Analisti i njohur Fatos Lubonja, i ftuar në një studio televizive ka bërë një analizë të situatës politike dhe ecurisë së protestave qytetare që kanë përfshirë kryeqytetin.
Gjatë bisedës, Lubonja u ndal te qëndrueshmëria e tubimeve, por ngriti alarmin për rreziqet e mëdha që i kanosen kësaj lëvizjeje nga ana e pushtetit.
Sipas analistit, ndryshe nga çfarë jemi mësuar të shohim, qytetarët në këtë protestë po tregojnë një shkallë të lartë pjekurie, duke u kujdesur maksimalisht që të mos bien pre e provokimeve apo tentativave për përçarje.
I pyetur se çfarë mund ta rrezikojë apo ta dobësojë këtë hov qytetar, Lubonja drejtoi gishtin nga sjellja e qëllimshme e kryeministrit Edi Rama dhe kabinetit të tij, duke e cilësuar “indiferencën” si një armë strategjike.
“Ka shumë rreziqe. Një nga rreziqet për shembull është pikërisht indiferenca e pushtetit në kuptimin që: ‘dilni ju, po unë nuk pyes’. Kur një pushtet i përgjegjshëm sheh çështjen dhe reagon, atëherë ti merr kurajo nesër të dalësh prapë. Ndërsa ai thotë: ‘dilni ju, unë kam punën time, karvani shkon përpara’…” u shpreh Lubonja.



