Monday, May 4, 2026
Google search engine
BallinaPolitikeJa si po ia fal 8 milionë euro të garancisë Edi Rama...

Ja si po ia fal 8 milionë euro të garancisë Edi Rama Archirodon, pazaret e kryeministrit për ta nxjerrë pa pagesë… – Sot News


Projekti për ndërtimin e Portit të Ri Tregtar të Durrësit në Porto Romano, një nga investimet më të mëdha infrastrukturore në vend, vazhdon të shoqërohet me dyshime të forta për favorizim dhe vendime politike që po i shkaktojnë shtetit miliona euro dëm financiar. Dokumentet zyrtare të procedurës së prokurimit që gazeta “SOT” disponon tregojnë se gara për ndërtimin e fazës së parë të portit, me një vlerë rreth 399 milionë euro pa TVSH, parashikonte një garanci oferte prej afro 8 milionë eurosh, një shumë që duhet të konfiskohej në rast se kompania fituese tërhiqej nga kontrata.  Por zhvillimet e fundit kanë ngritur dyshime se kryeministri Edi Rama po përgatit një skenar për ta liruar nga ky detyrim kompaninë Archirodon të përzgjedhur për të ndërtuar Porto Romanon, por që u tërhoq në momentin e fundit nga gara, duke i falur praktikisht garancinë që sipas rregullave duhet t’i kalonte buxhetit të shtetit.

Justifikimi i Ramës

Në konferencën me gazetarët, ditën e djeshme kryeministri Rama nuk pranoi se tenderi u anulua pas presionit të amerikanëve apo të kancelarive të Bashkimit Europian, nga ku kishin ardhur disa oferta serioze nga kompani me reputacion global, të cilat nuk dolën fituese në tenderin që po hetohet nga prokurorët e SPAK. Rama u përpoq të justifikohet për ngërçin që ka krijuar me portin e Durrësit, si një pengesë e Korridorit VIII që nis nga Italia, kalon në Shqipëri, shkon më tej në Maqedoninë e Veriut për të mbërritur deri në portet e Bullgarisë. Shkak të vonesave sipas Ramës janë ndërhyrjet nga jashtë, ndërsa ankesat e kompanive dhe hetimet e SPAP tregojnë se shkak ka qenë korrupsioni i brendshëm me tenderat. Sipas Ramës, anulimi i tenderit ishte thjesht një “koincidencë e pashmangshme që doli në momentin e fundit”, por që nuk do ta ndalë ndërtimin e një porti të ri. Ai tha se kompania u tërhoq nga argumentimi i krizës dhe çmimeve për shkak të shpërthimit të luftës, por ky duket se është më tepër një justifikim i kryeministrit që mos t’i marrin 8 milionë eurot e garancisë kompanisë, pasi kur u bë marrëveshja, çmimet në atë kohë nuk qene ngritur.  “Gara është organizuar dy herë dhe në të dy herët ka pas interes shumë të madh. Çështja ka qenë që herën e parë, kriteret kanë qenë shumë të forta, por kjo nuk do të thotë që s’ka pas kompani që nuk i ofron, por duan të thonë që nëse nuk i përgatit dot në kohë të gjitha gjërat që duhen për atë garë, nuk kualifikohesh dot. Herën e parë gara është anuluar, këtë herë ndodh kjo koincidencë fatkeqe. Dhe e përsëris, kompania e ka shkruar tërheqjen e saj me argumentin e krizës dhe çmimeve dhe normalisht, nëse gjërat nuk kthehen në normalitet, e bën shumë të vështirë marrjen përsipër, të ndërtimit të atij porti me ato çmime që janë vendosur aty dhe me atë financim që është vendosur aty. Nuk e kemi fare informacion që ka pas ndonjë komponent tjetër që ka ndikuar në tërheqjen e kompanisë” u shpreh Rama në konferencën për mediat.

Prapaskenat

Gazeta e ka raportuar dhe në artikujt e kaluar se ndryshe nga sa thotë Rama, pengesat për tenderimin me sukses të portit të ri në Porto Romano kanë të bëjnë me dyshimet për garën e manipuluar, ku kompanitë gjigante europiane u skualifikuan nga tenderi në mënyrë korruptive. Në fazën e parakualifikimit u përjashtuan konsorciume të mëdha europiane si Jan De Nul dhe grupi Vinci dhe arsyeja zyrtare lidhej me mungesën e disa dokumenteve mbështetëse për një projekt konkret në ishullin Reunion, edhe pse bëhej fjalë për një nga projektet infrastrukturore më të njohura në botë, të realizuar nga një konsorcium ku Vinci ishte lider. Praktikisht, një kompani me dekada përvojë, qindra mijëra punonjës dhe dhjetëra miliarda euro xhiro vjetore u përjashtua për një formalitet që nuk cenonte aspak kapacitetin real teknik apo financiar të ofertuesit.

Kur Jan De Nul dhe Vinci tentuan të ankimonin skualifikimin, procesi u bllokua sepse autoritetet kërkuan pagesën e 0.5 për qind të vlerës së tenderit, rreth 2 milionë euro, vetëm për shqyrtimin e ankesës, duke lënë vetëm dy ditë afat për kryerjen e pagesës. Praktikisht, Komisioni i Prokurimit Publik refuzoi ta shqyrtonte ankesën dhe autorizoi vijimin e procedurës, duke mbyllur derën për çdo kontroll real ligjor mbi vendimin e skualifikimit. Hapi i fundit i skemës ishte eliminimi edhe i Van Oord, kompanisë holandeze me reputacion global në ndërtimin e porteve dhe marinave. Skualifikimi i saj u justifikua me mosparaqitjen në kohë të ekuivalentimit të licencave dhe dokumentacionit të stafit, edhe pse kompania kishte kuptuar se këto kërkesa do të plotësoheshin vetëm para nënshkrimit të kontratës dhe kishte nisur procedurat në e-Albania, duke kërkuar shtyrje afati. Autoritetet nuk pranuan asnjë shtyrje dhe ndërprenë komunikimin, duke e lënë kompaninë jashtë gare. Kështu, pas një serie përjashtimesh të njëpasnjëshme mbi baza formale, në garë mbeti vetëm filiali qipriot i Archirodon.



Burimi sot.com.al

Artikuj te ngjashem
- Advertisment -
Google search engine

Me Te Klikuarat