Monday, May 4, 2026
Google search engine
BallinaEkonomi“Turizmi do të ketë rritje, hapja e Aeroportit të Vlorës ende e...

“Turizmi do të ketë rritje, hapja e Aeroportit të Vlorës ende e pasigurt”


Flet Rrahman Kasa, Unioni Turistik Shqiptar

 

Turizmi pritet të ketë rritje edhe këtë vit, por për operatorët turistikë, problemet e vitit të shkuar mbeten ende të pazgjidhura.

Rrahman Kasa, nga Unioni Turistik Shqiptar, rendit disa prej tyre, ku së pari është paqartësia e lidhur me Aeroportin e Vlorës, i cili ende nuk ka një datë të saktë për nisjen e fluturimeve.

Së dyti, mungesa e ujit në zonën e Golemit. Së treti, infrastruktura dhe trafiku që shoqëron sidomos pikun e sezonit veror në disa rajone.

 

Vitin e shkuar, ju patët marrëveshje me agjencitë e huaja për disa charter që do të vinin nga Aeroporti i Vlorës, diçka që nuk u bë e mundur. Si është situata këtë vit, duke qenë se sërish keni rezervime për ulje nga ky aeroport?

Aeroporti i Vlorës edhe këtë sezon mbetet i pasigurt nëse do të fillojë operimin dhe kur do të nisë. Kemi bërë disa takime me të dyja palët që janë mbajtëse të kontratës për këtë aeroport, por nuk po marrim një përgjigje përfundimtare nëse do të hapet apo jo.

Askush nuk di të thotë një afat të saktë. Na është thënë që do të përfundojë si projekt dhe ne kemi pasur edhe vizita brenda ndërtimit të aeroportit, ku gjërat duken se kanë ecur.

Megjithatë, një datë të saktë askush nuk e di. Ajo që ka rëndësi është edhe certifikimi i aeroportit, përveç përfundimit të ndërtimit, që të nisë operimi.

 

Si e prisni të jetë ky vit për turizmin e organizuar?

Nuk presim ndonjë ndryshim nga ajo që prisnim dhe që kemi thënë edhe në vjeshtë. Vazhdojmë të kemi një rritje mes 5–10 për qind, e moderuar por e qëndrueshme. Problemi ynë real në këtë moment është Aeroporti i Vlorës, pasi mund të na hapen probleme me kontratat që kemi nënshkruar.

Duke parë këtë pasiguri për hapjen e aeroportit, shitjet aktuale janë të ulëta. Ato që kemi shitur më herët kanë qenë me mbërritje nga Vlora dhe agjencitë e huaja kërkojnë ta dinë këtë, pasi duhet të lajmërojnë klientët.

Ata kanë të drejtë të vendosin nëse duan të anulojnë për shkak të pasigurisë se ku do të ulet charter-i. Vitin e kaluar ata u treguan mirëkuptues, por për këtë vit na u dha garanci për operimin dhe do të jetë e vështirë të justifikohet sërish.

 

Nga vijnë turistët e organizuar që kanë rezervuar në rajonin e Vlorës, ku janë edhe kontratat e garancisë me hotelet?

Janë nga Europa Lindore dhe Qendrore, pra polakë, çekë, sllovakë, gjermanë. Po kështu ka edhe nordikë. Sipas marrëveshjes janë shtatë avionë charter me garanci në javë, flas këtu për vete, por ndërkohë ka edhe të tjerë me kontrata garancie.

Llogaritet të jenë diku tek 10–12 charter në javë, për të cilët është bërë parapagim hotelesh në Vlorë. Hotelet në Vlorë kanë marrë këstet e para dhe disa edhe të dytat.

 

Si e shihni problemin e infrastrukturës duke pasur parasysh që ju e keni ngritur vazhdimisht në takimet tuaja me qeverinë? A është ajo më e përmirësuar, më e përkeqësuar apo njëlloj sipas jush?

Problemi i infrastrukturës është një nga kërkesat e kahershme dhe, pavarësisht disa përmirësimeve, ajo mbetet problem në disa rajone kyçe për turizmin, sepse në verë ka shumë trafik. Për shembull, nga Saranda në Ksamil ka raste që duhen tre orë të shkosh.

