BallinaEkonomiShqipëria të përshpejtojë tranzicionin e gjelbër dhe modernizimin ekonomik për t’u afruar...

Shqipëria të përshpejtojë tranzicionin e gjelbër dhe modernizimin ekonomik për t’u afruar me BE


Intervistë me presidenten e BEI-t, Nadia Calviño

 

Shqipëria do të përballet në vitet e ardhshme me sfida të mëdha që lidhen me tranzicionin e gjelbër, modernizimin e infrastrukturës, digjitalizimin dhe rritjen e qëndrueshmërisë ekonomike në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Në një intervistë për “Monitor”, presidentja e Bankës Europiane të Investimeve (BEI), Nadia Calviño, thotë se BEI synon të rrisë financimin për Shqipërinë me 60% gjatë vitit 2026, duke e kthyer vendin në një nga përfituesit kryesorë të investimeve europiane në rajon.

Sipas saj, sfidat kryesore mbeten transformimi i sektorit energjetik, përmirësimi i rrjetit hekurudhor, zgjerimi i internetit me shpejtësi të lartë, përballimi i rreziqeve klimatike dhe rritja e aksesit në financim për bizneset shqiptare.

Calviño thekson se BEI do të luajë rol kyç jo vetëm si financues, por edhe si partner strategjik për të ndihmuar Shqipërinë të përshtatet me standardet dhe tregun e përbashkët të BE-së.

 

Banka Europiane e Investimeve ka qenë partner financiar kyç për Shqipërinë. Si po ndryshon roli i Bankës ndërsa vendi ecën përpara në procesin e anëtarësimit në BE?

Më lejoni të përgëzoj Shqipërinë për përparimin e madh në rrugën e saj të pranimit në BE, siç u tha edhe në takimin tim me kryeministrin Rama. Si motori i investimeve për pranimin në BE, Grupi i Bankës Europiane të Investimeve po mbështet të ardhmen e Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Ne kemi investuar 1 miliard euro në Shqipëri deri më sot, me ndikim të madh në sektorët e transportit, energjisë, ujit dhe atë digjital. Në vitin 2026, BEI synon të rrisë financimin me 60% në vend, krahasuar me vitin e kaluar. Ky është një sinjal i qartë se financimi i BE-së vazhdon të rritet, ndërsa vendi përparon drejt anëtarësimit.

 

Tranzicioni i gjelbër mbetet përparësi kyçe për BE-në. Si po e përkthen BEI këtë agjendë në investime konkrete në Shqipëri dhe në Ballkanin Perëndimor?

Ne jemi financuesi kryesor i projekteve të energjisë në Europë. Në vitin 2025, Grupi i BEI-t investoi një vlerë rekord prej 33 miliardë eurosh, në energji të pastër dhe efikasitet energjetik në të gjithë botën.

Në të gjithë Ballkanin Perëndimor, ne tashmë po mbështesim burimet e rinovueshme të energjisë, po përmirësojmë rrjetin dhe rehabilitojmë infrastrukturën për të rritur sigurinë energjetike.

Në Shqipëri, ne gjithashtu synojmë të luajmë rol transformues përtej dekarbonizimit të NVM-ve, duke mbështetur diversifikimin e energjisë, kapacitetin hidroenergjetik dhe qëndrueshmërinë e rrjetit.

 

 

Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme janë shpeshherë më të ndjeshmet ndaj ndryshimeve strukturore. Si po i mbështet BEI NVM-të në Shqipëri që të përshtaten me tranzicionin e gjelbër dhe digjital?

Gjatë vizitës sime në Shqipëri, zëvendëspresidenti i BEI-t, Robert De Groot, nënshkroi linjën e parë të kreditimit prej 20 milionë eurosh me “Intesa Sanpaolo Bank Albania” në kuadër të Instrumentit tonë të ri për Inovacion dhe Transformim të Gjelbër.

Kjo do të mbështesë Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme shqiptare për financim të favorshëm dhe për të investuar në inovacion, digjitalizim dhe prodhim më të gjelbër. Dhe ne po i ndihmojmë ato të integrohen në ekonominë europiane.

