Monday, May 4, 2026
Google search engine
BallinaShow BizPranoi fajësinë, gjykata merr vendimin për Britney Spears

Pranoi fajësinë, gjykata merr vendimin për Britney Spears


Pop ylli 44-vjeçar, Britney Spears, ka pranuar fajësinë këtë të hënë për akuzën e drejtimit të rrezikshëm të automjetit, duke shpëtuar kështu nga çdo dënim me burg. Këngëtarja, e cila fillimisht u akuzua për drejtim mjeti nën ndikimin e kombinuar të alkoolit dhe të paktën një lënde narkotike, nuk u paraqit fizikisht në gjykatën e qarkut Ventura në Kaliforni, pasi përfaqësimi i saj u bë përmes avokatit mbrojtës.

Ngjarja për të cilën akuzohet ndodhi më 4 mars të këtij viti, kur Britney u arrestua pasi u ndalua nga policia në Kaliforninë e Jugut. Autoritetet raportuan se ajo po e drejtonte makinën e saj tip BMW me shpejtësi të lartë dhe në mënyrë mjaft të çrregullt. Pasi dështoi në testet e maturisë në terren, ajo u dërgua në paraburgim, por u lirua me kusht vetëm një ditë më pas, duke nisur vullnetarisht një program rehabilitimi.

Prokurori i qarkut, Erik Nasarenko, konfirmoi se artistja mori përgjegjësi që në fazat e para të procesit. Përmes marrëveshjes për pranimin e fajësisë, gjykata vendosi që ajo t’i nënshtrohet një viti liri me kusht jozyrtare, të ndjekë kurse ndërgjegjësimi dhe të paguajë gjobat shtetërore. Gjithashtu, Britney ka pranuar një reduktim të privatësisë gjatë drejtimit të makinës, çka i lejon policisë t’i bëjë kontrolle apo teste maturie nëse e ndalon sërish në të ardhmen.

Një tjetër kusht thelbësor nga gjykata është detyrimi për të vazhduar trajtimin e shëndetit mendor dhe menaxhimit të substancave, duke kryer takime të rregullta me një psikolog dhe psikiatër. Avokati i saj, Michael A. Goldstein, konfirmoi se këngëtarja e ka përfunduar tashmë me sukses qëndrimin në qendrën e trajtimit dhe po ndërmerr hapa pozitivë për veten, duke shtuar se të gjitha palët janë të kënaqura që kjo çështje më në fund po mbyllet.

Prokuroria ritheksoi se qëllimi kryesor i ligjit në raste të tilla për shkelësit e herës së parë mbetet trajtimi dhe rehabilitimi, pavarësisht nëse bëhet fjalë për një person të famshëm. Ky incident vjen pasi Britney Spears fitoi lirinë nga kujdestaria e saj ligjore 14-vjeçare në vitin 2021, periudhë pas së cilës ajo ka bërë shumë pak dalje publike dhe ka deklaruar prerë se nuk ka ndërmend të rikthehet më në industrinë e muzikës. /Prive By Liberta Spahiu



Burimi Privebruto.com

Artikuj te ngjashem
- Advertisment -
Google search engine

Me Te Klikuarat