BallinaEkonomi“Pse konflikti në Lindjen e Mesme është mundësi, por edhe rrezik për...

“Pse konflikti në Lindjen e Mesme është mundësi, por edhe rrezik për turizmin”


Intervistë me Rrahman Kasa, administrator i “Happy Tours”

 

Viti 2026 premton rritje të flukseve turistike për Shqipërinë, por i shoqëruar me sfida të trashëguara dhe pasiguri të reja. Operatorët turistikë presin një numër më të madh vizitorësh, por disa probleme të pazgjidhura me infrastrukturën, si vonesat në projekte kyçe si Aeroporti i Vlorës, kanë shtuar kompleksitetin dhe kostot e logjistikës.

Rrahman Kasa, nga “Happy Tours”, shpjegon se fluturimet charter për në Vlorë janë zhvendosur përkohësisht në Tiranë, duke kërkuar transfertat me autobus drejt hoteleve, një zgjidhje që ndikon në rritjen e kostove për agjencitë.

Megjithatë, industria ka shpresë se përmirësimet e premtuara nga autoritetet do të ndihmojnë në zgjidhjen e disa problemeve kyçe të hasura vitin e kaluar, si mungesa e ujit në Golem, trafiku i ngarkuar dhe menaxhimi i zhurmave dhe mbetjeve.

Sa i përket konfliktit në Lindjen e Mesme, z. Kasa nënvizon se ky mund të kthehet në mundësi për Shqipërinë, duke tërhequr një pjesë të turistëve që po shmangin destinacione të tjera për shkak të pasigurisë.

Sidoqoftë, konflikti ka nxjerrë gjithashtu shqetësimet për mungesën e karburantit për fluturimet charter, çka mund të sjellë një reduktim të fluturimeve dhe ndikim negativ për turizmin kudo në Europë, përfshirë dhe Shqipërinë.

 

Ju keni marrëveshje me agjenci të huaja për të sjellë turistë të organizuar në Vlorë, përmes kontratave me garanci që përfshinin uljet në Aeroportin e Vlorës. Aktualisht, me situatën ku Aeroporti nuk do të hapet, cilat janë masat tuaja?

Ne si agjenci kemi charter-a me parapagim dhe kemi të planifikuar shtatë charter-a në javë për ulje nga Aeroporti i Vlorës. Hotelet kanë marrë këstet e para të gjithë, janë gjashtë hotelet më të mëdha në Radhimë.

Në fund të prillit marrin këstin e dytë. Aktualisht, edhe pse situata e Aeroportit të Vlorës është kjo që është, ne nuk i kemi anuluar hotelet, pra vazhdojmë të kemi aktive marrëveshjet.

Përfaqësues të aeroportit na kanë premtuar që aeroporti do të hapet më 11 korrik. Deri atëherë, fluturimet e planifikuara, që nisin nga fundi i majit, i kemi zhvendosur në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës dhe më pas transfertat do të bëhen me autobus drejt hoteleve në Vlorë.

 

A shihni pasoja nga kjo situatë, sepse është viti i dytë që përsëritet premtimi për hapje të aeroportit dhe më pas moshapja e tij? Cila është zgjidhja apo plani B që keni nëse Aeroporti nuk do të hapet në kohën që ju është premtuar, që sipas të gjitha gjasave nuk do të ndodhë pas një konfirmimi të dhënë nga autoritetet?

Kjo ka pasojat e saj, sepse klientët që kanë rezervuar dhe paguar kanë të drejtë të tërhiqen pa asnjë penalitet, sepse në këtë rast nuk po respektohen kushtet.

Kjo mund të ndikojë në mbarëvajtjen e sezonit dhe ne mund të na forcojnë në respektimin e kontratës, pra që të paguajmë. Po përpiqemi sërish që të gjejmë një zgjidhje të ndërmjetme përmes negociatave, por mbetet për të parë si do të shkojnë rezervimet, pra nëse do të ketë interes edhe me këtë ndryshim apo jo, sepse kjo do të krijonte boshllëk te hotelet. Pra, të gjejmë një zgjidhje nga e cila pasojat janë sa më të vogla dhe të kemi ecuri të mirë të sezonit.

 

Kur vijnë turistët e parë të organizuar dhe a jemi gati për të nisur këtë sezon, duke pasur parasysh problemet që u ndeshën gjatë sezonit të kaluar?

Ardhja e turistëve të parë është në Golem dhe fillon nga 15 maji. Para disa ditësh, ne bëmë një takim në Golem, pra Unioni Turistik Shqiptar dhe Ministria e Turizmit, e Kulturës dhe e Sportit, dhe ramë dakord që problemet sezonale që janë çështje vullneti nuk do të jenë të pranishme këtë sezon.

Për shembull, ujësjellësi që pati vitin e kaluar problem dhe solli mungesë uji në Golem hyn në funksion në maj, pasi investimi në digën e Manskurisë ka përfunduar dhe është rritur edhe kapaciteti. Po kështu, edhe çështja e trafikut që bëhet në rrugën dytësore Plepa-Golem do të zgjidhet.

