Sunday, May 3, 2026
Google search engine
BallinaEkonomi“Korridori VIII” mund të kthehet në një super “bosht paqeje” energjetik, rrugor,...

“Korridori VIII” mund të kthehet në një super “bosht paqeje” energjetik, rrugor, hekurudhor


Nga Laert Dogjani

 

Korridori VIII nuk ekziston me këtë emërtim në Rregulloret e BE-së. Britania e Madhe dhe Irlanda u bashkuan në vitin 1800. Vetëm 15 vite më vonë, Parlamenti Britanik miratoi ligjin mbi “Rrugët Holyhead” ku bën pjesë edhe Ura Menai. Kjo rrugë (sot quhet rruga A5) e bashkoi edhe fizikisht Britaninë e Madhe me Irlandën. Rruga A5 ndjek rrugën Romake Iter II.

Ura Menai, një “mrekulli” urë e varur e viteve 1800, është ende në funksion si rrugë dhe si objekt turistik. Për krahasim, korridoret e Bashkimit Europian, qoftë ato rrugore (multimodale) dhe energjetike, nuk kanë pasur bazë juridike zyrtare në formën e Direktivave apo Rregulloreve deri në vitin 2013. Deri atëherë, korridoret e emërtuara me numrat I deri te IX apo X nuk kanë ekzistuar si dokumente të forta ligjore (Direktiva/Rregullore), por më shumë si deklarata politike.

Shumëkush mund të gjejë konferenca ku përmenden korridoret e BE-së, ndër to edhe Korridori VIII prej vitit 1991 apo 1994, por të gjitha këto kanë qenë deklarata politike dhe jo detyrime ligjore për zbatim.

Nyje dhe linja të “Korridorit VIII” shfaqen vetëm në vitin 2013 te Rregullorja Reg (EU) Nr. 1315/2013 si listë nyjash/qytetesh që ndërlidhen. Edhe në këtë rregullore, Korridori VIII mbetet jashtë përkufizimit si Korridor “Themelor” (Core) i BE-së dhe është i ndarë mes korridoreve të tjera dhe nuk ekziston me këtë emërtim. Edhe në Rregulloren Reg 2024/1679 ku përcaktohen “Korridoret Europiane të Transportit”, Korridori VIII nuk gjendet me këtë emër por si “Korridori Ballkani Perëndimor – Mesdheu Lindor”.

Romakët e lashtë që ndërtuan Rrugën Iter II dhe Rrugën Egnatia, pas një rrëfenje të tillë, me siguri do të thonin “verba volant, scripta manent”.

Për kuriozitet, edhe emërtimi “Korridori X” i dikurshëm përfshihet po ashtu në Korridorin “Ballkan Perëndimor – Mesdhe Lindor”. Korridoret në Rregulloren e vitit 2024 kanë hierarkinë Core (themelor), Extended Core dhe Comprehensive corridor.

Ndryshimi qëndron në afatet për zbatim, buxhetet përkatëse, elektrifikimin e hekurudhave, mbështetjen burokratike për zbatimin, përdorimin ushtarak (NATO/EU) dhe të tjera. Ndryshim tjetër me vitin 2013 është se tashmë korridoret përfshijnë edhe shtete si Moldavia dhe Ukraina, që po ashtu janë në garë me Shqipërinë për t’u pranuar në BE. Për kuriozitet, e vetmja nyje me statusin “Core” në Shqipëri, në atë që historikisht njohim si Korridori VIII, është Porti i Durrësit. Ngjashëm me korridoret e transportit (rrugë, hekurudha, porte), BE-ja organizon edhe korridoret energjetike TEN-E në Rregulloren (BE) 2022/869.

Ndër vite, shqiptarët janë bombarduar mediatikisht se si Shqipëria ka pozicion strategjik. E megjithatë, i vetmi rast kur ky pozicion strategjik është materializuar ka ndodhur kur paratë dhe vullneti kanë ardhur nga jashtë (megjithëse me ide shqiptare), siç është tubacioni i gazit TAP.

