Apple ka vazhduar serinë e prezantimeve të produkteve me AirPods Max 2, i cili përditësohet për herë të parë pas 5 vitesh. Kufjet over-ear mbajnë të njëjtin çmim prej $549, duke sinjalizuar se përditësimi fokusohet më tepër te performanca dhe veçoritë sesa te një ridizajnim i plotë.
Apple premton anulim aktiv të zhurmës më efikas, cilësi më të lartë audio dhe funksione inteligjente të avancuara. Kufjet përdorin çipin H2 dhe sjellin veçori si Adaptive Audio, Conversation Awareness, Voice Isolation dhe Live Translation. Sipas kompanisë, anulimi i zhurmës është deri në 1.5 herë më i mirë se gjenerata e parë, falë algoritmeve të reja të përpunimit audio.

Modaliteti Transparency është rafinuar për një përvojë më natyrale, ndërsa mbështetja për audio pa humbje 24-bit/48kHz përmes kabllos USB-C i bën këto kufje më tërheqëse për muzikantë, editorë dhe krijues përmbajtjeje. Gjithashtu, ato mund të përdoren për krijim dhe miksim në Spatial Audio të personalizuar me ndjekje të lëvizjes së kokës.

Adaptive Audio balancon automatikisht izolimin dhe transparencën sipas ambientit, ndërsa Conversation Awareness ul volumin kur përdoruesi nis të flasë. Voice Isolation përmirëson qartësinë e thirrjeve, ndërsa Live Translation ofron përkthim në kohë reale, megjithëse kërkon një iPhone të përputhshëm dhe ka kufizime gjuhësore.
Apple ka shtuar edhe funksione për krijuesit, si regjistrim audio me cilësi studioje, përdorimin e Digital Crown si telekomandë për kamerën dhe latencë më të ulët në lojëra. Autonomia mbetet 20 orë me ANC dhe Spatial Audio aktiv, ndërsa pesha prej 386 gramësh është pak më e lartë se më parë. AirPods Max 2 ofrohen në disa ngjyra të reja si midnight, starlight, blue, purple, dhe orange duke ruajtur edhe Smart Case-in ekzistues.



