Monday, May 4, 2026
Google search engine
BallinaPolitike"Narrativa e Ramës nuk fsheh boshllëqet", Neza kritikon qeverinë për pengimin e...

“Narrativa e Ramës nuk fsheh boshllëqet”, Neza kritikon qeverinë për pengimin e reformave: Kryeministri luan lojën.. – Sot News


I ftuar në një emision televziv, analisti Sami Neza theksoi se lidhja e fatit të integrimit të Shqipërisë me atë të Serbisë nga Edi Rama është një “lojë e rrezikshme politike”.

Sipas tij, kjo është e rrezikshme sepse tenton të relativizojë dështimet e qeverisë shqiptare në përmbushjen e kritereve të Bashkimit Evropian dhe të shpërqendrojë vëmendjen nga mungesa e reformave dhe standardeve të brendshme.

Neza thekson se kjo strategji manipulon perceptimin ndërkombëtar dhe përpiqet të fshehë pasojat reale të dështimeve të qeverisë.

‘Rama përdor narrativin për të mbuluar boshllëqet në politikën e brendshme dhe në rrugën drejt Bashkimit Evropian.’-theksoi ai

Pjesë nga deklarata:

Së pari, është zakoni i Edi Ramës, të paktën që nga viti 2013 kur është bërë kryeministër dhe Vuçiç është bërë po ashtu president i Serbisë, që, kur ai ka gjetur momente të vështira për veten në arenën ndërkombëtare, përmes tyre Rama ka filluar të rekuperojë pozicionin e tij, ose ta ndihmojë atë për ta përmirësuar në raport me ndërkombëtarët. Kjo ishte e para.

E dyta, Ramës i leverdiste të bënte një deklaratë të tillë, duke asociuar profilin që sapo përmendëm të Serbisë me profilin e Shqipërisë. Në fakt, janë dy profile që nuk mund të asocohen për shkak të problematikave dhe pozicionit të ndryshëm në raport me ndërkombëtarët, aq më tepër me Bashkimin Evropian. Duke e bërë këtë lloj asocimi, Rama përpiqet të hedhë ose të minimizojë, apo të relativizojë sadopak kriteret politike të vendosura nga Bashkimi Evropian, jo vetëm për Shqipërinë, por për çdo vend që aspiron të bëhet anëtar i BE-së. Kjo bie menjëherë në sy.

Ne pamë dy deklarata të Ramës. Deklaratën e parë e ka bërë më 26 shkurt, atë ditë kur Komisioni Evropian praktikisht ka kaluar Ibarin. Deklaratën e dytë e ka bërë më 13 mars, kur është zhvilluar takimi i dytë i grupit të punës që merret me integrimin. Ky ishte edhe momenti i parë, pra diskutimi i Ibarit në grupin e punës. Ky grup i përket Këshillit Evropian dhe jo Komisionit Evropian, sepse përbëhet nga ambasadorë, më pas nga ministra të jashtëm dhe, në nivele më të larta, nga kryeministra dhe presidentë të vendeve anëtare.

Ky ishte momenti i parë kur Shqipëria po përballej jo më me burokracinë e Komisionit Evropian dhe jo më me kriteret teknike që shtrohen në komisionet evropiane, të cilat janë kryesisht afate kohore dhe çështje procedurale. Tani bëhej fjalë për një gjykim politik dhe ishte hera e parë që, që nga marrja e statusit të kandidatit, përballemi drejtpërdrejt me vlerësimin e kritereve politike.

Qeveria e Shqipërisë, praktikisht Shqipëria, nuk arrin ta kalojë këtë moment. Pavarësisht se procesi ende nuk është mbyllur dhe ka takime të tjera, siç u përmend, dy takimet nuk kanë arritur konsensus për të miratuar Ibarin, i cili tashmë ka kaluar nga Komisioni Evropian. Kjo do të thotë se kriteret politike nuk janë të plotësuara ashtu siç i paraqet Edi Rama përpara ndërkombëtarëve, por ashtu siç i vlerësojnë vetë ndërkombëtarët në realitetin shqiptar.

Praktikisht, Evropa ka ndryshuar dhe, për arsye të ndryshme, ka vendosur të jetë më liberale në raport me afrimin e vendeve të tjera me Bashkimin Evropian. Megjithatë, Evropa i qëndron këtij pozicioni. Ajo që ka ndryshuar është Shqipëria. Ka ndryshuar pikërisht ajo që u përmend: zoti Rama është vendosur në pozita konflikti me sistemin e drejtësisë dhe me institucionet ligjvënëse, ndërkohë që po ndërton barriera politike dhe më pas edhe ligjore për të penguar drejtësinë në hetimin e zyrtarëve të lartë, qofshin të djathtë apo të majtë.



Burimi sot.com.al

Artikuj te ngjashem
- Advertisment -
Google search engine

Me Te Klikuarat