Monday, May 4, 2026
Google search engine
BallinaPolitikeTrump ultimatum Ramës për buxhetin e ushtrisë, ambasadori amerikan në NATO kërkon...

Trump ultimatum Ramës për buxhetin e ushtrisë, ambasadori amerikan në NATO kërkon 5% të PBB investime, Meçollari… – Sot News


Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në NATO, Matthew Whitake zhvilloi dje një vizitë në Tiranë, ndërsa u takua me marinsat, punonjësit amerikanë dhe shqiptarë që shërbyen në operacionet e NATO-s në Afganistan dhe Irak, si dhe me kryeministrin Edi Rama dhe ministrin e Mbrojtjes, Ermal Nufi. Ambasadori i SHBA në NATO, Matthew Whitaker përmes një postimi në “X” ka ndarë detaje nga vizita e tij në Shqipëri. Whitaker shkruan se zhvilloi një tur informues mbi Bazën Ajrore të Kuçovës me ministrin e Mbrojtjes, Ermal Nufi. Sa i përket takimit me kryeministrin Edi Rama, ai theksoi se folën lidhur me objektivin e Presidentit amerikan, Donald Trump për shpenzime mbrojtëse prej 5% të PBB-së. Por nëse shohim me kujdes këtë deklaratë, ajo është një sinjal i qartë presioni dhe ripozicionimi strategjik, i cili ka ardhur nga SHBA drejt Shqipërisë.

Fakti që diplomati Matthew Whitaker, artikuloi hapur pritshmërinë e Uashingtonit: rritjen drastike të shpenzimeve për mbrojtjen deri në 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto – një objektiv i lidhur drejtpërdrejt me vizionin e presidentit Donald Trump, tregon se mesazhi ishte i qartë: Shqipëria duhet të shkojë përtej angazhimeve aktuale dhe të rrisë kapacitetet e saj ushtarake në një nivel të ri, në përputhje me kërkesat në rritje të NATO. Objektivi 5% nuk është më një ide e largët, por një kërkesë konkrete që mund të ndryshojë tërësisht arkitekturën e buxhetit shqiptar. Mirëpo nëse deri më tani vendet e NATO-s janë nxitur të arrijnë 2% të PBB-së për mbrojtjen, kjo kërkesë e re sinjalizon një fazë të re tensioni global dhe përgatitjeje ushtarake. Shqipëria, si një aleate strategjike në Ballkan, duket se është në vijën e parë të këtij transformimi. Por d do ta përballojë Tirana këtë presion financiar dhe politik? Apo ky është fillimi i një debati të fortë për prioritetet kombëtare? Një gjë është e sigurt: mesazhi nga Uashingtoni nuk lë vend për keqkuptime, ndërsa zërat nga ushtarakët dhe qeveria kanë lënë të nënkuptohet se objektivi 5% nga Shqipëria vështirët të arrihet për momentin.

Reagon Meçollari Ka qenë ish zv/komandanti i Forcave Detare, Artur Meçollari, i cili teksa ka shpërndarë foto nga takimi i kryeministrit Edi Rama me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në NATO, Matthew Whitake, ku ngriti alarmin se për shkak të korrupsionit që ka mbërthyer vendin, objektivi i Shqipërisë për rritjen në 5% të buxhetit të mbrojtjes në kuadër të angazhimit si vend amëtar i NATO-s vështirë se arrihet. “Pra si vajti ajo puna e buxhetit të mbrojtjes? Korrupsioni që po gërryen dhe angazhimet në NATO. Vjet, pra në vitin 2025, buxheti I mbrojtjes u miratua 2,01 % të PPB dhe buxheti real në fund të vitit arriti 1,75%, pasi 75 milion euro u kthyen në Ministri të Financave si të pashpenzuara. Këtë vit është miratuar 2,03 % të PPB-së. Po sa do jetë realizuar në fund të vitit? Ambasadori i SHBA në NATO gjatë vizitës në Shqipëri i kujton Qeverisë Shqiptare “mesazhin e fortë të Presidentit Trump”, si dhe takon personalisht edhe Ministrin e Financave”, shkroi dje Meçollari. Çfarë ka deklaruar Rama? Ndërkohë disa muaj më parë kryeministri Edi Rama, ndërsa ka komentuar propozimin e presidentit Donald Trump për t’u kërkuar anëtarëve të NATO që t’i dedikojnë 5% të PBB për mbrojtjen, u shpreh se Shqipëria s’mundet të ketë një ushtri me të gjitha deri tek arma bërthamore, teksa shtoi “nuk do të mbushim depot me lloj-lloj mallrash që as s’do t’i përdorim”. “

Franca është rast unikal që ka një ushtri nga A-ZH dhe mund ti bëjë vetë të gjitha, por Shqipëria nuk mundet dot ta ketë një ushtri të tillë dhe si Shqipëria ka edhe shumë vende të tjera që nuk mund të keni një ushtri që ti ketë të gjitha deri tek arma bërthamore. Ne duhet të jemi komplementarë në kontekstin e përgjithshëm, duhet një plan i mirë menduar me procedura të qarta për të gjithë dhe garanci eficense në ato paratë që vendosen.

Në letra rezulton si shpenzim i mjaftueshëm për ushtrinë por nuk është forcim i mbrojtjes. Ne duhet të jemi realist dhe të kuptojmë si do të rrisim kapacitetet jo buxhetin vetëm”, deklaronte në maj të vitit 2025, duke dalë hapur kundër presidentit të SHBA-ve, Donald Trump, i cili ka vënë si kusht për vendet e NATO-s që buxhetin e mbrojtjes ta kenë 5%. Po ashtu, edhe Spanja e ka hedhur poshtë kërkesën e NATO-s për t’i shpenzuar 5 për qind të prodhimit të brendshëm bruto (PBB) për nevojat e mbrojtjes, duke e quajtur atë “të paarsyeshëm”. Në një letër dërguar vitin që shkoi sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez, tha se Spanja “nuk mund të zotohet për një synim të veçantë shpenzimesh në përqindje të prodhimit të brendshëm bruto”. Pra si Sanchez dhe Rama dolën hapur kundër presidentit Trump.



Burimi sot.com.al

Artikuj te ngjashem
- Advertisment -
Google search engine

Me Te Klikuarat