Flet Zak Topuzi, Shoqata Shqiptare e Hotelierëve
Shqipëria duhet të shkojë drejt një modeli turistik, që i sjell një turist më cilësor, i cili është i gatshëm për të marrë shërbime premium dhe t’i paguajë ato. Zak Topuzi, nga Shoqata Shqiptare e Hotelierëve, shprehet se ky është një model i qëndrueshëm dhe që garanton turizëm gjithëvjetor.
Sipas tij, këto zona, që ndërthurin akomodimin hotelier, rezidencat turistike, portet e jahteve, shërbimet, hapësirat publike, tregtinë dhe aktivitetet kulturore, krijojnë ekosisteme funksionale që jetojnë gjatë gjithë vitit dhe jo vetëm në sezonin veror.
Sipas z. Topuzi, këto zona gjenerojnë qëndrueshmëri financiare për investitorët, por edhe përfitime afatgjata për komunitetet lokale, duke krijuar vende pune të përhershme, infrastrukturë cilësore dhe shërbime që përdoren nga turistët dhe banorët njësoj.
“Mixed Use nuk shihet thjesht si një model ndërtimi, por si një filozofi zhvillimi që e pozicionon Shqipërinë në një trajektore të re turistike: nga destinacion i lirë dhe sezonal, në një destinacion me identitet, cilësi dhe eksperienca të shumëllojshme, të afta të konkurrojnë në tregun mesdhetar dhe më gjerë. Shqipëria, sot, nuk fiton duke konkurruar Antalyan”, – nënvizon ai.
Cilat janë disa nga tendencat e turizmit që po vihen re në botë të cilat rrjedhimisht na ndikojnë edhe ne?
Sipas analizave të fundit të Booking.com (Dhjetor 2025) dhe të dhënave të rezervimeve për vitin 2026, turisti modern nuk kërkon më thjesht një destinacion, por një përvojë të plotë dhe kuptimplotë. Pyetja nuk është më “Ku të shkoj?”, por “Çfarë do të përjetoj atje?”. Turistët duan aktivitete lokale, kontakte me komunitetin, histori, ushqim autentik dhe natyrë të paprekur.
Tre tendenca kryesore po formojnë kërkesën globale për vitin 2026:
- Autenticiteti dhe “local living” – rritet kërkesa për bujtina tradicionale, shtëpi në zona joturistike, ku vizitori mund të jetojë si vendas.
- Qëndrueshmëria dhe natyra – turistët europianë shmangin destinacionet e mbipopulluara, zgjedhin biznese që respektojnë mjedisin dhe tregojnë një ndërgjegje ekologjike. Të dhënat e Eurostat tregojnë se 13.5% e udhëtarëve në BE qëndruan në kamping, gati dyfish më shumë se vite më parë, duke reflektuar rritjen e interesit për udhëtime aventure dhe miqësore me natyrën.
- Gastronomia lokale – ushqimi, verërat dhe produktet artizanale po bëhen një arsye kryesore për udhëtim. Certifikimet Michelin të vitit 2026, nuk do të jenë jashtë qendrave urbane, tregojnë se përvoja gastronomike cilësore nuk lidhet vetëm me qytetet kryesore.
Cilat janë segmentet me rritje më të shpejtë në këndvështrimin tuaj (turizëm masiv, turizëm kulturor, luksoz, eco-turizëm, aventurë) dhe ku duhet ta përqendrojmë më shumë fokusin?
Në përmbledhje, trendet globale që po rriten më shpejt janë:
- Eco-turizmi,
- Turizmi kulturor,
- Turizmi i aventurës,
- Turizmi Wellness(shëndeti dhe relaksi),
- Turizmi cilësor luxury dhe Premium.
Shqipëria ka një mjedis natyror të pasur me male, lumenj dhe shëtitje në natyrë, zona historike dhe tradita kulturore e gastronomike që mund të zhvillohen për produkte turistike autentike, aventure dhe cilësore. Ky është momenti për të investuar në turizëm që rrit vlerën e destinacionit, zgjeron sezonin dhe tërheq turistë me fuqi blerëse të lartë.