Aty po përpiqen të bëhen disa ndërhyrje, por mbetet për t’u parë kur mbarojnë dhe çfarë ndikimi do të kenë. Komani, për shembull, është një rrugë tjetër në ndërtim.

Është një nga segmentet më të kërkuara që ne kemi nga turistët që duan ta vizitojnë gjatë tureve ditore. Një tjetër problem vazhdon të mbetet rruga Plepa – Mali i Robit – Golem. Ka trafik të lartë dhe, pavarësisht se ky problem haset çdo vit, nuk është bërë ndonjë ndërhyrje që ta lehtësojë.

Ne u themi shpesh që të gjendet diçka alternative për ta lehtësuar këtë qarkullim. Për shumë destinacione ka interes, por infrastruktura bëhet pengesë për shfrytëzimin e plotë të potencialit të tyre. Problemi është se nuk duhet të qëndrojmë indiferentë, sepse konkurrenca është e lartë.

 

Cilët janë konkurrentët tanë sot në raportin cilësi/çmim sipas jush?

Bullgaria është bërë një konkurrente shumë agresive karshi rajonit, pasi ofron struktura mjaft të mira dhe më të lira. Greqia, nga ana tjetër, ofron ulje çmimi për kontratat me garanci, sepse hotelierët janë të interesuar të marrin paratë parapagim dhe pastaj të fokusohen tek elementet e tjera të mbarëvajtjes së sezonit. Shto këtu që Greqia ka edhe eksperiencë të gjatë në këtë sektor.

 

Cilët janë disa nga problemet që shihni në horizont dhe ku duhet të përqendrohet vëmendja e autoriteteve?

Urgjent është problemi i ujësjellësit në Golem, që ishte edhe vitin e kaluar. Nuk është zgjidhur ende dhe nëse do të vijojë edhe këtë vit, mendoj se do të jetë katastrofë. Autoritetet ende nuk kanë thënë asgjë se çfarë pritet.

Një tjetër problem që e përmenda është ai i segmenteve që ngarkohen me trafik. Kushti për vendosjen e impianteve të trajtimit të ujërave është një problem i madh, sepse praktikisht po hasen shumë vështirësi.

Së pari, bizneset po gjobiten për mungesën e këtyre impianteve me gjoba që arrijnë deri në 2.4 milionë lekë. Shumë prej tyre i kanë vendosur dhe kanë hasur në rezistencën e klientëve që ankohen për erën e keqe.

Subjekte të tjera nuk kanë mundësi fizike në terren se ku t’i instalojnë. Zgjidhjen e kësaj duhet ta gjejë shteti.

 

Cilët janë turistët e parë që vijnë në formë të organizuar këtë vit dhe kur pritet të vijnë?

Turistët e parë që vijnë janë polakët dhe gjermanët. Do të vijnë nga maji, diku mes datave 18–20 maj. Kjo është periudha që zakonisht nis turizmi i organizuar në vend.

Ajo që shoh si sfiduese është që të jemi gati për të ofruar një shërbim cilësor dhe këtë jo të gjithë subjektet e ofrojnë, për shkak të mungesës së stafit të kualifikuar. Ky staf ikën dita-ditës dhe e bën të vështirë menaxhimin.

Edhe të huajt që marrim nuk janë nivel drejtues. Ne plotësojmë nevojat për staf të nivelit më të ulët, pra kamerierë, banakierë, sanitarë. Menaxherët, edhe nëse do të donim t’i merrnim, nuk vijnë këtu sepse gjejnë punë të mirëpaguar në vendin e tyre.

Nëse do të pranonin të vinin, do të ishte për një pagesë shumë të lartë dhe kjo e bën të paleverdishme, sepse kërkojnë paga më të larta sesa në BE.

Unë di 3–4 raste që hotelet kanë marrë menaxherë të nivelit të lartë nga vende si Greqia dhe Italia dhe kanë rezultuar e pasuksesshme, sepse nuk përshtaten dot me mentalitetin shqiptar. Punonjësit bëhen bashkë dhe krijohet një ngërç në zinxhirin e komunikimit dhe nuk funksionon.

 

Cilët janë vizitorët që po vijnë më shumë në muajt e parë dhe kanë interes për ture kulturore?

