Nëse beson në pafajësi – pse kërkon ndërhyrje politike?
Pse jo apel?
Pse jo argument?
Pse jo procedurë?
Pse “aman, në emër të Zotit, bëj diçka”?
Çfarë do të thotë “bëj diçka”?
Ta marrë Trumpi gjykatën në telefon?
T’u thotë gjyqtarëve: mbylleni rastin?
Çfarë është kjo kërkesë e tij?
Që presidenti amerikan t’i thotë gjykatës:
“Lirojeni Thaçin, se po ma kërkon Rama”?
Dhe gjykata të përgjigjet: “Po, shef”?
A është kjo dashuri e tij?
Frikë e tij?
Interes?
Pse i bërtet drejtësisë?
Po mbron një njeri apo po mbron një marrëveshje që nuk po thuhet?
Nëse ka pasur projekt për amnisti reciproke, le të thotë.
Nëse s’ka pasur – pse kaq panik?
Pse kërkon ndihmën e Trumpit publikisht?
Pse jo në mënyrë diskrete, në kanale diplomatike?
Nëse është çështje serioze shtetërore, zakonisht trajtohet në heshtje.
Kur bëhet publike, bëhet për publikun.
Nëse Gjykata e Hagës është e padrejtë
–
Pse nuk kërkon procedurë ligjore?
Pse nuk kërkon apel?
Pse nuk kërkon ekspertizë?
Pse nuk kërkon gjykatë mbi gjykatën?
Pse s’kërkon: rishqyrtim, mekanizma ndërkombëtarë – çfarëdo që parashikon rendi juridik?
Më e çuditshmja:
guximi për ta trajtuar Trumpin si një lloj diktatori me telefon, si “bandit” që ndërhyn në gjykatë dhe e rregullon drejtësinë me urdhër.
Po çfarë po kërkon realisht?
Dhe pse pikërisht Trumpi?
Kur Trump ishte kandidat i republikanëve për president të SHBA-së, Edi Rama e quajti Trumpin “turpi i njerëzimit”.
Dhe u lut: “Mos e dashtë Zoti që Amerika ta zgjedhë Trumpin për president.”
Tani po e shfrytëzon antipatinë e Trumpit ndaj Jack Smithit si trampolinë emocionale.
“Aman, për inat të Jack Smithit, bëhu budalla!”
Dhe pyetja që nuk po bëhet:
A ka pasur ndonjëherë një projekt politik për një marrëveshje Kosovë-Serbi, ku krimet do të “amnistoheshin” reciprokisht në emër të stabilitetit?
Në atë marrëveshjen fantazmë, që s’e pa kush: a ka pasur diskutime për “mbyllje kapitujsh” pa drejtësi të plotë?
A është kjo arsyeja e këtij nervozizmi?
Në vitin 2018, Shtëpia e Bardhë filloi një proces rishikimi të marrëveshjes Kosovë-Serbi.
U bë një projekt-marrëveshje që propozonte:
• njohje reciproke Kosovë-Serbi;
• një amnisti të përhershme për aktorët e luftës nga të dy palët;
• një shkëmbim territori.
Çfarë paniku është ky që e shtyn një kryeministër të sulmojë një gjykatë ndërkombëtare dhe vendet që e kanë mbështetur atë?
Edi Rama ka ardhur me helikopter në Prishtinë për ta bindur Hashim Thaçin ta votojë Gjykatën Speciale.
Çka kërkon tash?
T’i shpallë pafajësinë me dekret?
Nëse gjykata është e padrejtë
– a luftohet me fyerje?
Nëse është e drejtë
– pse frika?
A është kjo mbrojtje politike?
Solidaritet personal?
Çka po e mundon Edi Ramën?
Dhe çka fiton duke e bërë veten sharlatan botëror, kur e di se askush s’e merr seriozisht, përveç folkloristëve shqiptarë që me protesta i bashkojnë ata që i ndau gjykata?
Dhe këtu fillojnë pyetjet e bezdisshme:
A është kjo magjepsje politike?
A është kjo nevojë për të qenë “hero” në një histori që s’është e tij?
Apo thjesht frikë nga heshtja – frikë se mos populli, për një çast, fillon të dëgjojë gjykatën?
Sepse ka një gjë që tingëllon keq:
kur je i sigurt në pafajësi, zakonisht nuk kërkon ndërhyrje – kërkon prova.
Pra, çka fiton Edi Rama?
Kur punonte për ndarjen e Kosovës, Vuçiqin e quante “vëlla”.
Atëherë kur Hashim Thaçi gjunjëzohej para pllakës përkujtimore të serbëve të vrarë, me mbishkrimin: “U vranë nga terroristët e UÇK-së”!
Sepse këtu nuk është çështje “dashurie” për Thaçin.
Këtu është çështje interesi:
“A e mban në mend kur t’putha – shkova!
Pikë më së pari – unë i mjeri.
Në Tiranë ushtar qëllova.
S’pate besë e më tradhtove.”
P.S.
“Nëse ky është fundi,
do të thotë nuk ishte dashuri.” – varg serb.
AUTOCENSURË:
E lashë pa e shkruar kallëzuesin.



