Situata brenda shtëpisë së Ferma VIP ka arritur në një pikë mjaft kritike, duke e vendosur Olën në qendër të vëmendjes dhe në dorë të vendimit të publikut.
Ndryshe nga sa u mendua fillimisht, ajo nuk ndodhet në një televotim klasik me ndonjë konkurrent tjetër për t’i shpëtuar eliminimit. Fati i saj në këtë format varet nga një pyetje e vetme për audiencën: a duhet ajo ta vazhdojë garën?
Ky televotim disiplinor, i cili mbyllet të premten, vjen si pasojë e veprimeve të saj të fundit. Tensionet kulmuan kur ajo e goditi fizikisht Bujakën dhe më pas ofendoi rëndë Arbanën me një fjalor të papërshtatshëm, duke thyer rregullat e transmetimit. Këto skena e kanë detyruar produksionin të marrë masa, duke ia lënë vendimin drejtpërdrejt teleshikuesve.
Ndërkohë që gjendja për Olën mbetet e vështirë, mbështetja më e madhe po i vjen nga jashtë pikërisht nga Adioni, i cili u eliminua mbrëmjen e kaluar. Teksa po përshtatet me realitetin larg izolimit, ai nuk ka hezituar t’i dalë në krah shoqes së tij. Përmes një postimi të ndjerë, ai ka ndarë një foto të tyre duke u përqafuar me mbishkrimin: “Perfeksioni nuk ekziston, gabimet falen, Ola e meriton ta vazhdojë garën!”. Adioni po bën gjithçka për të kërkuar një shans të dytë, duke e mbyllur dedikimin me fjalët e ngrohta “Love u Dushe”.
Tani mbetet për t’u parë nëse kjo thirrje do të mjaftojë për të shpëtuar Olën nga një skualifikim i mundshëm. /Prive By Liberta Spahiu