Prej disa vitesh, hapja e rrugës dytësore paralele ka qenë e bllokuar nga zhvendosja që duhet të bëhej te Stacioni i Trenit dhe një banesë që duhet të prishej. Tashmë janë arritur marrëveshjet dhe janë marrë masa që të hiqen këto si pengesa dhe rruga paralele dytësore që do të shkarkojë trafikun Golem-Plepa të hapet plotësisht. Pra, rrugët dytësore do të kenë vetëm një sens kalimi.

Sa u takon ndërtimeve apo kantiereve aktive, është vendosur që Policia e Shtetit dhe Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit do të ndjekin ndalimin e punimeve dhe hedhjen e inerteve. Ndërkohë, do të parashikohen fonde shtesë për një menaxhim më të mirë të mbetjeve dhe pastrimin në tërësi të zonave turistike dhe kurimin e tyre estetik.

 

Ka një pritshmëri që konflikti në Lindjen e Mesme mund të sjellë më shumë turistë në vendin tonë. A e shihni këtë si një mundësi?

Lufta ka dy ndikime të pritshme dhe duhet parë sesi do të vijojë situata. Është e vërtetë që disa tregje mund t’i drejtohen Shqipërisë si destinacion turistik, për shkak të mbylljes së disa të tjerave si efekt i konfliktit.

Por ka edhe një problem që, nëse do të vazhdojë kjo situatë, do të krijohet deficit në karburant.

Siç është lajmëruar, mungesa e karburantit mund të penalizojë të gjithë, përfshirë Shqipërinë, pasi charter-at do ta kenë të pamundur nisjen. Pra mund të duan të vijnë, por s’ka linja. Që tani janë ndier disa efekte negative nga kjo mungesë, pasi disa destinacione turistike kanë tkurrje të rezervimeve sepse është dhënë alarmi për mungesën e karburanteve.

 

 

Në lidhje me shërbimin, a mendoni se do të kemi sfida më të mëdha apo më pak këtë sezon?

Edhe shërbimi duhet parë në dy këndvështrime. Sa u takon hoteleve me kontrata me garanci, shërbimi është i mirë, me minuse të vogla.

Por turizmi i organizuar në të gjitha format e tij merr 12% të rezervimeve totale në Shqipëri. Sa u takon hoteleve që punojnë on request, pra sipas kërkesës ose allotment, ka probleme të mëdha me shërbimin. Këtu është edhe pika ku duhet të jemi të kujdesshëm, sepse vlerësimet negative nuk prekin vetëm drejtpërdrejt subjektet, por destinacionin, sepse ndikimi i rrjeteve sociale është shumë i madh.

Në bregdetin tonë, Jugu ka edhe vlerësimet me kritika më të shumta, sepse aplikojnë çmime të shtrenjta dhe nuk ofrojnë shërbimin që duhet të japin për atë çmim. Pra krijohet një efekt zinxhir në të gjithë sektorin dhe destinacionin.

 

Këtë vit u aplikua një tjetër qasje për ndarjen e plazheve. Si ka rezultuar kjo për strukturat akomoduese nga përshtypjet që keni marrë prej tyre?

Po, këtë vit ka një qasje të re. Ka probleme tek-tuk me subjekte të ndryshme për pozicionin e plazhit në raport me hotelin apo reduktimin e çadrave e sipërfaqes, por këto janë në numër të ulët. Kryesisht kjo haset në Jug, ku ka konflikte apo mbivendosje, megjithatë duhet të zgjidhen para sezonit.

 

A do të vijojë bregdeti i Durrësit dhe Golemit të mbajë peshën kryesore edhe këtë vit në turizëm?

Bregdeti Durrës-Kavajë është hambari i turizmit dhe sjell fluks të lartë. Saranda me Ksamilin duhet të shihen këtë sezon se çfarë do të ndodhë pas ndryshimeve të deklaruara në menaxhimin e plazheve, apo edhe në infrastrukturë. Problemet nuk mund të zhduken menjëherë, por e rëndësishme është të bëhet një hap para nga ajo ku kemi qenë.

 

Sa e prisni ecurinë e këtij viti duke pasur parasysh zhvillimet?

Mendoj që, nëse s’do të kemi ndonjë surprizë nga Gjiri Persik dhe duke shpresuar për stabilizimin e situatës, sektori i turizmit do të ketë një tjetër vit të mirë, me një rritje të lehtë mes 5-10%.

 

Po çmimet, si paraqiten këtë vit në akomodim apo restorante?

Çmimet kanë shënuar rritje në disa zëra të tjerë që lidhen me sektorin, siç është transporti, dhe normalisht kjo është e pritshme. Në restorante, të paktën në hotelet ku kemi marrëveshjet e garancisë, nuk kemi pasur ndryshime.

Në akomodim nuk vihet re ndonjë rritje çmimi. Pritshmëria jonë është të kemi shtrenjtim të shërbimeve të lidhur me transportin.

 

Lexoni edhe:

Faza e re e turizmit, pa avantazhin e çmimeve të lira; Si do të mbijetojë?!

Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.



Source link

Artikuj te ngjashem
- Advertisment -
Google search engine

Me Te Klikuarat