Agjencia e Prokurimit Publik raportoi se gjatë vitit 2025 janë shqyrtuar 42 kërkesa për përjashtimin e operatorëve ekonomikë nga e drejta për të fituar kontrata publike, nga të cilat 41 raste në procedura prokurimi publik dhe një rast në ankand publik.
Nga shqyrtimi i kërkesave, për 20 operatorë ekonomikë ka nisur procedimin administrativ, ndërsa 22 kërkesa rezultuan të paplota ose nuk plotësuan kushtet ligjore për nisjen e procedimit.
Pas vlerësimit të të dhënave APP mori në 2025 vendime përjashtimi 13 operatorë ekonomikë duke iu hequr atyre të drejtën për të fituar kontrata publike. Një operator përfundoi procedimin administrativ pa vendim ndërsa pesë operatorë u pezulluan dhe një procedim administrativ vijon ende.
Në raport APP ka bërë edhe një ndarje të arsyeve që kanë dominuar në përjashtimin e operatorëve. Kështu rezulton se shumica prej 10 operatorësh u përjashtuan për keqinformim dhe paraqitje të dokumenteve me të dhëna të rreme, ndërsa tre operatorë u rifutën në procesin e përjashtimit pas vendimit të Gjykatës Administrative të Apelit.
Të dhënat tregojnë gjithashtu se disa raste mbeten në proces shqyrtimi ose pezullim për shkak të mungesës së dokumentacionit të plotë ose verifikimeve të nevojshme ligjore.
Tërheqja e operatorëve nga kontrata
APP ka marrë në analizë edhe rastet kur operatorët janë tërhequr nga nënshkrimi i kontratave. Nëse kjo ndodh më shumë se 5 herë nga një operator atëherë përbën kusht për përjashtim.
“Nga raportimet e administruara gjatë këtij viti, nga autoritetet kontraktore, rezulton se, janë tërhequr nga nënshkrimi kontratës 16 operatorë ekonomikë.
Nga operatorët ekonomikë të raportuar pranë APP, nuk rezulton që asnjëri prej tyre të jetë tërhequr mbi pesë herë nga nënshkrimi i kontratës në procedura të ndryshme prokurimi, të zhvilluara nga një ose disa autoritete/ente kontraktore.
Sipas raportimeve rezulton se, i njëjti operator ekonomik është tërhequr dy herë nga nënshkrimi i kontratës, ndërkohë që, operatorët e tjerë ekonomikë të raportuar rezultojnë të jenë tërhequr vetëm një herë nga nënshkrimi i kontratës në procedurat e prokurimit të zhvilluara gjatë vitit 2025./N.Maho
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.



