Iluzioni i normalitetit në bujqësinë shqiptare, kostot stratosferike të inputeve dhe pasojat e mungesës së masave të mirëfillta emergjente.
Nga Fatos Fico, ekspert i zhvillimti të qëndrueshëm
Retorika e “braktisjes”
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ju tha vendeve aleate dhe veçanërisht Mbretërisë së Bashkuar, se duhet të “gjejnë pak guxim të vonuar, të shkojnë në ngushticën e Hormuzit dhe thjesht ta kontrollojnë atë.
Në një postim, ai shkruan se shtetet “do të duhet të fillojnë të mësojnë si të luftojnë për veten e tyre, SHBA-ja nuk do të jetë më aty për t’i ndihmuar, ashtu siç ata nuk ishin aty për ne”, duke iu drejtuar vendeve “të cilat refuzuan të përfshiheshin në luftën e Iranit”. “Irani, në thelb, është asgjësuar. Pjesa e vështirë u krye,” thotë ai, duke përfunduar me mesazhin e prerë: “Shkoni e merrni vetë naftën!”
Kjo retorikë nuk është thjesht një paralajmërim gjeopolitik, por një manifest i një realiteti të ri. Mesazhi i Trump drejtuar aleatëve—”zgjidheni vetë” duket sikur po gjen një pasqyrim dhe në fushat dhe tavolinat e Shqipërisë.
Ndërsa Trump e thotë lidhur me naftën apo gazin, qeveria shqiptare duket sikur po zbaton të njëjtën filozofi përmes mosveprimit të shpejtë dhe të fortë me masa kundrejt krizës për të mbrojtur prodhimin bujqësor të fermerëve dhe ushqimin në tavolinë me çmime të përballueshme për konsumatorët. Përballë një tregu global në krizë të thellë, mesazhi i deritanishem i ekzekutivit për fermerët e prodhuesit vendas është i ngjashëm me “ç’më duhet mua se ka krizë, unë vazhdoj planin tim”.
Nga njëra anë, fermerëve po u thuhet: “gjejeni vetë naftën dhe plehrat kimike” në mes të një tregu global në krizën e radhës që duket dhe më e thellë se të mëparshmet, e nga ana tjetër, konsumatorëve dhe popullatës, të cilët po përballen me çmime të larta ushqimesh ku qeveria nuk ka ndërmend të ndërhyjë, po u thotë: “gjejeni vetë ushqimin”.
Lënia e bujqësisë në vetëadministrim me masa e politika qeveritare si në një vit normal është ekuivalente me një dorëzim “de facto” përpara vjeshtës e dimrit jo vetëm stinor që po afron. Kjo po i drejton fermerët drejt një situate ku inputet e domosdoshme për prodhimin, nafta, plehrat kimike si dhe mbijetesa e prodhimit mbeten përgjegjësi vetëm e tyre, qytetarët të shtrëngojnë rripin, ndërsa shteti qëndron spektator në një krizë ku efektet po vrapojnë.
Iluzioni i normalitetit
Problemi buron nga ai që mund të quhet “iluzioni i normalitetit”. Pak ditë më parë qeveria miratoi skemat e subvencioneve dhe masat mbështetëse për vitin 2026 sikur të ishim në një vit krejtësisht normal, pa kriza gjeopolitike. Për më tepër nuk duken në horizont masa publike kundërvepruese kundrejt krizës dhe efekteve të saj. Bujqësia moderne dhe prodhimi i ushqimit janë në thelb, një formë e konvertimit të energjisë në ushqim: naftë për mekanikën, plehrat kimike janë gaz natyror i transformuar, dhe po ashtu pesticidet kimike, pa perfshirë këtu transportin, përpunimin, ambalazhimin.
Pa këto inpute energjetike, të goditura tashmë rëndë nga kriza, cikli i prodhimit me rendiment e kosto të arsyeshme është teknologjikisht i pamundur. Skema e fundit e subvencionimit të bujqësisë e miratuar pak ditë me parë dëshmon një shkëputje nga ky realitet i ri. Duke i injoruar këta përbërës kritikë dhe duke hequr madje edhe naftën e subvencionuar që u jepej më parë fermerëve, qeveria po operon me një “auto-pilot” administrativ: ajo vazhdon agjendën e saj rutinë sikur të ishim në një vit normal, duke u thënë fermerëve të zgjidhin vetë koston e prodhimit, shitjet dhe mbijetesën.
Duke lënë jashtë analizës naftën, çmimi i të cilës në tregun lokal mund të rregullohet me lëvizje fiskale, të mbetemi tek plehrat kimike ku situata është më komplekse dhe së pari kërkon optimizim të përdorimit dhe së dyti ndërhyrje apo subvencionim në çmim dhe logjistikë. Mosveprimi për më tepër injoron faktin se kriza aktuale është një vazhdimësi e goditjes strukturore që nisi me pushtimin e Ukrainës në vitin 2022.
