“Mbyllim një cikël me Silvinjon”, presidenti Duka prezanton trajnerin e ri të Kombëtares shqiptare. Kush është italiani Rolando Maran
Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armando Duka, ka bërë zyrtar prezantimin e trajnerit të ri të Kombëtares shqiptare, duke konfirmuar se skuadra do të drejtohet nga italiani Rolando Maran.

Në deklaratën e tij, Duka theksoi mbylljen e një cikli me ish-trajnerin Sylvinho dhe stafin e tij, të cilëve u shprehu mirënjohje për kontributin në ekipin kombëtar.
Ai e përshkroi bashkëpunimin si një periudhë të rëndësishme me emocione dhe rezultate, duke nënvizuar se ndryshimi është pjesë normale e futbollit dhe është bërë me konsensus.
“Do të bëjmë publik emrin e trajnerit të ri të Shqipërisë, që është në krahun tim, Rolando Maran. Mbyllëm një cikël me Silvinjon dhe stafin e tij, e falenderojmë për kontributin e tij në Kombëtare. Bashkë kemi kaluar një periudhë shumë të rëndësishme, me emocione, kemi qeshur dhe kemi qarë. Në futboll konsiderohet normale mbyllja e një cikli, ndahemi me konsensus. Hapim një cikël të ri me një trajner jo të ri në moshë, siç është zoti Rolando Maran. Objektivat tona mbeten aty ku duam të jemi, vendi i parë në Nations League dhe kualifikimi për në EURO 2028, dhe më pas për të vazhduar me objektivin që se kemi arritur asnjëherë për të qenë pjesë e Botërorit. S’dua të zgjatem më tepër, dua të falenderoj Silvinjon, Dorivën, Zabaletën, për kontributin dhe bashkëpunimin me Kombëtaren shqiptare. Iu uroj shumë suksese trajnerit Rolando Maran me Kombëtaren shqiptare, unë nuk bëra CV-në sepse është një emër i njohur duke qenë se ka trajnuar skuadra të rëndësishme si në Serinë A dhe B në Itali, dhe jam i sigurt që do të bëjë mirë në kualifikuese”, tha ndër të tjera Duka.
Trajneri i ri i Kombëtares shqiptare, Rolando Maran, ka dhënë deklaratat e para pas zyrtarizimit në krye të ekipit kuqezi, duke shprehur emocion dhe vlerësim për mundësinë që i është dhënë.

Tekniku italian theksoi se afrimiteti i tij me vendin dhe futbollin shqiptar ka qenë i hershëm, duke e konsideruar këtë detyrë si një hap të rëndësishëm në karrierë.
Maran nënvizoi gjithashtu se kjo është një përgjegjësi e madhe dhe një impenjim që ai e merr seriozisht, duke synuar të ndërtojë një skuadër konkurruese.
“E kam ndjekur nga afër Kombëtaren shqiptare dhe për këtë keni komplimentet e mia. Me jepet mundësia për të trajnuar një kombëtare që përfaqëson një popull me krenari të madhe. Duke qenë afër shtëpisë tuaj, diçka që unë e kam perceptuar gjithmonë. Është krenari e madhe për mua dhe premtimi është për të kërkuar të transferojmë atë dashuri për këtë fanelle, ta transferojmë në fushë, duke vënë të gjithë brendësinë time dhe stafin tim dhe ata që do njoh. Për mua është një impenjim që ndërmarr”, tha ai në konferencë.
Maran, ka folur me tone optimiste për njohjen e tij me skuadrën dhe objektivat që e presin në drejtimin e kuqezinjve. Maran theksoi se e ka ndjekur nga afër Kombëtaren shqiptare dhe njeh mirë shumë prej lojtarëve, duke treguar se ka analizuar disa ndeshje të ekipit. Madje thekson se ka marrë edhe disa këshilla nga ish tekniku De Biazi.
“E njoh mirë, shumë lojtarë i njoh se kam parë shumë ndeshje të Shqipërisë, madje i kam riparë disa prej tyre, kam folur me De Biazin, përderisa është një mik i mirë është një trajner që e vlerësoj shumë për atë që ka dhënë. Më ka dhënë disa indikacione që i vlerësoj. Nëse sdo ta mendoja sdo të isha këtu, janë mundësitë për të arritur objektivat, sdo të jetë e thjeshtë por mund tja dalim. Me ato që ju keni, ne kemi mundësi për të bërë më tepër edhe ndaj skuadrava që mund të jenë më të forta në letër, të arrijmë objektivin për të qenë në krye”, tha ai në konferencë për shtyp.
