Flet Altin Prenga, “Mrizi i Zanave”
Turizmi dhe agroturizmi duhet të unifikojnë vizionin për markën duke mbajtur së bashku barrën e identitetit dhe autentikes si një formë për të garantuar qëndrueshmëri në afatgjatë.
Altin Prenga, nga agroturizëm “Mrizi i Zanave”, shprehet se teksa agroturizmi po përpiqet mes sfidash për të vënë theksin dhe për të përmirësuar pjesën më origjinale të asaj që turistët kërkojnë, turizmi klasik po shfaq dobësi në disa raste, diçka që mund të ndikojë në një efekt zinxhir edhe pjesën tjetër.
Ai shprehet se ecuria e përgjithshme e sektorit është e mirë dhe se sfida reale e së ardhmes është standardizimi dhe protokollet që do të kërkojë integrimi në Bashkimin Europian, të cilat sipas tij, duhet të jenë më të zbutura njësoj siç trajtohen në Europë këto subjekte.
Si ka qenë ecuria e agroturizmit gjatë këtij viti duke qenë se jemi thuajse në fund të 2025-s?
Trendi dhe kërkesa që kanë njerëzit për të vizituar agroturizmet është shumë mirë. Ka qenë një vit me rritje duke konfirmuar interesin e vizitorëve për autentiken dhe tradicionalen.
Cilat janë disa aspektet që ushtrojnë më shumë presion në këtë sektor nëse flasim për zhvillimet e brendshme?
Përveçse është një sektor që kërkon shumë punë dhe lodhje, po bëhet gjithmonë e më e vështirë përditshmëria e aktivitetit, sepse ka presione të vazhdueshme që vijnë nga mungesa e lëndës së parë. Njerëzit, nga ana tjetër, kanë braktisur tokat dhe kjo ndikon drejtpërdrejt në këtë sektor.
Së fundmi janë ndërmarrë dy nisma që lidhen me ekonominë rurale. Njëra prej tyre është Paketa e Maleve dhe tjetra ajo e rijetëzimit të kullave në disa zona. Si mendoni se do të ndikojnë këto nisma në këtë sektor?
Paketa e Maleve dhe nisma për të rijetëzuar dhe për t’i përfshirë në zinxhirin turistik kullat në Qarkun e Lezhës, Shkodrës, Dibrës dhe Kukësit padyshim që krijojnë një nxitje për ekonomitë lokale. Por çështja nuk shtrohet tek ajo që parashikohet sot në letër, por te mënyra sesi do të zbatohen.
Këto janë nisma pozitive që duhet të kenë një qasje të kujdesshme për të mbajtur pranë vetes atë popullsi që ka tendencën gjithmonë e më shumë të migrojë brenda vendit. Pra gjysma e popullsisë tenton të shkojnë drejt kryeqytetit.
Nismat vendosin një fokus të ri në zonat rurale e për rrjedhojë, e bëjnë më të qëndrueshme ekonominë në tërësi.

Si ka ndikuar agroturizmi në ekonominë lokale dhe gjallërimin e fshatrave dhe a është në fakt kjo zgjidhja për të mbajtur njerëzit në vendin e tyre?
Në zonat me potencial, siç janë rrethinat e Tiranës apo ato zona që shquhen për bukuritë natyrore, pra fshatra me lumë, me liqen ka pasur një rritje të vazhdueshme të agroturizmeve madje në disa raste edhe abuzohet me këtë emërtim.
Ndërkohë që në zonat e shkreta apo që nuk ofrojnë shumë, agroturizmi nuk mund të jetë ai që ndalon hemorragjinë. Ka zona që po shkojnë drejt braktisjes totale.
Bujqësia dhe blegtoria lidhen ngushtë me agroturizmin. Cila prej tyre mendoni se po bëhet më shumë problem për segmentin tuaj?
Mendoj se blegtoria po pëson rënie të vazhdueshme dhe po bëhet më sfiduese. Bujqësia është më mirë sepse ka mundësi automatizimi dhe e zbut disi efektin.
A mendoni se ka ende vend për t’u trajtuar me një paketë tjetër të diferencuar sektori juaj, për të nxitur zhvillimin e aktiviteteve plotësuese të tij?
Agroturizmi është trajtuar me një paketë më herët dhe merr përfitimet e saj. Problemi që unë shoh është që një pjesë e mirë e atyre që paraqiten si agroturizme nuk po arrijnë të certifikohen për shkak të kushteve.
Aktualisht, janë rreth 50-60 agroturizme të certifikuar. Do të duhej të ishin më shumë.
Falë promovimit, Shqipëria ka tërhequr pranë vetes vizitorë nga anekënd globit. A ka ndryshuar harta e vizitorëve edhe tek agroturizmet?
Ka një rritje të kombësive të atyre që vizitojnë agroturizmet, por tek ne sa i takon qëndrimit në dhoma, pra me fjetje, vazhdojnë të kryesojnë gjermanët.
Ndoshta sepse ata e kanë kulturën e rezervimit paraprak dhe nuk ka shumë hapësira të lira nëse do të rezervosh në moment të fundit. Në restorant ka një prani më të gjerë të turistëve nga Europa Perëndimore, italianë, francezë, nordikë gjithashtu, por nuk mungojnë edhe ata nga Amerika e Jugut, Islanda, pra nga e gjithë bota.

Cila është sfida që ju shihni në horizont për agroturizmin?
Sfidë kemi çdo ditë po ajo që shoh në horizont, në vazhdim, është mënyra se si do të mund përshtatemi për procesin e integrimit në Bashkimin Europian. Standardizimi që do të kërkojë kjo, pasi ne jemi të vegjël.
Duhet parë me kujdes sepse edhe në BE, prodhimi artizan dhe elementet që lidhen me ne si agroturizme, ka normativa të ndryshme nga biznesi. Nuk mund të trajtohen me të njëjtat protokolle. Duhet adoptuar me normativa më të zbutura, njëlloj siç i ka Europa.
Si e parashikoni vitin 2026 për ecurinë e agroturizmit, duke pasur parasysh si po mbyllet ky vit?
Besoj do të jetë një vit i mirë. Për ne është e rëndësishme të mos kemi rënie pra, ruajmë nivelin trendin me të cilin po mbyllim 2025. Agroturizmi ka pjesë të tij klientët e zakonshëm që rikthehen shpesh dhe vizitorët kureshtarë që vijnë në Shqipëri.
Të dy këto grupe vazhdojnë të kenë interes. Nuk shoh problem në vitin 2026, por e rëndësishme është ruajtja e kësaj qëndrueshmërie në afatgjatë.
Duhet të punohet nga të gjithë jo vetëm nga agroturizmi, që kjo rritje të vazhdojë, edhe pse na e kanë ngarkuar ne këtë pjesën e identitetit dhe turizmit. Identiteti është nga qendra e Tiranës deri në Çamëri.
Kjo nuk është vetëm çështje marke. Duhet të unifikojmë mendimin dhe vizionin. Promovimi dhe reklamat për Shqipërinë ftojnë dhe rikthejnë turistët por ne duhet t’i përgjigjemi siç duhet dhe jo të punojmë prej rrjedhës, pra sot për sot, pa menduar për të nesërmen.
Këto raste që e shohin kështu na dëmtojnë të gjithëve. Po nuk u punua me identitet, nuk është turizëm. Nëse këtë punë nuk e bën se e do, por sepse do të fitosh nga momenti, kjo do të lëkundë atë qëndrueshmërinë që flasim.
Lexoni edhe:
Agroturizmi, rritja pa zhurmë; modeli që po fiton betejën e qëndrueshmërisë
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.



