SUDAN- Të paktën 18 civilë u vranë nga paraushtarakët në shtetin e Kordofanit të Veriut, në pjesën perëndimore të Sudanit, ku lufta civile ka shpërthyer për më shumë se dy vjet, tha të shtunën një organizatë joqeveritare. Shteti, skenë e luftimeve të ashpra midis paraushtarakëve të Forcave të Mbështetjes së Shpejtë (RSF) dhe ushtrisë së rregullt, është izoluar dhe komunikimet tani janë praktikisht inekzistente.
Sipas Avokatëve të Emergjencave, të cilët kanë dokumentuar mizoritë e kryera nga të dyja palët që nga shpërthimi i luftës, paraushtarakët sulmuan dy fshatra në jug të zonës së Umm Quraydim të enjten, duke vrarë “18 civilë” dhe duke plagosur “dhjetëra të tjerë”.