Ai me tej deklaroi se “Ëndrra juaj dhe e imja është të shkojmë në Botëror, të arrij të sjell ato rezultate që të gjithë i dëshirojmë. Me bindje dhe profesionalizëm, me një grup të bashkuar dhe me pak fat kjo mund të arrihet”.
“Ne nisim një rrugëtim të ri dhe të jemi të vëmendshëm ndaj çdo lojtari të ri, edhe nga Kombëtarja U21. Ky përceptim që është për trajnerët italianë qëndron, ajo që thash pak më përpara, duhet të jemi të zotë se kundërshtari, jo për të mbrojtur mirë, port ë kjemi një ekuilibër të gjërave, të vlerësojmë bazën e lojtarëve që kemi në dispozicion, një skuadër që mund të mbyll ndeshjen, duhet ta bëjmë si skuadër, për të arritur rezultate të mëdha duhet të bashkëpunojmë”, tha tekniku italian.
Rolando Maran është prezantuar sot zyrtarisht si trajneri i ri i Kombëtares shqiptare dhe do të drejtojë kuqezinjtë në rrugëtimin drejt Euro 2028, që mbetet objektivi madhor i radhës. Një trajner italian, si të tjerë që kanë kaluar Adriatikun për të drejtuar në vendin tonë. Dhe nga përtej Adriatikut, vjen edhe një përshkrim i punës së tij në futbollin italian në të kaluarën.

Gaetano Moçiaro, gazetari i “Tutomercatoweb”, tregon për “Panorama Sport” disa nga etapat më të rëndësishme të Maran, duke u ndalur te fakti se ka qenë shumë pranë disa “mrekullive” me skuadra të cilat luanin futboll të mirë. Por gjithashtu, edhe rënien e ngadaltë në vitet e fundit të trajnerit 62-vjeçar, i cili që nga sot, është ulur në pankinën e kuqezinjve.
“Mund t’ju them se ai pati një periudhë shumë të mirë, le të themi midis viteve 2012 dhe 2019. Më ka rastisur të shoh Katanian dhe Kaljarin e tij dhe luanin futboll vërtet të shkëlqyer.
Ai ka bërë gjëra të shkëlqyera te Vareze, duke iu afruar ngjitjes në Serinë A në 2011/12. Mori drejtimin e ekipit në javën e 8-të kur ishte shumë keq, ishin të 14-tët dhe kishin fituar vetëm një ndeshje. Por i çoi në prag të ngjitjes në Serinë A, duke humbur vetëm ndaj Sampdorias në finale. Për t’ju dhënë një ide më të qartë të kësaj arritje, duhet të dini se Vareze nuk ka luajtur në Serinë A që nga sezoni 1974/75 dhe aktualisht po luan në Serinë D.
Më pas me Katanian, ai vendosi një rekord pikësh në një sezon të vetëm të klubit. Ai ekip ishte vërtet spektakolar kur luante në shtëpi dhe gjithashtu kishte lojtarë të shkëlqyer si Papu Gomez, Barrientos dhe Bergesio. Kishte edhe një shqiptar, Edgar Çanin, i cili luajti shumë pak.
Edhe me Kievon bëri shumë mirë, duke siguruar mbijetesën shpejt në shumë raste me një ekip që praktikisht nuk kishte tifozë dhe për këtë arsye një buxhet shumë të kufizuar.
Te Kaljari i bëri një start të jashtëzakonshëm të sezonit në 2019, madje duke ëndërruar kualifikimin në Ligën e Kampionëve në një moment. Përsëri, mund t’ju them se pashë futboll të shkëlqyer duke përdorur një formacion 4-3-1-2. Pastaj, pas një ndeshjeje kundër Lacios, të cilën e humbën 1-2 në kohën shtesë, gjithçka ndryshoi. Ekipi hyri në krizë dhe ai madje u shkarkua. Që atëherë, karriera e tij ishte në një spirale në rënie, nuk kishte arritje domethënëse dhe doli nga skena e Serisë A, duke iu dashur të kënaqej me pozicione në Serinë B në klube si Piza dhe Breshia”, shpejgon Moçaro.
