Wednesday, May 6, 2026
Google search engine
BallinaAktualitetServet Pëllumbi, një model i harruar në PS dhe në politikën shqiptare

Servet Pëllumbi, një model i harruar në PS dhe në politikën shqiptare


Nga ROLAND QAFOKU

Dje u nda nga jeta profesor Servet Pëllumbi. Kryetar i Kuvendit, nënkryetar i Partisë Socialiste, deputet në 3 legjislatura, ai ishte padyshim një nga figurat politike të profilit më të lartë në Shqipëri pas rrëzimit të komunizmit. Një patriark dhe ideolog i Partisë Socialiste, Servet Pëllumbi ishte ndër ata që themeluan këtë parti. Madje ishte ai që propozoi dhe u miratua vendosja e emrit Partia Socialiste e Shqipërisë dhe më pas duke e bërë nga PPSH, në një parti moderne dhe me koncepte perëndimore. Unë kisha fatin dhe privilegjin ta intervistoja disa herë në karrierën time, por edhe të kisha mundësinë të bëja biseda të gjata me të duke e njohur nga afër. Kjo foto që po botoj është e vitit 2011 kur isha drejtor në Televizionin Ora News dhe realizoja intervistën e mbrëmjes. Më bënte shumë përshtypje që ndryshe nga shumica e politikanëve të tjerë me sjellje sanguine ai ishte tejet i matur dhe shumë korrekt. Rrezatonte kulturë dhe dije të paana, një qetësi dhe zotërim të çdo lloj situate edhe kur provokohej. Studimet në Universitetin e Shën Petërburgut I kishin shërbyer si një bazë e mirë në formimin gjeneral, por megjithatë ai vijonte të studionte dhe botonte libra edhe në moshë të shtyrë.

Më habiste akoma më shumë fakti që ndonëse shumicën e jetës e kishte kaluar në komunizëm, pas rrëzimit të atij sistemi, ai rrezantonte një natyrë tejet demokratike dhe përherë shprehte publikisht atë që mendonte. Vota ishte për të baza e politikës. Kur kishte pushtet Servet Pëllumbi të ushtronte presion te kundërshtarët dhe mbi të gjitha ishte i ndershëm. Kurrë nuk u përfol dhe kurrë ndaj tij nuk pati një akuzë. Diti edhe të largohej po me nder nga politika dhe kurrë nuk mburrej për “bëmat”. Madje edhe foton e jetës në politikë, atë kur një gazetar spanjoll shfaqet i gjakosur në sheshin Skënderbej më 28 maj 1996, dhe ai ishte në krah të tij po ashtu i dhunuar nga policia, nuk e përdori kurrë në karrierë dhe pas saj. Nuk shfaqte kurrë sjellje të mos ishte i drejtë me këdo, të mos kishte sjellje qytetare, e të tjera si këto që sot me shumë poltikanë majtas dhe djathtas i kanë normale. Për të gjitha këto dhe për respektin që ai gëzonte edhe te kundërshtarët e thërrisnin profesor si socialistët dhe demokratët.

Servet Pëllumbi do të mbahet mend edhe për teorinë e tij sipas të cilës pas rrëzimit në komunizmit në Shqipëri Ramiz Alia zbatoi platformën e Katovicës. Jo pak e kanë kundërshtuar kur e deklaroi në intervistën që i mora në vitin 2015. Por nëse marrim parasysh faktin se zoti Pëllumbi e njihte shumë mirë komunizmin, madje kishte vuajtur prej tij me arrestimin e të vëllait, ishte pjesë e proceseve të rrëzimit të tij dhe drejtoi Partinë Socialiste në vitet e e para kur Fatos Nano ishe në burg, për mua kjo teori është e besueshme. Ka një vërshim statusesh dhe komentesh nga politikanët për ndarjen nga jeta të tij. Shikoj dhe lexoj që shumë prej tyre tregohen hipokritë sepse për një pjesë profesor Pëllumbi jo vetëm nuk kishte konsideratë, por i përçmonte.
Sot në PS ka shumë që nuk e kanë njohur fare komunizmin. Por as që mund të krahasohen me shpirtin demokrat të Servet Pëllumbit. Sot në PS ka shumë që janë diplomuar në Perëndim por nuk mund të krahasohen kurrë me dijet dhe nivelin intelektual të Servet Pëllumbit. Ato idealet e tij janë zvenitur aq shumë në këtë parti saqë të krijon përshtypje se kur ishte Servet Pëllumbi ishte një parti tjetër. Prandaj, përpara se të bëjnë statuse ngushëllimi dhe mallëngjimi, së paku, eksponentë të veçantë në Partinë Socialiste të marrin sado pak nga cilësitë e profesorit: Ndërshmëria, korrektësia dhe qytetaria të cilat ai i kishte me shumicë, por që tani janë si ujë i pakët në këtë parti. Të qoftë dheu i lehtë profesor!



Burimi Lexo.al

Artikuj te ngjashem
- Advertisment -
Google search engine

Me Te Klikuarat