Pse janë të rëndësishëm dhe duhet vënë theksi:
Eco-turizmi – Tërheq turistë me ndërgjegje mjedisore, zgjeron sezonin.
Turizëm kulturor – Zgjat sezonin (jo vetëm bregdet), rrit vlerën e destinacionit.
Turizëm i Aventurës – Segmenti në rritje shumë të shpejtë globale.
Turizëm Wellness – Turizëm i shëndetit dhe relaksit, gjithashtu treg në rritje të shpejtë.
Turizëm Cilësor – Turistët luxury & Premium, po rriten më shpejt se turizmi masiv.
“Turisti i vitit 2026 nuk kërkon më Destinacionin më të lirë, por atë që i jep më shumë kuptim udhëtimit.”
Tashmë kemi një strategji të miratuar, a mund të flasim për ndikimin e saj në sektor sepse nuk mjafton vetëm një dokumenti mirë por duhet edhe ta zbatosh. Pra nga duhet të nisë së pari?
Strategjia e Turizmit 2026–2030 vendos në qendër të zhvillimit zonat Mixed Use (zona që shkrijnë në një hotelerinë, rezidencialin, shitjet, zyrat dhe hapësirat e argëtimit për t’u kthyer në destinacioen gjithëvjetore në turizëm), të konsideruara sot si modeli më i qëndrueshëm dhe më rentabël i investimeve turistike.
Këto zona, që ndërthurin akomodimin hotelier, rezidencat turistike, portet e jahteve, shërbimet, hapësirat publike, tregtinë dhe aktivitetet kulturore, krijojnë ekosisteme funksionale që jetojnë gjatë gjithë vitit dhe jo vetëm në sezonin veror.
Pikërisht kjo i bën ato një instrument kyç për zgjatjen e sezonit turistik dhe për uljen e varësisë nga turizmi sezonal dhe i lirë.
Përmes zhvillimeve Mixed Use, strategjia synon një kalim gradual nga turizmi masiv me vlerë të ulët, drejt një turizmi që rrit vlerën e destinacionit, si në aspektin ekonomik ashtu edhe në atë urban e social.
Këto zona gjenerojnë qëndrueshmëri financiare për investitorët, por edhe përfitime afatgjata për komunitetet lokale, duke krijuar vende pune të përhershme, infrastrukturë cilësore dhe shërbime që përdoren nga turistët dhe banorët njësoj.
Në këtë kontekst, Mixed Use nuk shihet thjesht si një model ndërtimi, por si një filozofi zhvillimi që e pozicionon Shqipërinë në një trajektore të re turistike: nga destinacion i lirë dhe sezonal, në një destinacion me identitet, cilësi dhe eksperienca të shumëllojshme, të afta të konkurrojnë në tregun mesdhetar dhe më gjerë. Shqipëria, sot, nuk fiton duke konkurruar Antalyan!
Një element tjetër thelbësor që e bën modelin Mixed Use strategjik për Shqipërinë lidhet me mungesën e theksuar të kapaciteteve hoteliere të kategorisë së lartë.
Aktualisht, hotelet me 5 yje përbëjnë vetëm rreth 1% të kapaciteteve akomoduese, ndërkohë që vende konkurruese në rajon si Kroacia dhe Mali i Zi kanë arritur në nivele 7–10%. Ky hendek cilësor e kufizon ndjeshëm aftësinë e Shqipërisë për të konkurruar në segmentin e turizmit me vlerë të lartë.
Zhvillimi i zonave Mixed Use, të integruara me struktura hoteliere premium dhe shërbime të standardit ndërkombëtar, krijon mundësinë reale për të thithur shtresat me të ardhura të mesme dhe të larta, veçanërisht nga Kosova dhe tregu vendas, të cilat sot po orientojnë gjithnjë e më shumë pushimet drejt destinacioneve alternative si Greqia, përtej Malit të Zi.
Këto investime jo vetëm që mbajnë kapitalin turistik brenda vendit, por kontribuojnë drejtpërdrejt në rritjen e shpenzimit mesatar për turist dhe në forcimin e pozicionimit të Shqipërisë si destinacion cilësor dhe konkurrues në Mesdhe.