Gjatë atij viti, çmimi i uresë në bursat globale i kaloi 900-1,000 dollarët për ton, duke vendosur një standard të ri të pasigurisë ushqimore. Megjithëse çmimet njohën më vonë një stabilizim në ulje, ato mbetën në një “dysheme” shumë më të lartë se paralufta, duke e bërë situatën aktuale , jo një ngjarje të izoluar, por një valë të dytë goditëse mbi një sektor të lodhur. Ndërkohë, kriza po vepron me shpejtësi dhe si pasojë Kina, prodhuesi më i madh global i plehrave kimike, ka pezulluar eksportet e plehrave kimike, ndërsa Rusia po eksporton me kuota të forta si mjet presioni politik.
Mbi të gjitha, bllokimi në Ngushticën e Hormuzit mban peng eksportet e Katarit dhe Iranit, prodhuesit kryesorë të plehrave azotike dhe squfurit për plehrat fosfatike, duke diktuar rritjen e çmimeve në të gjithë botën. Urea në bursa luhatet aktualisht në rreth 450-550 dollarë për ton, ndërsa në tregjet rajonale ku furnizohet Shqipëria si Turqia, Greqia apo Italia ajo tregtohet mesatarisht me 500-600 euro.
Por në tregun tonë i cili sillet si treg oligopolist ajo përfundon tek fermeri shqiptar aktualisht me rreth 700-800 euro. Në një treg me vëllime të vogla dhe mungesë konkurrence nga tregtarët e inputeve, të vazhdosh në kohë krize të subvencionosh me skema rutinë pa adresuar këto kosto të reja strukturore, është si të kërkosh të shuash me gota uji zjarrin në pyje. Ne e dimë tashmë se për të shuar zjarret në pyje duhen aeroplanët e premtuar qoftë të vendit, qoftë nga Europa, si dhe shumë masa të tjera edhe më të domosdoshme se aeroplanët.
Pyetja që shtrohet është: A do të ketë më fermerë në vjeshtë? Me llogaritjet aktuale, një fermer që guxon të mbjellë sot apo të vazhdojë të punojë me kostot e rritura do të përballet me një humbje pothuaj të sigurt. Kostot e naftës për punimin e tokës, farat, pesticidet dhe plehrat kimike, e kalojnë vlerën e parashikuar të shitjes së prodhimit. Shumë prej fermerëve po mendojnë edhe seriozisht ta lënë tokën djerrë, pasi është më e lirë të mos prodhosh sesa të prodhosh me humbje.
Demokratizimi i teknologjisë, Spektrometri si mjet pune
Në këtë pikë, masat e emergjencës duhet të ishin jo vetëm financiare, por edhe thellësisht teknike, pasi sistemi aktual i analizave të tokës të nevojshme për optimizimin e përdorimit të plehrave kimike dhe ruajtjes së rendimentit nuk i përgjigjet nevojave. Nga afro 400,000 hektarë tokë e punueshme në vend, vetëm një fraksion në pak përqind analizohet çdo vit, ndërsa pjesa dërrmuese plehërohet dhe punohet me traditë.
Problemi është logjistik dhe financiar: ndërsa një analizë bazë shtetërore e subvencionuar e ka dyshemenë në rreth 3,000 lekë, një analizë e plotë agrokimike në laboratorët privatë e domosdoshme për të njohur edhe mikroelementët shkon nga 5,000 deri mbi 10,000 lekë të reja për kampion. Me tokat shqiptare tejet të copëtuara, një fermer duhet të marrë disa kampione për parcelat e ndryshme, duke e shumëfishuar faturën. Për më tepër, laboratori klasik kërkon 2 deri në 3 javë për të nxjerrë përgjigjen.
Optimizimi i përdorimit të plehrave kimik kërkon kryerjen e analizave të tokës dhe për fat të zhvillimeve të teknologjisë moderne nuk kërkon laboratorë kompleksë, por “demokratizimin” ose më mirë masivizimin e përdorimit të saj si p.sh. me metodën NIR (Near-Infrared) ose të ngjashme.
Spektrometri profesional portativ është një pajisje e thjeshtë që e kthen çdo agronom, student, apo dhe një fermer me sadopak eksperiencë në një laborator lëvizës të saktë dhe me autoritet vendimmarrës. Pajisja mund ta skanojë tokën në pak minuta dhe përmes një aplikacioni smartphone, që përpunon të dhënat automatikisht në cloud, e jep rezultatin në vend. Kjo e lejon “specialistin” të konstatojë menjëherë nëse një parcelë ka, ose jo nevojë për plehërim kimik dhe për çfarë sasie, duke shmangur plehërimin e panevojshëm.
Të dhëna të ndryshme tregojnë p.sh. se shumë toka për shkak të mbiplehërimit të mëparshëm kanë mjaftueshëm fosfat dhe nuk kanë nevojë për doza të tjera. Ndërkohë analizat e tokës në BE ku synojmë të futemi janë domosdoshmëri dhe të subvencionuara direkt ose indirekt që të shmanget ndotja nga azoti, fosfori, të tokës, ujit dhe ajrit.