Edhe ky përpara miratimit ishte në konkurrencë me tubacione që nuk kalonin në Shqipëri. Korridoret energjetike përmbajnë forma të ndryshme të energjisë (elektrike, gaz, hidrogjen dhe CO2). Korridoret energjetike, ndryshe nga ata të transportit, janë korridore strategjike. Kjo është mënyra se si mund të kishim shtyrë përpara “Korridorin VIII”.

Shumë prej korridoreve energjetike dhe atyre të transportit mbivendosen me njëri-tjetrin. Ndërtimi bashkërisht do të mundësonte sinergji dhe kursime të jashtëzakonshme, sidomos nëse do të përfshinte edhe valutën më të fuqishme të këtij shekulli, të dhënat, në formën e fibrave optike dhe qendrave të të dhënave. Por kjo për momentin bie ndesh me Traktatin e Themelimit të BE-së, por në terma praktikë do të duhej të ndiqej si pistë, ngjashëm me mënyrën si Kina ndërton nismën “Brez dhe Rrugë” (Belt and Road Initiative).

Energjia (sidomos ajo e rinovueshme) është nga pak produktet tona për të cilat ka kërkesë BE-ja. Këtë do të duhej ta kishim shfrytëzuar dhe ende mund ta shfrytëzojmë strategjikisht, edhe në funksion të shtyrjes para dhe tërheqjes së fondeve për korridoret e transportit.

Në këtë kuptim, duhet me urgjencë të zbatojmë të gjitha projektet energjetike të parashikuara në strategjitë tona, përfshirë FSRU-në në Vlorë, linjën HVDC me Italinë, dhe projekte të tjera të gjenerimit të energjisë. Korridori Jugor i Gazit (TAP) është i vetmi korridor që replikon Rrugën Egnatia, pasi shkon në Stamboll dhe përtej deri në Azerbajxhan.

Prej aty, fare mirë mund të shkojë drejt një Irani të ardhshëm demokratik, apo një Irani pjesë e një marrëveshjeje me Perëndimin. Ky i fundit mban rezervat e dyta në botë të gazit natyror pas Rusisë, kjo e fundit në luftë me Ukrainën kandidate për pranim në BE, si edhe Shqipëria. Irani po ashtu mban rezerva të mëdha nafte dhe burime të jashtëzakonshme elektriciteti nga parqe të mundshme fotovoltaike.

Prej Iranit mbërrin në Indi, çka do të krijonte një konkurrues “demokratik” ndaj nismës kineze “Brez dhe Rrugë” (Belt & Road Initiative) pjesë e së cilës deri vonë ishte edhe Italia. Kështu do të duhej të marketohej Korridori që kemi njohur si Korridori i VIII. Për sa kohë Bullgaria nuk ishte vend anëtar i BE-së dhe për sa kohë ne dhe Maqedonia e Veriut nuk jemi anëtarë, ai gjithmonë do të jetë në grupin e dytë për nga rëndësia në mos më poshtë.

Kështu “Korridori VIII” mund të kthehet në një super “bosht paqeje” energjetik, rrugor, hekurudhor, të dhënash dhe njerëzor nga Italia në Iran e prej aty në Indi. Do të mund të ishte konkurrenti demokratik i nismës kineze “Brez dhe Rrugë” (Belt and Road).

Të vetmit që mund të shtyjnë përpara dhe realizojnë ide të tilla dhe që mund të pastrojnë tavolinën nga sherret e “vogla” historike dhe korrupsionet e mëdha ballkanike dhe europiane janë 1. Luftërat 2. SHBA-ja njëlloj siç përfunduan Rrugën e Kombit, e cila në atë kohë quhej jo-rentabël.

 

Lexoni edhe:

Rruga pa krye e Korridorit VIII

Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.



Source link

Artikuj te ngjashem
- Advertisment -
Google search engine

Me Te Klikuarat