Së fundmi, qeveria miratoi rregullat e reja për stacionet e plazhit duke vendosur edhe kriterin e çmimeve maksimale në kontrata. A mendoni se ky është një instrument që do të funksionojë?
Nga pamjet me dron shikon bregdetin shqiptar të zaptuar nga bizneset private me kilometra të tëra duke lënë për plazh publik, zona periferike apo pranë kanaleve që shkarkojnë ujëra të ndotura.
Në janar 2026, qeveria ndryshoi ligjin për menaxhimin e plazheve, duke synuar të adresojë një problem ku Shqipëria ka dështuar, paradoksalisht, me “sukses” për më shumë se 15 vite.
Ndryshimet e reja, në thelb, nuk përbëjnë një reformë rrënjësore krahasuar me ligjin ekzistues, por synojnë një rregullim më të qartë të modelit aktual përmes vendosjes së një menaxhimi të kombinuar publik dhe privat dhe më transparent.
Sipas ligjit të ri, plazhet publike duhet të ofrojnë shërbime bazë dhe komoditet minimal për pushuesit, me çmime të ulëta dhe të kontrolluara.
Plazhet private, nga ana tjetër, lejohen të ofrojnë shërbime shtesë si çadra dhe shezlonë, por me çmime të afishuara që në kontratë dhe nën një tavan të përcaktuar. Çdo shkelje e këtij tavani do të ndëshkohet me gjobë, prishje kontrate dhe përjashtim nga sezoni pasardhës.
Për herë të parë, ligji u njeh klientëve të drejtën e ankimit, ndërsa e drejta për të administruar plazhe u jepet hoteleve por dhe restoranteve dhe bareve në vijën e parë, një kategori që ishte e përjashtuar në kuadrin e mëparshëm ligjor.
Në parim, ky model synon të rrisë standardin e shërbimeve, të përmirësojë pastërtinë dhe organizimin profesional të plazheve, si dhe të garantojë komoditet për turistët dhe banorët vendas pa i shndërruar pushimet në një barrë financiare.
Ligji gjithashtu përcakton më qartë përgjegjësitë e Bashkive dhe autoriteteve lokale në menaxhimin e vijës bregdetare, duke tentuar të adresojë dhe të përmirësojë problematikat kronike si mbeturinat, pastrimi dhe mungesa e stafit të trajnuar.
Megjithatë, mbetet pyetja thelbësore nëse ky ndryshim është i mjaftueshëm për të stabilizuar përfundimisht një problem që rikthehet çdo sezon.
Skepticizmi është i arsyeshëm, pasi Bashkitë kanë treguar paaftësi të vazhdueshme në menaxhimin e territorit në tërësi dhe kanë dështuar më parë edhe në administrimin e vijës bregdetare.
Në shumë raste, ato nuk arrijnë të mbajnë të pastra as rrugët nacionale brenda juridiksionit të tyre, duke vënë në pikëpyetje kapacitetin për të menaxhuar një sektor edhe më kompleks si plazhet.
Nga ana tjetër, ndërhyrja e qeverisë në vendosjen e çmimeve përbën një balancim artificial të interesave mes palëve, duke hyrë drejtpërdrejt në mekanizmat e tregut të lirë.
Në praktikë, pjesa më e madhe e vijës bregdetare nga Vlora në Shëngjin ka pasur çmime mesatare të arsyeshme, rreth 10 euro, çka tregon se problemi kryesor nuk ka qenë çmimi, por mungesa e standardeve, kontrollit real dhe respektimit të hapësirave publike, veçanërisht për komunitetet që banojnë në vijën e dytë dhe më tej.
Në këtë kontekst, modeli grek ofron një alternativë më të qartë dhe funksionale për Shqipërinë.
Në Greqi, segmentet e vijës bregdetare ndahen në mënyrë të balancuar, ku rreth 50% mbeten hapësira publike falas, të mirëmbajtura nga Bashkitë, dhe 50% menaxhohen nga privatët pa tavan çmimi, por nën kontrolle strikte dhe respektim rigoroz të hapësirës publike.
