Sunday, May 3, 2026
Google search engine
BallinaAktualitetHapet Kampusi Ndërkombëtar i Tiranës, Ministrja Kumbaro: Dritare e re bashkëpunimi akademik...

Hapet Kampusi Ndërkombëtar i Tiranës, Ministrja Kumbaro: Dritare e re bashkëpunimi akademik me Francën që afron arsimin me standardet evropiane


U përurua Kampusi Ndërkombëtar i Tiranës (ICCT), një bashkëpunim mes Universitetit Politeknik të Tiranës dhe Universitetit të Teknologjisë së Compiègne në Francë (UTC), që synon ndërkombëtarizimin e arsimit të lartë dhe zgjerimin e programeve të përbashkëta të studimit në Shqipëri. Në ceremoninë e përurimit morën pjesë Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, rektori i UPT-së, Akil Fundo, si dhe presidentja e Universitetit të Teknologjisë së Compiègne, Claire Rossi.

Ministrja Kumbaro theksoi se bashkëpunimi mes dy universiteteve nuk është i ri, pasi i ka fillesat vite më parë si një marrëveshje bilaterale, ndërsa sot konkretizohet përmes programeve të përbashkëta të studimit. Ajo vlerësoi angazhimin e stafit akademik dhe të studentëve, duke nënvizuar se në përfundim të ciklit ata do të pajisen me diploma të nivelit ndërkombëtar dhe e cilësoi kampusin si një shembull konkret të ndërkombëtarizimit të arsimit të lartë në praktikë.

ICCT ofron programe në inxhinieri kompjuterike dhe në inxhinierinë e sistemeve elektronike, me mundësi diplomimi të dyfishtë nga të dy universitetet. Diplomat u hapin rrugë studentëve për vijimin e studimeve në programe master dhe shkolla inxhinierike, veçanërisht brenda dy institucioneve partnere.

Programet parashikohet të akreditohen nga Commission des Titres d’Ingénieur dhe Agjencia e Sigurimit të Cilësisë së Arsimit të Lartë, me qëllim garantimin e njohjes ndërkombëtare dhe standardeve akademike. Procesi mësimor do të zhvillohet në shqip, frëngjisht dhe anglisht. Kampusi synon gjithashtu zgjerimin e ofertës akademike, përfshirë hapjen e një programi bachelor në inxhinieri mekatronike brenda tre viteve dhe rritjen graduale të numrit të studentëve.

Ky zhvillim mbështetet në një bashkëpunim të konsoliduar mes dy universiteteve që prej vitit 2009, i cili ka përfshirë mobilitet studentor, programe të përbashkëta masteri dhe pjesëmarrje në iniciativa ndërkombëtare si Erasmus Mundus në fushën e inxhinierisë së sistemeve komplekse dhe të qëndrueshme.

Hapja e ICCT-së konsiderohet një hap konkret drejt forcimit të lidhjeve akademike ndërkombëtare dhe përputhjes së arsimit të lartë me standardet evropiane.



Burimi Lexo.al

Artikuj te ngjashem
- Advertisment -
Google search engine

Me Te Klikuarat