Protesta e Partisë Demokratike më 17 prill në Tiranë, do të mbahet mend edhe si një ndër protestat kombëtare më të injoruara nga qytetarët në vitet e fundit.
Pjesëmarrjen minmale, analisti Albatros Rexhaj e shpjegon me besimin e ulët që shqiptarët kanë tek Partia Demokratike, dhe që vjen vazhdimisht në zbritje. I ftuar në nje studio televizive, Rexhaj tha se dhuna është një ndër arsyet kryesore përsë qytetarët nuk i përgjigjen thirrjes së Sali Berishës për protestë. Ai shtoi se opozita nuk ka fituar ende besimin e shqiptarëve.
“Shqiptarët janë të njohur për aftësinë e tyre për të protestuar, për t’u ngritur dhe për të shkundur themelet e shtetit. E kanë bërë këtë përballë komunizmit, vitet e hershme ’90, e kanë bërë në vitin 1997.
Kanë protestuar dhe më pas, pamë që protestuan edhe studentët pa asnjë ndërhyrje politike, i mbushën sheshet. E gjitha kjo na tregon se kur njerëzit besojnë se kauza është e drejtë, atëherë nuk ka forcë politike apo tjetër që mund t’i ndalë ato”,- tha Rexhaj.
“Dhuna nuk është diçka që i ndihmon kauzës së opozitës. Momenti kur Berisha del me flamur dhe pastaj fillojnë fishekzjarret, mund të jetë me qëllim, mund të jetë pa qëllim, por fakti që ka ndodhur disa herë ka krijuar përshtypjen se ai është sinjali për të filluar bombardimi me mjetet piroteknike. Kjo nuk është diçka që po le shije të mirë”,- shtoi ai.