Megjithëse investimi fillestar për një spektrometër profesional luhatet nga 3,000 deri në mbi 5,000 euro, plus kostot vjetore të licencave cloud (rreth 1,500 euro), dhe duken të papërballueshme për shumicën e fermerëve zgjidhja qëndron te modelet e bashkëpunimit, tek grantet qeveritare, tek investimet e pushtetit lokal, biznesi privat, etj. si mënyrë për të përballuar koston financiare:
- Grupet e Fermerëve: Një grup prej 30-40 fermerësh mund ta ndajnë pajisjen, duke e zbritur koston për person në vlerën e një analize të vetme laboratorike.
- Bashkitë dhe Qendrat e Transferimit (QTTB): Bashkitë duhet t’i pajisin specialistët e tyre të terrenit me këto mjete, duke u ofruar analizën si shërbim publik “derë më derë” për të mundësuar punimin optimal të tokë
- Biznesi Privat dhe Studentët: Kompanitë e inputeve mund ta ofrojnë këtë si shërbim, ndërsa studentët mund të kryejnë praktika monitorimi masiv të
Spektrometri dhe analizat e shpejta lejojnë fermerin të kuptojë menjëherë nëse toka ka nevojë për Nitrogjen, Fosfor apo Kalium. Duke ditur profilin e saktë të tokës, fermeri mund të reduktojë përdorimin e plehrave kimike me 30% deri në 40%. Në kushtet kur çmimi i plehut është trefishuar, ky kursim nuk është thjesht efikasitet, por kufiri që ndan falimentimin nga fitimi, e mbijetesa. Pa këto mjete teknike, fermeri shqiptar po gropos para që nuk i ka në tokë në formë plehrash kimike pa pasur asnjë garanci për rendimentin dhe efektivitetin.
Spanja, teknologjia dhe masat mbrojtëse ndaj krizes se fundit
Përgjigjja e Spanjës ndaj goditjes së çmimeve të inputeve pas invazionit të Ukrainës shërben si një model i efikasitetit teknologjik përballë pasigurisë gjeopolitike. Madridi nuk u mjaftua me injektimin e thjeshtë të likuiditetit në atë kohë, por e kushtëzoi mbështetjen emergjente me adoptimin e bujqësisë së precizionit.
Përdorimi masiv i spektrometrave NIR lejoi fermat spanjolle të kryenin analiza në kohë reale, duke përcaktuar profilin e saktë të nevojave ushqyese për tokën pikërisht kur çmimi i plehrave azotike u trefishua në bursat globale. Rezultati ishte një reduktim i përdorimit të sasisë së inputeve nga 20% deri në 40%, pa e cenuar rendimentin për hektar. Ky investim strategjik në digjitalizim funksionoi si një mekanizëm që e mbrojti efikasitetin e prodhimit nga luhatjet e forta të çmimeve të tregut të lëndëve të para.
Por, masat teknike janë vetëm hapi i parë, qeveria spanjolle, për të përballuar pasojat nga kriza e shkaktuar nga lufta në Iran, miratoi në mars 2026 një fond emergjence prej 5 miliardë eurosh për bujqësinë. Nga kjo paketë, 500 milionë euro u alokuan ekskluzivisht si ndihmë direkte për blerjen e plehrave kimike.
Kjo u plotësua me një zbritje tatimore prej 15% për shpenzimet në plehra kimike dhe pesticide në deklaratat e të ardhurave të fermerëve. Për të amortizuar kostot e karburantit, qeveria riktheu aplikimin e zbritjes prej 20 cent për litër për naftën bujqësore, e shoqëruar me një rimbursim të akcizës.
Paralelisht, për të ulur varësinë nga luhatjet e çmimeve të energjisë, financohen projekte fotovoltaike për modernizimin e ujitjes, krahas një uljeje masive të TVSH-së nga 21% në 10% për karburantet, energjinë elektrike dhe gazin. Ky kombinim i subvencionimit të drejtpërdrejtë të inputeve me lehtësimin e barrës fiskale mbi energjinë, i aktivizuar vetëm pak javë pas bllokimit të Ngushticës së Hormuzit, mbetet e vetmja mënyrë që parandalon braktisjen e tokave në kushtet e një krize lufte.
Fatura e neglizhencës
Nëse nuk ndërhyhet tani me masa radikale financiare dhe teknike, fatura e kësaj neglizhence do të paguhet që këtë vjeshtë dhe do të vazhdojë gjatë. Kur prodhimi vendas të mungojë, tregu do të mbushet me importe të shtrenjta dhe çmimet për ushqimet e tavolinave të shqiptarëve do të kërcejnë sërish.
Qeveria po rrezikon që një vit i nisur si “normal” në letër, në kushtet e krizës se Iranit, të mbyllet në realitet me mungesë prodhimi, inflacion ushqimor të lartë, e plot probleme të tjera.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.



