Saturday, March 7, 2026
Google search engine
BallinaEkonomiIndustria përpunuese, përballë sfidave të tregut dhe shanseve nga integrimi në BE

Industria përpunuese, përballë sfidave të tregut dhe shanseve nga integrimi në BE


Intervistë me z. Luan Leka, CEO i E.H.W

 

Industria përpunuese shqiptare, veçanërisht ajo ushqimore, po përballet me presione të mëdha nga importet, tkurrjen e popullsisë dhe mungesën e fuqisë punëtore, ndërsa pesha e saj në ekonomi po vjen në rënie.

Në këtë kontekst, procesi i anëtarësimit në Bashkimin Europian shihet si një mundësi për ristrukturim dhe zhvillim.

Z. Luan Leka, me mbi 30 vite përvojë në industrinë agropërpunuese dhe drejtues i grupit EHW, thekson se përputhja e legjislacionit të sigurisë ushqimore me standardet e BE-së është kushti themelor për të hapur tregjet e eksportit dhe për ta bërë sektorin konkurrues.

Ai nënvizon se integrimi europian mund të sjellë investime dhe efikasitet më të lartë, por kërkon veprim të menjëhershëm nga shteti dhe një strategji të qartë për modernizimin e industrisë dhe bujqësisë shqiptare.

Vetëm kështu, thekson ai, Shqipëria mund të kalojë nga një treg i vogël dhe i kufizuar drejt një ekonomie prodhuese konkurruese në tregun europian.

Si do ta vlerësoni ecurinë e grupit EHW në vitin 2024 dhe pjesën e deritanishme të vitit 2025?

Në mbyllje të vitit 2024, grupi EHW rezulton me një rritje 5.3% kundrejt vitit të mëparshëm. Gjatë këtij viti vazhdon i njëjti trend rritje, i cili i dedikohet kryesisht investimeve të reja në disa degë të aktivitetit ekzistues.

Si po ndikon në aktivitetin tuaj tkurrja e popullsisë, duke qenë se një pjesë e sipërmarrjeve të grupit janë të përqendruara në prodhimin dhe tregtimin e produkteve të konsumit. Po në drejtim të gjetjes së personelit?

Në rastin e një kompanie që operon kryesisht në tregun e brendshëm, tkurrja e popullsisë padyshim ndikon negativisht.

Kjo krijon vështirësi edhe në gjetjen e personelit, kryesisht të fuqisë punëtore. Për këtë arsye jemi të detyruar të rrisim vazhdimisht pagat në mënyrë që punonjësit të arrijnë atë mirëqenie ekonomike që synojnë duke emigruar.

Për ndërmarrjet kjo çon padyshim në rritjen e kostove, megjithatë e konsiderojmë një proces të detyrueshëm.

Si ka ndikuar rritja e turizmit në kërkesën për produkte konsumi? Sa arrin të neutralizojë rënien e kërkesës nga tregu vendas, si rrjedhojë e tkurrjes së popullsisë?

Rritja e turizmit, padyshim, ndikon në kërkesën për produkte konsumi. Megjithatë, nëse bëjmë një llogari të thjeshtë, një turist që qëndron 3-4 ditë konsumon 1% të konsumit të një personi rezident gjatë 364 ditëve të vitit.

Cilët janë sektorët që ju shikoni me potencial në të ardhmen për të investuar dhe planet tuaja të zgjerimit?

Në këto vite, sektori i turizmit po demonstron potencial për investim. Rritet progresivisht prania e klientëve në hotele, si në ato në zonat bregdetare, ashtu edhe në qytete.

Ndërsa vazhdon të shkojë mirë sektori i ndërtimit, edhe pse popullsia tkurret. Mendoj se në këtë fakt ndikon edhe përqendrimi i popullsisë në Tiranë.

Për momentin jemi jashtë nga këta sektorë, por po projektojmë të investojmë në të ardhmen e afërt.

Ndërsa mbetemi gjithnjë të përqendruar në sektorin në të cilin operojmë prej më shumë se 30 vitesh, industrinë agropërpunuese në të cilën investojmë pareshtur.

Konkretisht, po bëjmë investime të rëndësishme në teknologjinë e prodhimit të sallameve dhe të proshutave. Mbas një periudhe të gjatë eksperimentimi po prodhojmë produkte pa konservantë, gjë që përbën një inovacion të rëndësishëm në nivel europian.

Në prodhimin e ujit mineral po projektojmë realizimin e linjave të reja për rritjen e kapacitetit prodhues.

