Arratisje dramatike e 5 futbollisteve iraniane në Australi, ku kërkojnë azil, të tjerat kthehen në Iran (VIDEO)
Një ngjarje që i ngjan një skene filmi ka përfshirë ekipin kombëtar të futbollit të femrave të Iranit gjatë qëndrimit në Australi. Pesë lojtare janë arratisur nga hoteli i ekipit dhe kanë kërkuar azil në Australi, ndërsa pjesa tjetër e skuadrës është kthyer në Iran.

Sipas mediave australiane, futbollistet që u larguan nga delegacioni përdorën shkallët e emergjencës së hotelit për t’u larguar pa u vënë re nga rojet dhe personeli shoqërues. Ato madje dërguan sinjale SOS me dritat e telefonave celularë, ndërsa përpiqeshin të largoheshin nga kontrolli i shoqëruesve.
Arratisje “nën hundën” e rojeve
Detajet e arratisjes janë përshkruar si “kinematografike”. Sipas avokates së pesë lojtareve, Tina Kordrostami, futbollistet zbritën nga shkallët e emergjencës dhe tentuan të largoheshin nga parkingu i hotelit.
Kur rojet kuptuan se ato mungonin, shpërtheu alarmi. Rojet e zemëruara i ndoqën me nxitim dhe madje zbritën me vrap shkallët, pasi nuk kishin kohë të prisnin ashensorin. Për fat të lojtareve, dera që të çonte drejt parkingut ishte e mbyllur, çka u dha atyre kohë të largoheshin.
Në hollin e hotelit, situata u bë e tensionuar, pasi rojet kuptuan se kishin dështuar në detyrën e tyre për të mbajtur ekipin nën kontroll të rreptë.
Skuadra e ndarë mes azilit dhe kthimit në atdhe
Ngjarja ka krijuar një ndarje brenda ekipit. Pesë lojtare qëndruan në Australi dhe morën azil, ndërsa pjesa tjetër e ekipit u nis për t’u kthyer në Iran, mes emocioneve dhe lotëve.
Në aeroportin e Sidnejit, disa prej lojtareve që po ktheheshin në atdhe i thanë gazetës Sydney Morning Herald se dëshironin vetëm të riktheheshin te familjet e tyre.
Kur u pyetën për shoqet që mbetën në Australi, njëra prej tyre u përgjigj:
“Ato u bënë refugjate”.
E pyetur nëse do të dëshironte edhe ajo të kërkonte azil, futbollistja u përgjigj:
“Irani është atdheu im”.
Megjithatë, sipas mediave australiane, gjuha e trupit e disa lojtareve tregonte pasiguri. Disa prej tyre hipën në avion me lot në sy, ndërsa një tjetër fillimisht refuzoi të largohej.
Sinjale SOS dhe masa të forta sigurie
Gjatë transferimit nga aeroporti drejt terminalit ndërkombëtar në Sidnej, në rrjetet sociale qarkulloi një video ku disa lojtare dërgonin sinjale SOS me dritat e telefonave nga brenda autobusit.
Ndërkohë, autoritetet australiane shtuan masat e sigurisë. Rreth ekipit ndodheshin 14 policë të armatosur rëndë, ndërsa pati edhe kontrolle shtesë kufitare për shkak të dyshimeve se mund të kishte lojtare të tjera që donin të qëndronin në Australi.
Pavarësisht tensionit, disa pasagjerë të një prej fluturimeve ku udhëtuan futbollistet treguan se piloti i avionit mbajti një mesazh emocionues, duke folur për rëndësinë e solidaritetit në kohë të vështira, gjë që u prit me duartrokitje nga pasagjerët.