Gjithashtu pata mundësinë të vizitoja një dyqan ëmbëlsirash dhe furrë buke “Le Bon”, me seli në Tiranë, i cili tregon qartë se si financimi i Grupit të BEI-t krijon histori suksesi, duke i ndihmuar bizneset lokale që të rriten dhe të krijojnë vende pune.

Në dhjetë vitet e fundit, mbi 20 000 Ndërmarrje të Vogla dhe të Mesme në Shqipëri kanë përfituar nga mbështetja jonë, në partneritet me bankat tregtare në vend.

 

Duke pasur parasysh mjedisin global gjithnjë e më të fragmentuar, si e shihni rolin e Europës dhe të institucioneve si BEI në forcimin e qëndrueshmërisë ekonomike dhe autonomisë strategjike?

Në një botë të mbushur me sfida, Europa është një etalon stabiliteti dhe paqeje, dhe një superfuqi me një treg të madh të vetëm prej gati gjysmë miliard njerëzish.

Së bashku me vendet e zgjerimit të BE-së dhe fqinjësisë, të gjithë mund të kontribuojmë në formësimin e rendit të ri global, bazuar në vlerat tona të përbashkëta demokratike.

Grupi i BEI-t është motori i investimeve për anëtarësimin në BE. Është në ADN-në tonë. Në pronësi të 27 shteteve anëtare të BE-së, ne veprojmë në përputhje të plotë me politikat e BE-së dhe jemi partnerë në çdo valë zgjerimi.

Grupi i BEI-t është i pranishëm si para edhe pas anëtarësimit. Dhe mbështetja jonë për Shqipërinë është një shembull shumë i mirë i asaj që Europa u ofron bizneseve dhe qytetarëve.

 

Ballkani Perëndimor po shihet gjithnjë e më shumë si një vend me rëndësi strategjike për BE-në. Çfarë roli mund të luajë Shqipëria në forcimin e qëndrueshmërisë ekonomike dhe zinxhirëve të furnizimit të BE-së?

Anëtarët e ardhshëm të BE-së janë aksionarë të ardhshëm të BEI-t. Me zhbllokimin e njohurive dhe instrumenteve financiare, duke përfshirë grantet e BE-së, ne ndihmojmë në ndërtimin e infrastrukturave moderne dhe të qëndrueshme, të cilat sjellin ndryshim për qytetarët, në fusha të tilla si energjia, transporti, shëndetësia, arsimi ose infrastruktura ujore.

Shqipëria është një partner fqinj i besueshëm dhe jam e bindur se do të shfrytëzojë sa më shumë mundësitë që e presin në të ardhmen e saj europiane.

 

Digjitalizimi është një tjetër shtyllë kyçe e integrimit. Si po i mbështet BEI përpjekjet e Shqipërisë për t’u përshtatur me Tregun e Përbashkët Digjital të BE-së?

Ne po përgatisim një projekt me qëllim zgjerimin e internetit me shpejtësi të lartë në pjesët e rurale dhe ku nuk ofrohet shërbim interneti në Shqipëri. Ai synon të përmirësojë lidhjen për shkollat ​​dhe institucionet publike dhe të rrisë mbulimin e internetit me brez të gjerë për familjet në rreth 70%.

Ky është një shembull se si mbështetja europiane do t’i ndihmojë njerëzit dhe bizneset shqiptare të integrohen plotësisht në ekonominë digjitale europiane.

 

Projekti

Ne po përgatisim një projekt me qëllim zgjerimin e internetit me shpejtësi të lartë në pjesët e rurale dhe ku nuk ofrohet shërbim interneti në Shqipëri. Ai synon të përmirësojë lidhjen për shkollat dhe institucionet publike dhe të rrisë mbulimin e internetit me brez të gjerë për familjet në rreth 70%.

 

Infrastruktura e transportit mbetet pengesë për rritjen. Sa i rëndësishëm është modernizimi i sektorit hekurudhor në Shqipëri dhe çfarë roli po luan BEI në këtë proces?

Transformimi i sistemit hekurudhor në Shqipëri do t’u sjellë dobi drejtpërdrejt qytetarëve dhe do ta lidhë më mirë Shqipërinë me rajonin dhe Bashkimin Europian, duke ndërtuar lidhje më të forta ekonomike dhe njerëzore me rajonin.

