Wednesday, May 6, 2026
Google search engine
BallinaEkonomiTurizmi nuk është formulë për çdo zonë

Turizmi nuk është formulë për çdo zonë


Mikel Qafa, Pedagog në Ekonomiks dhe Shkenca Kompjuterike

Nënkryetar i Bashkisë së Fushë Arrëzit

Në dekadën e fundit, në Shqipëri, turizmi është kthyer në fjalën kyçe të zhvillimit ekonomik. Lakohet si një nga faktorët kryesorë në strategjitë e zhvillimit, në promovimet publike, në komunikimin politik dhe në mënyrën se si shumë bashki përpiqen të ndërtojnë identitetin e tyre ekonomik. Kjo nuk është rastësi. Turizmi ka sjellë të ardhura, ka rritur lëvizjen e vizitorëve dhe ka krijuar mundësi të reja për shumë zona që për vite të tëra kanë qenë jashtë vëmendjes dhe përfshirjes në ekonominë kombëtare.

Por, pikërisht sepse turizmi është bërë kaq i rëndësishëm, duhet bërë një pyetje thelbësore: a është ekonomikisht e arsyeshme që turizmi të nxitet dhe reklamohet si zgjidhje për çdo zonë të Shqipërisë?

Në këndvështrim ekonomik, përgjigjja është pa dyshim jo. Jo çdo territor ka të njëjtat burime, të njëjtin kapacitet njerëzor, të njëjtën traditë prodhuese apo të njëjtat mundësi tregu. Disa zona kanë potencial real turistik; disa të tjera kanë avantazh më të madh në bujqësi, blegtori, industri, përpunim, energji apo shërbime të tjera prodhuese. Prandaj, zhvillimi territorial nuk mund të ndërtohet mbi një model të vetëm, sado i suksesshëm të duket ai në zona të caktuara.

Ndryshe nga politika, ekonomia nuk ndërtohet mbi dëshira, por mbi avantazhe krahasuese. Një zonë malore me kullota dhe traditë blegtorale nuk duhet patjetër të konkurrojë me zonat bregdetare në turizëm. Një zonë me tokë pjellore, ujë të mjaftueshëm, burime njerëzore të afta dhe afërsi me tregjet nuk duhet të braktisë prodhimin bujqësor për të ndërtuar artificialisht imazhin e një destinacioni turistik. Po ashtu, zona të tjera mund të kenë më shumë vlerë si hapësira industriale, prodhuese apo përpunuese, sesa si territore për bujtina, agroturizëm formal apo promovim sezonal.

Shqipëria ka nevojë për turizëm, sepse ka zona që mund të ofrojnë shërbime turistike konkurruese edhe në raport me destinacione të njohura ndërkombëtare. Por Shqipëria nuk mund ta ndërtojë të ardhmen vetëm mbi turizëm. Natyra, pozita gjeografike dhe tradita ekonomike i kanë dhënë vendit edhe asete të tjera: tokë bujqësore, kullota, pyje, ujë, minerale, potencial energjetik, mundësi për përpunim dhe hapësira për industri të lehtë. Të gjitha këto nuk mund të trajtohen si ekonomi dytësore vetëm sepse turizmi është bërë më i dukshëm në komunikimin publik.

Ndërsa turizmi paraqitet si mundësi për të gjithë, në sektorë të tjerë të ekonomisë mbështetja shkon kryesisht tek ata që kanë tashmë aktivitet, kapacitete dhe histori prodhimi. Të rinjtë që duan të nisin diçka nga e para përballen me një mori vështirësish: mungesë kapitali fillestar, vështirësi në akses në tokë, mungesë garancish bankare, kosto të larta pajisjesh dhe mungesë orientimi teknik. Në shumë raste, mungon një program mbarëkombëtar i qartë që t’i mbështesë ata jo thjesht të punësohen, por të bëhen sipërmarrës të rinj në sektorët prodhues.

Kjo nuk është vetëm çështje sociale. Është çështje efiçencë ekonomike. Kur fondet publike mbështesin kryesisht zgjerimin e aktiviteteve ekzistuese, ato ndihmojnë një pjesë të ekonomisë, por nuk krijojnë domosdoshmërisht aktivitet të ri. Ndërkohë, çdo i ri që nuk arrin të hyjë në treg për shkak të mungesës së kapitalit fillestar përfaqëson një sipërmarrje të humbur, një vend pune të pakrijuar dhe një mundësi zhvillimi të parealizuar. Një ekonomi që nuk hap dyer për të rinj, sidomos në zonat rurale dhe periferike, rrezikon të mbetet e varur nga aktorët ekzistues dhe nga modelet e vjetra të prodhimit.

Turizmi shpesh shihet si mënyra më e shpejtë për të sjellë para në një territor. Në disa raste, kjo është e vërtetë. Por turizmi nuk krijon gjithmonë bazë të qëndrueshme ekonomike. Ai mund të jetë sezonal, i varur nga trendi i destinacioneve, nga infrastruktura, nga fuqia punëtore dhe nga kapaciteti për të ruajtur standarde cilësore. Në zona ku nuk ka fluks real vizitorësh, promovimi turistik mund të krijojë më shumë pritshmëri sesa të ardhura, më shumë imazh sesa produktivitet.

Për këtë arsye, Shqipëria ka nevojë për një qasje më të pjekur ndaj zhvillimit territorial. Disa zona duhet të promovohen fort për turizëm. Disa duhet të orientohen drejt bujqësisë intensive. Disa drejt blegtorisë, disa drejt industrisë së lehtë, disa drejt përpunimit ushqimor, etj. Kjo nuk e zvogëlon rëndësinë e turizmit; përkundrazi, e vendos atë në vendin e duhur. Problemi nuk është kur një zonë zhvillon turizëm aty ku ka potencial real. Problemi lind kur çdo zonë shtyhet të konkurrojë për imazh, në vend që të konkurrojë për produktivitet.

Nëse Shqipëria dëshiron zhvillim të qëndrueshëm, duhet të ndalojë së trajtuari çdo zonë si kartolinë turistike dhe të fillojë ta trajtojë çdo zonë si ekonomi të specializuar. Një vend nuk zhvillohet vetëm duke u vizituar, qoftë nga shqiptarë apo të huaj. Një vend zhvillohet kur prodhon, punëson, përpunon, eksporton dhe krijon vlerë ekonomike të qëndrueshme.

Turizmi mund ta bëjë Shqipërinë më të dukshme. Por prodhimi e bën atë më të fortë.

 

Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.



Source link

Artikuj te ngjashem
- Advertisment -
Google search engine

Me Te Klikuarat