 

Të dhënat zyrtare tregojnë se pesha e industrisë dhe agroindustrisë në ekonomi po vjen në tkurrje të vazhdueshme dhe shumë sektorë po konkurrohen ndjeshëm nga importet. Si duhet të riformatohet sektori në të ardhmen, në mënyrë që të bëhet më konkurrues?

Për fat të keq, statistikat demonstrojnë atë që ju thoni. Është fakt që produktet e importit po konkurrojnë ndjeshëm prodhimin vendas, gjë që të bën më pak optimist për investimet.

Jo më kot nuk ka investime të huaja në këtë industri. Pse të ndodhë kjo në një sektor tepër të rëndësishëm të lidhur me konsumin e përditshëm dhe aq të ndjeshëm për të gjithë?

Ka disa arsye madhore që ndikojnë negativisht në aktivitetin e këtij sektori.

Së pari, mungesa e furnizimit të industrisë agroushqimore me produkte nga sektorët vendas të bujqësisë dhe blegtorisë, na detyron të importojmë masivisht lëndët e para. Kuptohet që kjo imponon kosto të shtuara për shkak të taksave doganore dhe shpenzimeve të transportit.

Së dyti, për shkak të legjislacionit të sigurisë ushqimore të paunifikuar me BE, produktet tona nuk kanë të drejtën e eksportit. Ky fakt na detyron të punojmë në një treg të vogël, të mbyllur.

Ky faktor rrit ndjeshëm koston e investimeve.

Për të rritur aftësinë konkurruese të ndërmarrjeve tona duhet të bëjmë investime të rëndësishme në teknologjinë bashkëkohore, të cilat bëhen eficiente vetëm në rastin kur të arrijmë të eksportojmë produktet tona në tregjet e BE-së, por për këtë duhet kapërcyer një pengesë madhore që përmendëm më sipër -unifikimi, në një kohë sa më të shkurtër, i legjislacionit tonë të sigurisë ushqimore me atë të BE.

Kjo do të bëjë të mundur lejimin e eksportit të produkteve tona dhe rritjen e besimit të konsumatorit europian.

Një shembull konkret është EHW sh.p.k., kompani e cila prej 25 vitesh certifikohet nga instituti italian Çertiquality, për respektimin e normave të sigurisë ushqimore konform BE.

Por fatkeqësisht nuk lejohet të eksportojë produktet vetëm, sepse operon në një shtet me legjislacion të ndryshëm nga BE.

Si duhet të përshtaten sipërmarrjet për të ruajtur konkurrueshmërinë dhe çfarë shansesh mund të hapë anëtarësimi në BE?

Mendoj se duhet ta shohim me optimizëm aderimin në BE.

Fakti që do të jemi pjesë e një tregu shumë më të gjerë do të mundësonte investime më eficiente. Shpresoj që do të ketë edhe investime në infrastrukturë, të ndihmuara edhe nga fonde të BE, proces

që ka ndodhur edhe më parë në vende të tjera.

Për të përfituar nga ky proces, hapin e parë duhet ta bëjë pa humbur kohë shteti. Siç përmenda edhe më sipër, ky hap duhet të jetë – Përputhja e legjislacionit të sigurisë ushqimore me atë të BE-së.

Mbi këtë bazë duhet të ristrukturohet sektori bujqësor dhe ai blegtoral.

Ky sektor vuan edhe parcelizimin ekstrem të tokës që pengon zhvillimin e një bujqësie të përparuar.

Gjithashtu duhet të ristrukturohet industria agropërpunuese, konform standardeve më të përparuara, për të qenë konkurruese në një treg të hapur.

Sa më shpejt të nisë ky proces, aq më të mëdha do të jenë shanset për të përfituar nga anëtarësimi në BE.

Përputhja e legjislacionit

Për të përfituar nga procesi i integrimit, hapin e parë duhet ta bëjë pa humbur kohë shteti. Siç përmenda edhe më sipër, ky hap duhet të jetë – Përputhja e legjislacionit të sigurisë ushqimore me atë të BE-së. Mbi këtë bazë duhet të ristrukturohet sektori bujqësor dhe ai blegtoral. Ky sektor vuan edhe parcelizimin ekstrem të tokës që pengon zhvillimin e një bujqësie të përparuar. Gjithashtu duhet të ristrukturohet industria agropërpunuese, konform standardeve më të përparuara, për të qenë konkurruese në një treg të hapur. Sa më shpejt të nisë ky proces, aq më të mëdha do të jenë shanset për të përfituar nga anëtarësimi në BE.

The post Industria përpunuese, përballë sfidave të tregut dhe shanseve nga integrimi në BE appeared first on Revista Monitor.



Source link

Artikuj te ngjashem
- Advertisment -
Google search engine

Me Te Klikuarat