloi në atmosferë të drejtë, të qetë dhe demokratike, pa shkelje serioze të rendit dhe qetësisë publike”, tha Toshkovski.

Ai theksoi se gjatë ditës së sotme është ndaluar edhe një person i punësuar në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve, por në momentin e ndalimit nuk ka qenë në kryerje të detyrave të punës.

“Sipas informatave që kam, një nga personat e privuar nga liria është i punësuar në kuadër të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, por në momentin e ndalimit nuk ka qenë duke i kryer detyrat e punës dhe është ndaluar sepse ka refuzuar të identifikohet”, deklaroi Toshkovski.



Burimi Shekulli.com.al

Artikuj te ngjashem
- Advertisment -
Google search engine

Me Te Klikuarat