Nga Av. Ardjana Shehi, MBA*
Në shqetësim edhe për zhvillimin ekonomik të Shqipërisë, si avokate biznesi, që nga viti 1992 e në vazhdimësi, kam ndjekur e përpiqem të ndjek e të kuptoj edhe zhvillimet ekonomike në vend, në planin makro e mikro, etj., si dhe të ndjek shembujt e vendeve të tjera të vogla, për të kuptuar edhe si mund të jenë drejtimet e ardhshme ekonomike të Shqipërisë sonë të vogël, në kushtet kur kam bindjen se zhvillimi i demokracisë, shtetit të së drejtës dhe respektimi i të drejtave dhe lirive të njeriut do të vijë vetëm me zhvillim ekonomik.
Në vitet e fundit, fatmirësisht, Shqipëria ka rritje ekonomike por, ndërkohë, duhet të vlerësojmë nëse Shqipëria ka zhvillim ekonomik të qëndrueshëm dhe stabilitet ekonomik. Synimi për qëndrueshmëri në ekonomi është përparësi nëse duam të kemi zhvillim vizionar.
Por, si mund të sigurohet qëndrueshmëri nëse ekonomia performon si një ekonomi ku kapitali dedikohet në biznese, industri e sektorë përsëritës, Investimet e Huaja Direkte nuk po shtohen dhe ato ekzistuese kanë tendencën të largohen nga juridiksioni ynë për shumë arsye (mungesa e konkurrencës së drejtë, mungesa e shtetit ligjor efektiv, etj.), ku ekziston përqindje e konsiderueshme informaliteti, ku ndeshen praktika korruptive në linjën e të bërit biznes, etj., dhe ku zgjerimi i prodhimeve dhe shërbimeve për eksport nuk shihet si përparësi sa kohë që vetëm pak investitorë / kompani shqiptare tentojnë të hyjnë në tregje të tjera me investime (dhe pothuaj vetëm në pasuri të patundshme).
Duke pasur mundësi të ndjek shembullin danez të zhvillimit e qëndrueshmërisë ekonomike, ky shembull na tregon se Danimarka është një udhëheqës global në inovacion, e njohur veçanërisht për përparimin e saj në teknologjinë e gjelbër, shkencat jetësore dhe projektimin e qëndrueshëm.
Pavarësisht se është një vend i vogël në madhësi, Danimarka zotëron një numër të lartë të patentave industriale dhe zhvillimin ekonomik e bazon në inovacion, kryesisht në SME dhe në performancë ekonomike me tregues në rritje të vazhdueshme të eksporteve.
Po kështu, është me vend të përmendet se, në 2026, për të tetin vit me radhë, Danimarka zuri vendin e parë si vendi më i pakorruptuar në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit të Transparency International dhe si një vend ku investohet me besim.
Nëse përqendrohemi në eksportet, të cilat Danimarka i ka përparësi në kushtet që është një vend i vogël, përmendim eksportet kryesore inovative, të cilat përfshijnë
i) Energjinë e Gjelbër dhe Teknologjinë e Pastër (teknologjia e turbinave me erë, zgjidhje për eficiencën e energjisë, hidrogjeni i gjelbër);
(ii) Shkencat Jetësore dhe Farmaceutika (farmaceutikë, bioprojekte, etj,);
(iii) Prodhim dhe Robotikë e Avancuar (robotë bashkëpunues (Cobots), prodhim i mundësuar nga IA, industri detare me teknologji të lartë);
(iv) Teknologji Bujqësore dhe Inovacion Ushqimor (prodhimi i qëndrueshëm i ushqimit, zgjidhje agroteknologjike, biozgjidhjet ushqimore);
(v) Dizajn, Arkitekturë dhe Zgjidhje Digjitale (dizajni danez, arkitektura dhe planifikimi i qyteteve “smart”, teknologjitë digjitale ku Danimarka ka një sektor të fortë dhe në rritje në TIK dhe shërbimet digjitale, të mbështetur nga nismat për të nxitur digjitalizimin e SME-ve). Mbi të gjitha, forca e eksportit të vendit mbështetet nga një peizazh i fuqishëm i kërkim-zhvillimit, me investime të konsiderueshme në teknologjinë e gjelbër dhe një fuqi punëtore me aftësi të larta.
