Seanca e kësaj të hënë e dedikuar për zgjedhësit është shoqëruar me debate mes mazhorancës dhe opozitës lidhur me ngjarjen e rëndë të Durrësit, ku një ditë më parë ndodhi një aksident tragjik që u kushtoi jetën dy të miturve.
Kreu i Grupit Parlamentar Taulant Balla dhe kreu i PD-së Sali Berisha janë përplasur në replika lidhur me përgjegjësinë që lidhej me çështjen në fjalë, sipas tyre. Balla u shpreh se duhet një ndryshim në kod dhe në fjalën e tij ka kërkuar vëmendje nga policia për të kontrolluar të ashtuquajturit “të fortët” e lagjes sipas Ballës.
Balla: Mbështes plotësisht nevojën që kemi për të reflektuar të gjithë, të majtë, të djathtë, socialistë e demokratë. Ngjarja e djeshme na kërkon që të fillojmë të kuptojmë si zbatohen ligjet tona. Shembulli që dha Braçja është kuptimplotë. Nëse ne mjaftohemi me heqjen e pikëve në patentë, kjo është e rëndë për ne. Prandaj, po diskutoja për këtë dhe me kryetarin e Komisionit të Ligjeve, teksa jemi në fazën e rishikimit penal, Gjykata e Lartë e SHBA-së ka vendosur konceptin e vrasjes në kushtet e vetëbesimit të tepruar. Përgjigja jonë në këtë rast duhet të jetë e menjëhershme sapo të kemi mundësinë që të ndryshojmë Kodin. Kam edhe një thirrje për Policinë e Shtetit, e cila duhet të analizojë këtë rast me shumë vëmendje. Këta të ‘fortët e lagjeve’ duhen bërë shembull të gjithë, duhen kontrolluar mëngjes, drekë dhe darkë, dhe nuk kanë përse të kenë patentë.
Nga ana tjetër pas fjalës së Ballës ka replikuar kreu i PD-së Sali Berisha.
Berisha: Të bësh teori se të fortit, kujt janë të fortit mor? Të fortit janë patronazhistë të poshtër që terrorizojnë qytetarët për pushtetin e krimit. Të fortit janë patronazhistë. Ai duhej arrestuar 10 herë, e nuk u arrestua asnjëherë se ishte terrorist i votave. Nuk ka të fortë që nuk i bën dot zap policia. Po ka të fort që kanë bërë zap policinë.