I rëndësishëm është fakti që ligji grek nuk lejon hapësirat e zëna publike apo private të jenë më të mëdha se 500 metra linear.
Një model i tillë, i shoqëruar me zbatim real të ligjit dhe kontrolle efektive, do të ishte më i përshtatshëm për të garantuar akses, cilësi dhe konkurrueshmëri afatgjatë të turizmit bregdetar shqiptar.
Cila është sfida më e madhe që shihni për këtë vit në turizëm duke pasur parasysh që viti i kaluar në disa raste pati probleme elementare me energjinë, ndotjen nga djegia e mbetjeve apo mungesë të ujit?
Problemet kryesore që mund të pengojnë zhvillimin e turizmit shqiptar në 2026 lidhen me infrastrukturën dhe menaxhimin e mjedisit.
Një sfidë e madhe mbetet ndotja e ujërave larës, për shkak të derdhjes së ujërave të ndotura pa trajtim të duhur, që kërcënon jo vetëm shëndetin publik, por edhe cilësinë e destinacioneve bregdetare.
Një tjetër problem i dukshëm është menaxhimi i mbeturinave, ku Bashkitë dhe Komunat shpesh nuk janë në gjendje të sigurojnë mbledhjen, depozitimin dhe përpunimin e tyre në mënyrë efektive, duke krijuar pamje jo të këndshme dhe pasoja ekologjike.
Në aspektin e lëvizjes së turistëve, mungesa e transportit publik cilësor paraqet një pengesë serioze. Sipas të dhënave, rreth 68% e turistëve vijnë në rrugë tokësore, dhe gati gjysma e atyre që përdorin rrugën ajrore duhet të marrin mjete me qira për shkak të mungesës së opsioneve publike të besueshme.
Kjo jo vetëm që rrit kostot për turistët, por kufizon edhe qarkullimin brenda destinacioneve, duke goditur potencialin për turizëm gjithëvjetor dhe zhvillimin e produkteve turistike më të sofistikuara.
Masivizimi si destinacion turistik nuk ka vetëm anët e mira të tij por edhe ato negative, duke e bërë më të shtrenjtë jetesën për vendasit diçka që po ndodh edhe këtu.
Cilët janë treguesit që duhen përdorur për të matur cilësinë e përvojës turistike (jo vetëm numrat e hyrjeve që nuk na thonë asgjë)?
Sipas raportit të INSTAT për lëvizjet e shtetasve të huaj në Shqipëri për vitin 2025, rezulton se 97% e vizitorëve janë shtetas nga Europa, por struktura e tyre gjeografike tregon një profil ende të kufizuar të tregut. Vetëm 6% e turistëve vijnë nga Europa Perëndimore dhe 4% nga Europa Veriore, ndërsa pjesa dërrmuese, rreth 87%, përbëhet nga turistë të Europës Jugore dhe Lindore.
Brenda këtij grupi, “turizmi rajonal dominon qartë”, ku Kosova përbën rreth 37,4% të totalit të vizitorëve, duke qenë tregu kryesor hyrës për Shqipërinë. Italia renditet e dyta me rreth 10%, pavarësisht një rënieje të ndjeshme në vitin e fundit.
Ky profil tregon varësi të lartë nga tregje afër gjeografikisht dhe me nivel shpenzimi mesatar relativisht të ulët.
Ndërkohë, turistët me kontratë (charter dhe paketa të organizuara) përbëjnë vetëm rreth 15% të totalit, duke krijuar një hendek të dukshëm mes rritjes së numrit të vizitorëve dhe të ardhurave reale për turist.
Ky disproporcion nënvizon nevojën për një orientim më të qartë drejt produkteve turistike të strukturuara, kapaciteteve hoteliere cilësore dhe zhvillimeve Mixed Use, të cilat janë të afta të tërheqin tregje më të largëta dhe me fuqi më të lartë shpenzuese.
Lexoni edhe:
Pritshmëritë e turizmit, një tjetër vit mes pasigurish
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.