Për të vendosur synime eksporti dhe për të realizuar rritje të eksporteve tona duke ndjekur sa më sipër, pra, që në Shqipëri të investojmë bazuar duke ndjekur këto modele suksesi dhe të investojmë jo në ide përsëritëse, por në ide inovatore, të cilat do të na krijonin avantazh konkurrues dhe mundësi për zhvillimin e eksporteve, krahas ndjekjes së nevojave dhe kërkesave në tregje të tjera, duhet të ndiqen tendencat e vendeve europiane të zhvilluara për diversifikim të internacionalizimit të kompanive të këtyre vendeve, si dhe të ndiqen tendencat e këtyre vendeve për prishjen e varësisë së centralizuar në shumë produkte industriale bazë nga ekonomi si Kina, etj., të cilat mund ta çonin Shqipërinë në ide biznesi me potencial performance, tashmë të testuar si të suksesshme, dhe me kthim të mirë investimi.
Në kushtet që në Shqipëri nuk investohet dhe ka pak mbështetje në “kërkim dhe zhvillim”, një mundësi që të drejtojë në biznese kreative do të ishte përdorimi i studimeve të bëra (në studimet e diplomimit, master dhe doktoratura, etj.) nga studentët shqiptarë në vend dhe jashtë vendit ku mund të gjenden qindra ide inovatore për biznese të reja, për të plotësuar kërkesat përkatëse në Shqipëri e jashtë saj.
Krahas kësaj, një alternativë e dobishme do të ishte t’i kthehemi edhe gjithë investimit të mëparshëm të shtetit shqiptar në studime shkencore të kryera nga armata e ish-institucioneve kërkimore-shkencore, ku mund të gjenden shumë studime të kryera, të gatshme edhe për patentime e për zbatim në kushtet e Shqipërisë, si dhe ku mund të gjenden ide inovatore të bazuara në potencialet e shumta të vendit tonë.
Ёshtë e qartë që kemi nevojë për shumë kreativitet dhe mbështetje nga shteti. Për këtë arsye, këto më sipër, krahas të tjerave, mund të krijonin potencial për shumë nisma të reja për të bërë biznes në Shqipëri, startup-e e SME të reja, zhvillim e qëndrueshmëri ekonomike, bazuar edhe në zhvillimin e prodhimit kombëtar për eksporte, i cili duhet të ndjekë ciklet e nevojave për çdo fazë (ndërtimi i bazave për eksport, përdorimi i mundësive ekzistuese dhe krijimi i mundësive të reja për eksport dhe internacionalizimi).
Duke parë shembullin e Danimarkës duhet që, sa më parë, të përqendrohemi në kuptimin se nuk mund të ketë performancë ekonomike një vend i vogël nëse nuk zhvillon eksportet. Duke parë shembullin e Danimarkës, duhet të ndërgjegjësohemi se Shqipëria duhet të ofrojë rregullime ligjore transparente e të parashikueshme, shtet ligjor të fortë dhe institucione të pavarura, rregulla të njëjta loje për kompanitë vendase dhe të huaja dhe një nivel të lartë digjitalizimi të sektorit publik që minimizon kompleksitetet.
Duke u kthyer në modelin danez, kujtojmë që Danimarka është vendi ku investohet me garancinë e besimit dhe shembulli më i mirë i vendit që tregon se funksionimi efektiv i shtetit të së drejtës, demokracisë dhe respektimi i të drejtave të njeriut sjell prosperitet ekonomik.
Ёshtë e rëndësishme dhe e ngutshme që Shqipëria të ndjekë shembuj të këtyre vendeve të vogla e shumë të suksesshme.
*AK PARTNERS Legal & Consulting
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.



