Analisti Fatos Lubonja mendon se një kryetar partie asnjëherë nuk duhet të konkurrojë i vetëm në një garë partiake, por duhet të lejojë hapjen.
Ai ngriti kritika ndaj kryetarit të PD-së, Sali Berisha, që nuk po arrin ta bashkojë opozitën në një front dhe që me vetëpërjashtimet në parti krijon më shumë përçarje.
Teksa komentoi në nje studio televizive situatën në Partinë Demokratike dhe fushatën zgjedhore të saj, ai ndau disa mendime duke e analizuar.
“Asnjëherë nuk ka qenë koha që një kryetar të jetë i vetëm, gjithmonë duhet të ketë konkurrentë. Ideja ime është kjo, kam qenë e mbetem, ka ardhur koha që opozita të krijojë një bashkësi të madhe për rivendosje të rregullave dhe demokracisë. Pra PD dhe gjithë të tjerat të bashkohen e të krijojnë një front. Kjo frymë bashkëpunimi përjashton idenë që brenda vetë PD të copëtohet akoma, të mos ketë njerëz pra, që të ketë më shumë hapësirë. Në këtë aspekt unë shoh se Berisha është problem, në kuptimin se nuk ka punuar sa duhet për të bashkuar edhe këta të tjerët. Vetëpërjashtimi më duket akoma më keq, përçarje e partisë”, komentoi ai
Për Lubonjën, opozitës i duhet të bashkohet edhe me ato parti që janë kundër në projekt politik, sepse kështu jep idenë e bashkimit dhe jo të përçarjes.
“Edhe partitë e tjera që kanë lindur kanë lindur kundër PD, unë them se ato Lapaj, Shehaj, mundësisht edhe ajo e Qorit, a ke mundësi t’i bashkosh të gjithë, të krijosh një bashkim, ky duhet të ishte dimensioni i PD-së dhe për mendimin tim Berisha nuk e ka këtë dimension. Por Salianji nuk doli kështu, konflikti solli konfliktin dhe nuk u dëgjua, erdhëm këtu. Pse duhet të jepet ky sinjal, ne duhet të jemi besnik dhe asnjë tjetër, jo. Ti duhet të bësh front, të bashkosh partinë, po pse s’e bën Berisha? Ndoshta se mendon se partia i përçahet, ose krijohet ideja se po tentohet punohet për ta përçarë PD-në dhe ne e dimë se Rama punon për ta përçarë PD-në. Pse nuk dalin njerëz tjetër më të besuar të paktën?”, vijoi ai analizën e tij.
Në fund Lubonja propozoi që statutet e partive, kryesisht forcave të mëdha, PS e PD, duhet të parashikojnë jo më shumë se 8 vite mandatin e një kryetari partie.
“Me këtë përvojë që kemi, çdo lider, jo vetëm Berisha, por edhe Rama e të tjerë, në ato statute duhet të jetë një kryetar të mos rrijë më shumë se 8 vite kryetar, nuk duhet të rrijë. Unë po e them si ideal politik, se me realpolitikë jemi në këtë situatë që thotë Berisha, po ika unë PD bëhet me gjashtë parti”, tha ai.