Fjalët i kthejmë në vepra. Për shembull, ne po mbështesim linjën hekurudhore Durrës–Rrogozhinë, që do të lidhë portin kryesor të vendit me korridoret kryesore rajonale, dhe modernizimin e linjës Vlorë – Han i Hotit, që do të forcojë lidhjen ndërkufitare me Malin e Zi dhe do të mbështesë integrimin më të mirë në rrjetin hekurudhor europian.

 

 

Rreziqet klimatike po bëhen më të dukshme në të gjithë rajonin. Si po i mbështet BEI projektet e përshtatjes ndaj ndryshimeve klimatike në Shqipëri, përtej përpjekjeve për zbutje të tyre?

Grupi i BEI-t do të dyfishojë financimin për përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike në 30 miliardë euro deri në vitin 2030. Kjo është gjëja e duhur dhe e zgjuar për t’u bërë, pasi çdo euro e investuar në parandalim dhe përshtatje ndaj ndryshimeve klimatike kursen midis 5 dhe 7 euro në vlerë dëmesh dhe rindërtimi.

Pra, ne duhet të sigurohemi që ekonomitë tona të jenë të qëndrueshme ndaj ndryshimeve klimatike.

Në Shqipëri, përmbytjet dhe thatësirat kanë treguar qartë nevojën për këto investime. Kështu, BEI po mbështet rrjetin e ujësjellësit në Tiranë, për më shumë se 800 000 njerëz.

Ne gjithashtu hartuam plane për menaxhimin e rrezikut nga përmbytjet për basenet e lumenjve në vend. Kjo do të mundësojë ndërtimin e infrastrukturës kritike për mbrojtjen nga përmbytjet dhe rezistencën ndaj ndryshimeve klimatike.

 

Aksesi në financim mbetet sfidë për shumë biznese në rajon. Cilat janë pengesat kryesore që identifikoni në ekosistemin financiar të Shqipërisë? Çfarë roli mund të luajë BEI në mbështetjen e bizneseve për të përmirësuar standardet dhe për të përmbushur kërkesat e BE-së?

Ne e kanalizojmë financimin përmes sektorit financiar, në mënyrë që kompanitë e vogla dhe të mesme të kenë akses në financim më të lirë, për të rritur efikasitetin e tyre energjetik, si dhe për të modernizuar e për të digjitalizuar bizneset e tyre.

BEI gjithashtu ofron asistencë teknike përmes shërbimeve tona këshillimore, duke mbështetur Bankën e Shqipërisë dhe bankat lokale për të nxitur investimet e gjelbra midis Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme dhe për të forcuar qëndrueshmërinë e tyre ekonomike.

 

 

Si e vlerësoni ritmin e zbatimit të projektit në Shqipëri dhe çfarë përmirësimesh do të rekomandonit për të rritur kapacitetin përthithës?

Shqipëria mund të mbështetet te BEI në rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE dhe në të gjitha instrumentet e disponueshme të BEI-t, duke përfshirë shërbimet tona këshillimore. Së bashku, mund t’i shndërrojmë prioritetet në projekte që u sjellin dobi qytetarëve shqiptarë, të tilla si rrjet modern hekurudhor apo infrastrukturë më të fortë ujore.

 

Me sytë nga e ardhmja, cilat janë përparësitë e BEI-t në Shqipëri gjatë pesë viteve të ardhshme?

Duke parë përpara, fokusi ynë do të jetë sektori i transportit, energjia e rinovueshme, infrastruktura digjitale, përshtatja ndaj ndryshimeve klimatike dhe rritja e financimit për Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme.

BEI do të vijojë të mbetet partner i besueshëm dhe mbështetës i Shqipërisë, duke punuar së bashku për të realizuar projekte që përmirësojnë jetën e njerëzve dhe ndihmojnë në prosperitetin tonë të përbashkët.

 

E ardhmja

Fokusi ynë do të jetë sektori i transportit, energjia e rinovueshme, infrastruktura digjitale, përshtatja ndaj ndryshimeve klimatike dhe rritja e financimit për Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme

 

Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.



Source link

Artikuj te ngjashem
- Advertisment -
Google search engine

Me Te Klikuarat