Por a mund t’ia dalë një trajner i profilit të Maran te Shqipëria, ku pritshmëria është tashmë shumë e lartë? “Sigurisht që është një pikëpyetje, sepse Maran ka qenë gjithmonë një trajner “fushe”, duke stërvitur ekipet e tij çdo ditë. Dhe ndryshe nga Reja, i cili stërviti gjithashtu për një kohë të shkurtër në Kroaci, apo dhe De Biazi, i cili stërviti në Spanjë, Maran nuk është larguar kurrë nga Italia. Dhe impakti i parë i tij mund të jetë i vështirë. Nga ana tjetër, ai ka avantazhin që shumë lojtarë shqiptarë luajnë në Itali, gjë që duhet ta bëjë punën e tij më të lehtë.
Sa i përket tifozerisë së nxehtë shqiptare, Maran ka bërë mirë te Katania dhe Kaljari, të cilat janë sigurisht klube me tifozeri pasionante. Shqetësimi im është se ai ka qenë prej disa vitesh jashtë xhiros së emrave të rëndësishëm dhe se mbërritja e tij në Shqipëri është shumë vonë”, tregoi gazetari italian.
Silvinjo u shfaq në konferencën për shtyp në të cilën u prezantua pasardhësi i tij në Kombëtaren kuqezi. Ai u shfaq tepër i emocionuar dhe falenderoi të gjithë për mbështetjen në këtë rrugëtim që pati në Shqipëri.

“Njerëzit që punojnë në këtë federatë i njoh mirë. Me shumë prej tyre kemi ndarë momente të rëndësishme: një drekë, një darkë, një bisedë të bukur. Dua të falënderoj edhe gjithë stafin teknik që kemi pasur dhe të gjithë lojtarët që me ne kanë bërë një rrugëtim shumë pozitiv prej tre vitesh e gjysmë. Jemi rritur të gjithë bashkë.
Në fund, tifozët e apasionuar të Kombëtares, mbështetja që kemi marrë nga të gjithë ju ka qenë për ne një shenjë shumë pozitive për gjithçka që kemi bërë. Na keni dhënë shumë energji për të punuar çdo ditë dhe për t’u përpjekur gjithmonë të japim më të mirën.
Pastaj nuk ka shumë për të thënë. Mbaj mend vetëm se që ditën e parë kur erdha këtu kisha thënë një gjë, shpirt, zemër dhe djersë nuk duhet të mungojnë kurrë, sidomos në një skuadër futbolli dhe akoma më shumë në kombëtare.
E kemi bërë këtë të gjithë bashkë dhe, siç kam thënë gjithmonë, ju falënderoj të gjithëve edhe që keni qëndruar këtu për të më dëgjuar gjatë këtyre tre viteve të fundit. I uroj shumë fat sigurisht trajnerit Rolando për ciklin dhe rrugëtimin e ardhshëm, dhe i uroj gjithë të mirat kësaj federate, trajnerit dhe presidentit tonë. Faleminderit shumë”, përfundoi fjalën e tij braziliani.
Trajneri Silvinjo u largua sot nga drejtimi i Kombëtares shqiptare, ndërsa menjëherë u emërua Rolando Maran si pasues i tij. Silvinjo mbylli kështu një eksperiencë që zgjati më shumë se 3 vite ku pati shumë risi.
Një prej tyre ishte ftesa për Jasir Asanin. Ky i fundit rezultoi zgjedhje e zgjuar nga trajneri brazilian, pasi ishte Asani që me golat e tij i shtroi rrugën kuqezinjve për në Europian.
Dhe pse kishte një krisje në marrëdhënien e tyre gjatë vitit 2025, Asani ka reaguar pas largimit të Silvinjos.
“Faleminderit mister për gjithçka. Kemi bërë një rrugëtim shumë të bukur dhe të gjatë bashkë, me plot momente që nuk do t’i harroj kurrë. Jam shumë mirënjohës për besimin dhe mundësinë që më dhe për të përfaqësuar Kombëtaren. Do të të jem falenderues gjithë jetën. Suksese në vazhdim, mister”, shkruan Asani.
Kujtojmë se ndeshja e fundit zyrtare që Silvinjo i besoi Asanit ishte më 21 mars të vitit 2025, pikërisht ndaj Anglisë. Këtë vit në sfidën historike ndaj Polonisë, Asani përfundoi në tribunë.



