Pavarësisht deklaratave të vazhdueshme se institucionet teknologjike përbëjnë një “histori suksesi”, lëvizjet e fundit tregojnë një realitet krejt tjetër. Krijimi i një strukture të re të quajtur “Albanian Digital Solution” duket se është, sipas Denisa Keles, Drejtuese Departamenti i Inovacionit dhe Inteligjencës Artificiale në PD që ishte e ftuar në nje interviste televizive, një përpjekje e drejtpërdrejtë për të mbuluar gjurmët e një institucioni thellësisht të dështuar dhe të korruptuar, ku shumë prej zyrtarëve tashmë ndodhen prapa hekurave ose në kërkim.
Ekspertja e fushës së teknologjisë ngriti alarmin se kjo lëvizje nuk është asgjë tjetër veçse një skemë e re për të justifikuar shpenzime marramendëse. E-Albania, një platformë e cila shpeshherë rezulton jofunksionale, ka kushtuar deri në vitin 2024 një shifër rekord prej rreth 400 milionë eurosh, e cila është paguar drejtpërdrejt nga xhepat e taksapaguesve. Krahas kësaj, dhjetëra miliona euro të tjera hidhen çdo vit për mirëmbajtje përmes tenderave me procedura gjysmë sekrete.
Në bisedë, eskpertja vlerësoi se tashmë, agjencia e re pritet të shoqërohet me një tjetër buxhet kolosal që llogaritet të shkojë deri në 700 milionë dhe do të ofrojë qindra vende të reja pune me paga tejet të larta, duke shpërfillur plotësisht dështimin teknik dhe financiar të strukturave ekzistuese. Gjatë gjithë kësaj periudhe tranzitore, asnjë ekspert i pavarur ose profesionist i IT-së nuk është konsultuar për zgjidhjen e vërtetë të problemeve teknike, duke ngritur dyshime se qëllimi i vërtetë nuk është përmirësimi i shërbimeve digjitale.
Shqipëria nuk po përballet vetëm me një gropë financiare, por edhe me një dëm të madh imazhi në arenën ndërkombëtare. Përdorimi i avatarëve të krijuar me inteligjencë artificiale si rasti i “Diellës” është kthyer në objekt talljeje nga mediat e huaja, të cilat i cilësojnë si produkte të një grupi të strukturuar kriminal.
Gazetari: Rikthehemi në fakt tek përpjekjet e dëshpëruara edhe pse një skandal plas, ndoshta duket se kryeministri është pak i frymëzuar nga Çërçill, nga dështimi në dështim me një entuziazëm të pahumbur. Ç’po ndodh tanimë dhe ç’përpjekje është Albanian Digital Solution?
Denisa Kele: Shiko, mua e gjitha kjo më duket sikur kryeministri ka marrë pushimet para një jave dhe është duke luftuar korrupsionin që qeveria e mëparshme ka shkaktuar, domethënë me të vërtetën. Dhe të mendosh që AKSHI është një lloj institucioni që është krijuar nga ata, është ndjekur nga ata, është mjelur nga ata dhe tashmë doli apo po kuptohet që ky AKSHI paska qenë një institucion i korruptuar dhe që kryeministri ka dashur që tashmë të krijojë një institucion tjetër në një lloj sensi për të mbuluar po e them të gjitha aferat e AKSHI-t.
Gazetari: Keni kërkuar mbi të gjitha edhe gjëra që ne nuk i kuptonim tipit nga skripti, prompti, gjëra teknike për ta përmirësuar disi AKSHI-n dhe e-Albanian. Këta sot me Albanian Digital Solution po e pranojnë dështimin praktik të teknologjisë, por edhe të menaxhimit të teknologjisë, të aspektit financiar. Në këtë periudhë tranzitore, a ndonjëri nga ju a është kontaktuar për t’i thënë: ‘Ore çfarë doje me thënë ti me rregullimin e skriptit?’
Denisa Kele: …askush nuk ka kontaktuar askënd. Këtë mund ta them me bindje të plotë si nga unë si nga kolegët e mi. Pra të gjithë ne ekspertët që kemi folur apo kemi bërë opozitën po e them, një lloj opozite…Oponencën përsa i përket pjesës së AKSHI-t. Nuk jemi kontaktuar kurrë dhe ajo që unë kam menduar, të paktën kam menduar këto ditët e fundit Flavio, të them të vërtetën është që ore s’kanë turp.
Domethënë, sinqerisht nuk kanë turp. Domethënë ti del dhe je duke krijuar një, degë të një institucioni që është totalisht i dështuar, totalisht i korruptuar me pjesën më të madhe të atyre personave në burg. Pjesa tjetër gati për burg. Pjesa tjetër në kërkim që nuk i gjejmë, nuk e dimë se ku janë, dhe ndërkohë që, jo më larg se para një jave kryeministri del e thotë që AKSHI është një histori suksesi.
Po në momentin që AKSHI qenka një histori shumë e madhe suksesi, pse duhet krijimi i një agjencie tjetër dhe unë këtë nuk po e kuptoj. Pra krijimi i një agjencie tjetër me po aq miliona euro tashmë që do të duhen për të krijuar sistemin.
Gazetari: A e ke lexuar këtë çfarë premton çfarë do të bëjë?
Denisa Kele: Po e di që do jetë një agjenci, deri në 700 milionë, di që do ketë diku tek ndoshta 354 rroga të shumë të mira, që përsëri më duket një lloj absurditeti shumë i madh. Nuk dua të flas fare për protestën e djeshme, por dua të them diçka, e vetmja gjë që mua më ka ardhur mirë ka qenë kjo thyerja e apatisë, zhdukja e apatisë që na kishte kapur në një lloj forme si qytetarë.
Por ne kemi shumë gjëra për të cilat të duhet të ngrihemi patjetër. Dhe një ndër këto çështjet kryesore ka qenë AKSHI. Domethënë mendoj që AKSHI-n e kam thënë dhe përsëris është vjedhja më e madhe dhe më e paturpshme që i është bërë Shqipërisë. Dhe të mendosh, ndoshta qytetarët nuk e kanë idenë kur e flasim, duket pjesa që është digjitale, teknologjike dhe ndoshta nuk perceptohet, nuk kuptohet, dhe kur flasim për kaq miliona euro ndoshta nuk perceptohet që këto miliona euro janë marrë nga xhepi jonë në fund të ditës? Vetëm e-Albania është një platformë që ka kushtuar diku tek 400, deri në 2024-ën, diku tek 400 milionë euro.
Gazetari: Për një faqe interneti.
Denisa Kele: Për një faqe interneti, për një platformë që më shumë është jo funksionale. Dhe ndërkohë që çdo vit në atë platformë hidhen para për mirëmbajtje 20 milionë, 37 milionë euro, tendera pafund që nuk kuptohen…