Janë gjithmonë nga Europa, pra Gjermania, Italia që vijnë të paorganizuar, Franca. Ka shumë edhe nga Izraeli dhe po vijnë vazhdimisht edhe nga Lindja e Mesme.

Kryesisht janë vendet ku kemi linja direkte për shkak edhe të bllokimit të vendeve që bëjnë agjencitë paraprakisht dhe i sjellin me linja direkte.

 

Këtë vit ka një qasje ndryshe në organizimin e plazheve, duke përfshirë këtu në mënyrë të drejtpërdrejtë njësitë vendore, por edhe vendosjen e çmimeve tavan. A mendoni se do të ketë ndikim kjo?

Nuk mendoj se kjo do të sjellë ndonjë ndryshim të madh. Janë dy gjëra që dua të sjell në vëmendje. E para, kjo mendoj është për qytetarët e Shqipërisë, për ata të Kosovës, por edhe të Italisë që janë tregje individuale.

Ata rezervojnë me telefon direkt me hotelin në moment të fundit dhe ballafaqohen me çmime që nuk i kanë pritur. Si për çudi, jemi dëshmitarë edhe vetë në Jug që plazhet me pagesë 50 euro çadra ishin të mbushura plot, ndërsa plazhi publik, bosh.

Mendoj se kjo masë nuk do të bëjë diferencë. E dyta, shumë prej hoteleve që punojnë me turizëm të organizuar nuk i kanë plazhet me pagesë dhe i kanë të përfshirë në çmim. Një situatë si kjo e ndarjes së plazheve duhet të shihet me kujdes.

Ulja e numrit të çadrave në një për dhomë për hotelet mund të sjellë probleme dhe të krijojë konfuzion, pasi mund të mbeten klientë pa çadra dhe të rritet numri i ankesave apo të përkeqësohet vlerësimi kur bëhet anketa nga operatorët e huaj që i sjellin.

 

Cili nga rajonet mban këtë vit peshën kryesore të turizmit të organizuar?

Peshën kryesore si përherë e mban Durrësi dhe Golemi, sepse i kanë edhe kapacitetet më të përshtatshme. Në Jug kemi shumë pak ndryshim. Kërkesa është e madhe, por nuk ka shumë hotele të përshtatshme, sepse turizmi i organizuar kërkon kapacitete të mëdha, 100 dhoma e sipër, që edhe shërbimin ta kenë të mirë.

Në Himarë ka disa kapacitete, por çmimet janë të shtrenjta ka edhe probleme me infrastrukturën.

Në Dhërmi dhe Palasë ka shumë trafik, kurse Borshi është për të ardhur keq që ka plazhin më të madh në vend, 5–6 kilometra, dhe nuk është investuar siç duhet në infrastrukturë. Vazhdon të jetë pluhur e baltë. Është sabotim ta lësh këtë pjesë në këtë gjendje.

 

A ka pasur ndryshime në çmime dhe a pritet që të ketë në vijim me fillimin e sezonit?

Dy vitet e fundit, çmimet kanë një lloj stabiliteti. Këtu flasim në përgjithësi, sepse ka gjithmonë raste të veçanta që rishikojnë çmimet apo që janë më të shtrenjta. Ne si vend kemi çmime konkurruese te hotelet.

Nuk po u referohem këtu 5–6 hoteleve në Jug që nuk e justifikojnë çmimin me shërbimin. Turisti që zgjodhi këto hotele vitin e kaluar u largua drejt Greqisë apo vendeve të tjera, sepse raporti i çmimit me shërbimin që ofrohej nuk përputhej.

Ne duhet të punojmë shumë për shërbimin që të mos humbasim turistin cilësor, i cili është i gatshëm të paguajë. Vitin e shkuar, këtë turist e kishim pak të pranishëm, sepse ai është i ndjeshëm ndaj trajtimit që merr dhe kur kostoja që paguan nuk reflektohet në shërbim, ndryshon destinacion.

 

Lexoni edhe:

Pritshmëritë e turizmit, një tjetër vit mes pasigurish

Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.



Source link

Artikuj te ngjashem
- Advertisment -
Google search engine

Me Te Klikuarat